Solskjaer: Rashfordi mund të bëhet si Ronaldo


Gazeta Express
10 Dhjetor 2019 9:14

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer beson se Marcus Rashfordi mund ta arrijë nivelin e yllit të futbollit Cristiano Ronaldo, nëse vazhdon të përmirësohet ashtu siç po bën tani.

Marcus Rashfordi e vazhdoi formën e tij të shkëlqyeshme me një tjetër gol në fitoren mbresëlënëse të Manchester Unitedit me rezultat 2:1 kundër Manchester Cityt të dielën, transmeton Gazeta Express.

Sulmuesi 22-vjeçar i Manchester Unitedit dhe Anglisë i ka shënuar 13 gola gjatë ndeshjeve të këtij sezoni, dhjetë prej të cilëve në kuadër të ndeshjeve të Premierligës.

Dhe Solskjaer beson se Rashfordi mund të bëhet si pesë-herë fituesi i Topit të Artë Ronaldo, i cili i kishte fituar tre tituj të Premierligës dhe një titull të Ligës së Kampionëve me Manchester Unitedin para se të transferohej në Real Madrid në vitin 2009.

“Është shumë e lehtë t’i krahasosh ata të dy. Që të i kanë të njëjtat aftësi, formë të trupit, karakteristika, sjellje – gjithçka”, ka thënë Solskjaer.

“Djaloshi [Rashfordi] e ka çdo mundësi të kësaj bote për t’u bërë lojtar i nivelit më të lartë. Le të shpresojmë se ai do të vazhdojë kështu”.

“Unë nuk dua të flas për numrin e golave. Për aq kohë sa ai vazhdon të luajë kështu dhe është i drejtpërdrejtë dhe mendon vetëm për të shënuar gola dhe për të krijuar raste, atëherë ai do të shënojë gola”.

Rashfordi do të shpresojë ta vazhdojë formën e tij të mirë edhe në ndeshjet vijuese të Djajve të Kuq, kundër AZ Akmaarit në Ligën e Evropës të enjten dhe të dielën kundër Evertonit në Premierligë. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart