Smithsonian rihap tetë nga muzetë e famshëm - Gazeta Express

Smithsonian rihap tetë nga muzetë e famshëm

Arte

Gazeta Express

12/05/2021 0:55

Pas gati një viti mbylljeje për shkak të pandemisë, tetë muzeume të organizatës Smithsonian në Uashington dhe përreth tij po rihapen këtë muaj.

Qendra “Udvar-Hazy” e Muzeumit Kombëtar Smithsonian për Ajrin dhe Hapësirën në Chantilly të shtetit Virxhinia, ka rihapur dyert për herë të parë që nga mbyllja prej pandemisë vitin e kaluar.

Është i pari ndër tetë muzetë Smithsonian që rihapen këtë muaj, ndërsa do të ruajnë masat e sigurisë për pandeminë, si p.sh. një numër i kufizuar njerëzish që lejohen brenda, mbajtja e maskave dhe distancimi fizik.

Qendra “Udvar-Hazy” është më e madhe se qendra e saj simotër, Muzeu Kombëtar për Ajrin dhe Hapësirën në Shëtitoren Kombëtare në Uashington.

“Përmban objektet më të mëdha, të cilat nuk i nxinte muzeu tjetër. Është pra më tepër në stilin e hangarit, ku njerëzit mund të shikojnë objektet dhe të përfshihen emocionalisht”, thotë Jeremy Kinney, nga Muzeu Kombëtar për Ajrin dhe Hapësirën.

Për herë të parë ekspozohen dy objekte historike që shënojnë rihapjen e muzeut, si dhe 60-vjetorin e udhëtimit të parë amerikan në hapësirë.

Një avion luftarak F-18 Hornet, i cili ishte pjesë e skuadronit të famshëm të Marinës “Blue Angels”.

Si dhe kapsula që transportoi amerikanin e parë në hapësirë dhe që ndihmoi në fillimin e programit amerikan të hapësirës.

“Shtimi i objekteve të reja që shfaqen, si avioni i Blue Angels apo kapsula ‘Freedom 7’, na mundëson rrëfimin e këtyre historive madhore”, thotë zoti Kinney.

Janë të ekspozuar gjithashtu avioni Lockheed SR-71 “Blackbird”, avioni reaktiv më i shpejtë në botë, anija më e vjetër hapësinore “Discovery”, si dhe “Enola Gay”, avioni B-29 që hodhi bombën atomike mbi Hiroshimën në Japoni, gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vizitorë nga të gjitha grupmoshat shijojnë objektet e reja dhe të vjetra.

“Mbesës tonë i pëlqen këtu… hapësira e madhe, gjithë avionët dhe shumë histori. Ajo është vetëm 3 vjeç e gjysëm dhe që tani na informon se çfarë kanë bërë këta avionë në të kaluarën. Është fantastike”, thotë vizitori Ruben.

“Thjesht donim të dilnim pasi kemi qenë të bllokuar nga COVID-i. Donim që djemtë të dilnin, të vizitonin muzeun dhe të shikonin avionët e mrekullueshëm”, thotë vizitorja Katie Hughes.

“Na pëlqen të shikojmë avionët. Nja dy herë i kemi parë Blue Angels të fluturojnë në qiell dhe është interesante të shikosh këtu historinë e tyre ndër vite. Ndoshta u ngjall interesin të bëhen pilotë në të ardhmen, nëse duan, dhe madje edhe astronautë”, thotë vizitori Kyle Hughes.

Gjashtë muzeume të tjerë Smithsonian si dhe Kopshti Kombëtar Zoologjik do të hapen më vonë këtë muaj.

Ndër to janë Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, Galeria Kombëtare e Portreteve, Muzeu Smithsonian i Artit Amerikan dhe Galeria Renwick, Muzeu Kombëtar i Historisë Amerikane dhe Muzeu Kombëtar i Indianëve të Amerikës.

“Gjithnjë kam besuar se një vend përfaqësohet nga çfarë mban mend. Dhe madje më shumë nga çfarë harron. Prandaj dua të sigurohem se Smithsonian ndihmon Amerikën të mbajë mend, jo vetëm atë që dëshiron të kujtojë, por edhe atë çfarë duhet të kujtojë”, thotë Lonnie Bunch, Sekretar i Institutit Smithsonian.