Shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se vendi po shkon në drejtim të gabuar. Kostoja e lartë e jetesës, papunësia dhe korrupsioni renditen si problemet më të mëdha në vend – tregues që dalin në pah nga sondazhi i Institutit Ndërkombëtar Republikan.
Në sondazhin rajonal për Ballkanin Perëndimor të Institutit Ndërkombëtar Republikan (maj–korrik 2025), 56% e të anketuarve deklaruan se Kosova është në një trajektore të gabuar.
Trendi tregon qartë përkeqësimin e perceptimit qytetar mbi të ardhmen e vendit krahasur me një vit më parë.
Sipas sondazhit, i kryer me një kampion prej 1,164 të rriturish në Kosovë, të zhvilluar mes 13 majit dhe 25 qershorit 2025, Kostoja e jetesës / çmimet e larta janë problemi më i madh me të cilin përballet vendi sot.
Në këtë pyete, pëgjigjet e qytetarëve dhanë një renditje problemesh që shpërfaqin qartazi presionin e përditshëm ekonomik dhe zhgënjimin institucional:
1. Kostoja e jetesës / çmimet e larta – 45%
2. Papunësia – 19%
3. Korrupsioni – 6%
Renditja pasqyron shifrat e inflacionit, të cilat kanë ulur fuqinë blerëse të qytetarëve vitet e fundit, ndërsa nga ana tjetër, papunësia vazhdon të rrisë pasigurinë ekonomike.
Raportet vendore dhe ndërkombëtare konfirmojnë vazhdimisht perceptimin e qytetarëve, duke theksuar se inflacioni gjatë vitit 2025 i është kthyer frikshëm rrjedhës negative.
Korrupsioni
Ndonëse vetëm 6% e të anketurave e përmendin si “problemin kryesor”, korrupsioni mbetet një prej sfidave më të mëdha të vendit, duke u renditur në vendin e tretë për top sfidat më të cilat ballafaqohet Kosova.
Pas korrupsionit, qytetarët rendisin: situatën e përgjithshme politike (5%), emigrimin (3%), ekonominë në kuptimin më të gjerë (3%) dhe kujdesin shëndetësor (3%).
Ndërsa, pasiguria, kriminaliteti, mungesa e mundësive për biznes të vogël dhe qasja në kredi përmenden nga 2% e të anketuarve. Probleme të tjera si konfliktet e jashtme, lufta, droga e paligjshme, varfëria dhe arsimi renditen me nga 1%.
Sondazhi në Kosovë u realizua 13 maj–25 qershor 2025, me një kampion përfaqësues prej 1,164 të rriturish, marzh gabimi ±3.3 p.p. dhe intervista ballë për ballë në ekonomi familjare. /Nacionale