“S’mund të regjistrohet automjeti pa shlyer të gjitha gjobat” – DhTIK kërkon zgjidhje urgjente për pengesat në regjistrim - Gazeta Express
string(116) "smund-te-regjistrohet-automjeti-pa-shlyer-te-gjitha-gjobat-dhtik-kerkon-zgjidhje-urgjente-per-pengesat-ne-regjistrim"

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 13:32

“S’mund të regjistrohet automjeti pa shlyer të gjitha gjobat” – DhTIK kërkon zgjidhje urgjente për pengesat në regjistrim

Lajme

Gazeta Express

19/06/2025 13:32

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka reaguar në lidhje me Nenin 89, paragrafi 4 të Ligjit Nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor të marrë në vitin 2024 që përcakton se “pronari i mjetit nuk mund të bëjë regjistrimin, vazhdimin e regjistrimit apo ndërrimin e pronarit të mjetit, pa shlyer paraprakisht të gjitha gjobat për kundërvajtje në trafikun rrugor”.

DhTIK ka thënë përmes një komunikate për media se kjo dispozitë ka krijuar një barrë të konsiderueshme administrative dhe financiare për bizneset, veçanërisht për ato kompani që operojnë me numër të madh automjetesh në sektorë të tillë si; transporti, logjistika, institucionet financiare, ndërtimtaria, shërbimet teknike, etj.

Sipas DhTIK, ky ligj prodhon efekte negative për bizneset sepse pengon aktivitetin ekonomik të tyre duke iu pamundësuar bizneseve që të dalin në qarkullim dhe të ofrojnë shërbime dhe realizim të kontratave afariste.

“Aktualisht, ky nen po zbatohet në mënyrë të njëjtë edhe ndaj automjeteve që janë të regjistruara në emër të institucioneve financiare, pavarësisht se gjobat u përkasin ngasësve individualë, duke shkaktuar probleme të mëdha për to. Ky kushtëzim po cenon rëndë dhe po shkakton dëme operacionale dhe financiare për këto institucione, të cilat mbështesin sektorin privat përmes instrumenteve të financimit. Për më tepër, ky zbatim bie ndesh me Ligjin Nr. 03/L-103 për Lizingun, i miratuar në vitin 2009, i cili rregullon marrëdhëniet mes palës që ofron dhe palës që shfrytëzon mjetin”, ka shkruar DhTIK.

Ata kanë thënë se ky nen krijon probleme me transparencën administrative pasi sipas tyre në disa raste, bizneset nuk janë të informuara me kohë për gjobat e shqiptuara, veçanërisht për gjobat e pa-dorëzuara fizikisht ose ato të krijuara me radarë të automatizuar si dhe ka mungesë të mekanizmave alternativë pasi që aktualisht nuk ekziston mundësia që bizneset të regjistrojnë automjetet dhe paralelisht t’i kontestojnë ato.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, kërkon që kjo formë e kushtëzimit të bizneseve të ndalohet menjëherë sepse cenon klimën e përgjithshme afariste dhe konkurruese në vend, si dhe pengon zhvillimin e lirë të aktivitetit ekonomik”, thuhet në komunikatë.