Ole Gunnar Solskjaer ka shpjeguar përse i zëvendësoi Cristiano Ronaldon dhe Bruno Fernandesin gjatë humbjes së Manchester Unitedit kundër Young Boys, duke e pranuar se skuadra e tij do të mësojë nga kjo humbje.
Trajneri i Unitedit e largoi nga fusha dyshen portugeze për t’i futur në lojë Nemanja Maticin dhe Jesse Lingardin në minutën e 72-të kur rezultati ishte 1:1, raporton Gazeta Express.
Fernandes kishte asistuar te goli i epërsinë dhe i vetëm i djajve të kuq herët në pjesën e parë në Bern.
Ekipi zviceran e shfrytëzoi përjashtimin e Aaron Wan-Bissakas me karton të kuq dhe lojën mbrojtëse të Unitedin për t’i shënuar dy gola të vonshëm për një fitore befasuese.
I pyetur pas ndeshjes nga Sky Sport për zëvendësimet, Solskjaer tha: “70 minuta kishin kaluar tashme, ata kishin vrapuar shumë, të shtunën dhe sot. Fusha me bar artificial e ka ndikimin e vet po ashtu dhe unë doja që ta sillja në fushë përvojën e Maticit dhe këmbët e Lingardit”.
“Ronaldo është i jashtëzakonshëm, por ne duhet të kujdesemi për të dhe ndjeva se ai ishte çasti i duhur për ta larguar nga fusha”, shtoi ai. /Gazeta Express/