string(33) "sna-duhen-gjykatat-e-kemi-albinin"

S’na duhen gjykatat, e kemi Albinin

OP/ED

Gazeta Express

23/08/2023 14:55

Nuk na duhen prokurorë e gjykatës. Gjyqin dhe ndarjen e drejtësisë për zyrtarët e dyshuar të Vetëvendosjes për keqpërdorime e korrupsion e bën Albin Kurti. Ai dhe Dejona Mihali po “shpërndajnë” certifikata të pastërtisë së figurës e të patriotizmit.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Arrestimi i dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe një biznismeni, nën dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore, ka bërë që kryeministri Albin Kurti edhe një herë të marrë rolin e hetuesit, prokurorit e gjykatësit. Pa nisur ende procesi nga organet e drejtësisë, ai nxitoi të jep verdiktin, sikurse edhe në rastin e Nagip Krasiniqit. “Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj”, tha Kurti në një adresim për qytetarët.

Jo veç Kurti, por edhe zyrtarë të tjerë të Vetevendosjes, nuk ngurruan t’i mbrojnë të arrestuarit, duke “siguruar” se ata nuk kishin bërë asnjë krim. Në adresimin e tij, Kurti nuk e la pa u marrë edhe me “elitën e vjetër”. Ai goditi edhe organet e drejtësisë dhe mediat.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdorura për mbështetje të krimit… Përpjekjet e tyre për të ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish-sistemin e kalbur e të korruptuar”, sulmoi Kurti.

Pra, në këtë mënyrë, kryeministri amnistoi nga përgjegjësia të dyshuarit për keqpërdorime dhe fajin ua hodhi qeverisjeve të kaluara. Në vend që të bëjë thirrje për hetim të shpejtë të rastit, ai zgjodhi të sulmojë, siç ka bërë edhe shumë herë të tjera. Ai shfaqi besim të plotë në ministren e tij, ndonëse ajo gënjeu publikisht.

Në një konferencë për gazetarë, Hajdari mohoi se ka të bëjë çfarëdoqoftë me biznesmenin e arrestuar, Ridvan Muharremi. Por, avokati i Muharremit tha se klienti i tij është kontaktuar nga ministria, për ta angazhuar si ndërmjetës për furnizimin e rezervave shtetërore dhe se ishte takuar me ministren në zyrën e saj.

Nëse duhet besuar ministres, atëherë pyetja bazike është: si mund të ndodh që ministria të angazhojë një person “të panjohur” për të kontraktuar mallrat për rezerva shtëtërore? Si u gjet Muharremi dhe pse pikërisht ai? Këtyre pyetjeve nuk iu ka dhënë përgjigje ministrja. Mbase do t’iu jep prokuroria.

* * *

Përgjigje në plot dilema nuk dha as ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kur doli para gazetarëve për t’i njoftuar qytetarët se, në mungesë të një marrëveshjeje me shtëpitë botuese, librat nuk do të shpërndahen nëpër shkolla, por qytetarët do t’i blejnë ato dhe ministria do t’i rimbursojë.

Ministrja e bëri të ditur lajmin veç dhjetë ditë para nisjes së vitit të ri shkollor. Dështimin e vet u përpoq ta shesë si “reformë”, ndërkohë që bëhet fjalë veç për një improvizim. Ministrja, sinonim i paaftësisë dhe paditurisë bashkë, tha se çmimet e librave të ofruara nga shtëpitë botuese ishin të larta, andaj ato do të blihen nga prindërit. Se me çfarë logjike librat me pakicë mund të blihen më lirë se me shumicë, ajo nuk tregoi. Mbase ka zbuluar ndonjë formulë të re, të paparë dhe të padëgjuar deri tash.

Dhe, kur reagimet ndaj këtij paralajmërimi skandaloz vërshuan gjithandej, u gjet një zyrtare e Vetëvendosjes, Dejona Mihali, e cila akuzoi e sulmoi të gjithë kritikët – që nga shtëpitë botuese, te opozita dhe te mediat.

Nuk është hera e parë që Mihali, koordinatore e komiteteve brenda Vetëvendosjes, sulmon dhe etiketon në mënyrë të ulët kritikët e qeverisë dhe të Albin Kurtit. Nuk është hera e parë që ajo shfaqet si “certifikuese e patriotizmit”, sipas kutit të partisë. Gjithnjë sipas logjikës “kush nuk është me ne është me Serbinë, i paguar nga Serbia e Rusia, i shitur te opozita e Prontos” e “margaritarë” të tjerë të këtij lloji.

Edhe pse më shumë se dy vjet në pushtet, Vetëvendosja për dështimet e veta po vazhdon të gjejë fajtorë në të kaluarën. Edhe pse me fuqi politike mbi 50 për qind, pushteti nuk po arrin t’i përmbush plot premtime që i ka dhënë. Dhe, më e lehta në këtë situatë është të godasësh të gjithë armiqtë imagjinarë, të cilët janë aty, si “fajtorë kujdestarë” për dështimet e qeverisë.