Smajl, dërgoja letrën Ramushit - Gazeta Express
string(29) "smajl-dergoja-letren-ramushit"

Smajl, dërgoja letrën Ramushit

OP/ED

Gazeta Express

16/07/2022 20:12

Nga Baton Haxhiu

Smajl, kam një problem moral se si ta trajtoj Ramushin.

Lexo Edhe:

Politikan? Hero? Vëlla i heronjve të vdekur? Apo si kryetar i përjetshëm i AAK-së?

Prandaj, ty, po ta shkruaj me dedikim këtë letër që, nëse ke kohë ta lexosh, mos përto, dërgoja edhe atij, Ramushit, kryetarit tuaj të përjetshëm, që ta lexojë.

E di që Ramushi është i madh dhe aq i mprehtë sa nuk denjon të përgjigjet direkt ndaj çfarëdo kritike që i bëhet. Nuk denjon, sepse ai merret vetëm me të mëdhenjtë dhe me mbijetesën e demokracisë botërore.

Kryetari yt dhe partia po preokupohen prej kohësh me Evropën dhe me retorikën ksenofobe të udhëheqësve autoritarë dhe kufijve të militarizuar.

Korrigjimi dhe ideja e dikurshme e këtij projekti (çuditërisht, ma ndalët mua në gjysmë sepse e kisha në grusht dore) është e kaluar dhe, sipas Ramushit, i takon Smajlit të merret me të (me mua).

Putini, Rusia, janë përmasa e përkushtimit të tij.

Natyrisht, bashkë me Albinin dhe Vjosën.

Në këtë shkrim-letër po mundohem që Ramushin ta trajtoj si politikan, sepse po fillova ta trajtoj si hero ose edhe si vëllai i madh i heronjve, do ta bëja që të mendojë dy herë para se të dal në publik dhe të flas për gjërat shtetërore.

Po i shkruaj si politikan, sepse ka mundësi që, nëse për asgjë tjetër, së paku të bëj përpjekje ta pyes veten për qeverisjen e tij, e jo për peshën time të papeshë në politikë, për të vendosur për korrigjimin apo për çfarëdo ideje tjetër që s’ka të bëjë me mendimin e lirë.

Nëse më pyet mua “a di ta bësh politikën?”. Mund të them pa hezitim se “nuk di ta bëj”. Por nëse vazhdon të insistosh me pyetje, atëherë mund të them, prapë, se “vërtetë nuk di ta bëj si ju, por nëse merrem me të, natyrisht, dhe, gjithmonë e bëj më mirë se Ju”.

Padyshim.

A di pse? Sepse gati çdo veprim e bëni me dozë gabimi!

Sepse, do ju akuzoja rëndë se jeni mburojë e tiranisë dhe kufizoni aftësitë e demokracisë për të luftuar terrorizmin gjuhësor dhe politik të VV-së.

Smajl, frika për mbijetesën e liberalizmit më kujton kohën kur gjithçka rrezikohej nga Ju. Kur them nga Ju, e fus gjithnjë VV-në aty.

Prandaj, njerëzit si unë si zë gjumi natën, sepse mundohemi të mbrojmë demokracinë liberale nga një grup, duke parë se para syve tanë gjërat po shkërmoqen, qytetarët nuk mbajnë më, anarkia ka pushtuar mënyrën e të bërit politikë.

Brenga që Ramushin dhe ty, do duhej t’iu ndiqte këmba-këmbës, në këtë pauzë pushteti, do duhej të ishte pyetja: po sikur të kemi gabuar?

Apo, ku kemi gabuar?

Por, duke qene i tillë, si hero dhe vëlla i heronjve, Ramushi nuk pyet asnjëherë se: ku gabuam ose, kush gaboi?

Edhe kur gaboi, asnjëherë nuk pyeti se çfarë ndodhi. Sepse, gati gjithmonë dhe me vetëdije të plotë,  Ramushi foli si Hero dhe shpeshherë edhe si vëllai i heronjve.

Çka i ndodhi Ramushit para syve të tij?

Ai, bëri tri detyra kryesore gjatë jetës së tij politike: ndihmoi Vetëvendosjen, me vetëdije të plotë, kryesisht, si pjesë militante e saj dhe në momente ishte si një dorë e armatosur, në pritje, kundër pushtetit; i dha asaj krahët e guximit dhe i dhuroi rrugën e pushtetit; dhe në fund shkatërroi atë për çka ishte thirrur ta ndërtonte –  moralin publik të qeverisjes.

Ramushi ndihmoi shumë Albinin dhe Vetëvendosjen, sepse duke qene pjesë e një elitë revolucionare, qe si kuptohej djallëzia, bëri tre detyra që revolucionarët zakonisht bëjnë: Mori përsipër të vras heronjtë, idealistët dhe së fundi edhe shkollarët.

Narracioni Smajlit të çalon, për nga përmbajtja, morali dhe dija për të gjykuar se kush është vendimmarrës në pushtet.

Një mendim i lirë imi nuk influencon dhe as nuk vendos për asnjë pore te jetës. Prandaj, reagimi si shkrim për korrigjimin dëshiron të krijojë rrëfime artificiale dhe pikënisjen e ka te kompleksi i Ramushit.

E kuptoi se e kaluara në pushtet është deri diku dhimbje, jo për dikë tjetër, por për atë dhe vetë Aleancën.

E vërtetë, ai më nuk e ka fuqinë që t’u bëjë keq të tjerëve, por meqë është i burgosur brenda pushtetit të tij imagjinar, mund t’i bëjë keq vetës.

Përse nuk i tregon dikush për këtë?

Përse nuk bëhet dikush i sinqertë me të dhe t’i tregojë?

Këto pyetje më shumë janë si apel. T’i thotë dikush që nuk di të bëj pushtetarin dhe as liderin që vendos me shijen e një burrështetasi. Kjo është arsyeja, që, ai, duhet të mos e ekspozojë vetën më shumë. Për hir të tij.

Marrë parasysh të kaluarën e tij si hero, ai u nxor mirë. Pse po ekspozohet tash?

Si një mik i tij, mund të më pyesësh: “a të pëlqeu ky mandat i fundit i Ramushit”, dhe unë, si një gazetar dhe si favorit i imi për kryeministër dikur, do të thosha: “do më pëlqente, sikur të ishte i fundit”.

Për ata që kanë rezon revolucionari, mënyra e të bërit politikë liston disa parakushte si rreziku i jashtëm ushtarak, kundërshtimi prej klasave sunduese, desintegrimi gradual i regjimit të vjetër etj. Sidoqoftë, pothuajse saktësisht të njëjtat parakushte nuk kane qenë të plotësuara por, ndryshimi rrënjësor ka ndodhur nëpërmes ndërhyrjes revolucionare.

Arsyeja është e thjeshtë: ka pasur një agjent ideologjikisht te angazhuar (VV) për t’i bërë këto parakushte objektive njëmend të duken revolucionare. Dhe ti ishe aty për ta bërë punën e agjentit ideologjik.

Smajl, vetëm aktivistët e përfshirë emocionalisht ne çështje shoqërore janë subjekt i mundshëm i ndryshimit. Problemi nuk është që aktivisti është i angazhuar për ta rregulluar një situatë të padrejtë qe ekziston objektivisht. Problemi është që pa angazhimin e aktivistit situata e padrejtë objektive nuk duket fare.

Objektiviteti i rrënimit u zbulua vetëm nga qasja paraprake e VV-së si subjekt i sulmit. AAK ishte vetëm akcesor militant pa pasur motive paraprake subjektive – Tek AAK kurrë s’ka pasur dhe nuk ekziston as objektiviteti i politikes. Sepse kryetari bën dorëheqje pa arsye dhe ik nga beteja politike me arsye, gjithashtu. Sepse s’ka objektiv të politikës.

Për Ramushin dhe ty Smajl, faza finale e dialogut për normalizim marrëdhëniesh midis Kosovës dhe Serbisë është duke u karakterizuar prej një mungese totale lidershipi institucional dhe papërgjegjshmërie të thellë politike. Ndonëse deri më tash janë mbajtur qindra takime të niveleve të larta politike.

Kjo tregon se ekziston një mungesë e theksuar e ndërgjegjes politike në Kosovë në një moment tepër delikat historik. Sidoqoftë, në krejt këtë situatë politike, përgjegjësia kryesore bie tek dy personalitete politike, kryeministri aktual dhe ish-Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Smajl, në një periudhë kur është vendosur për shumçka, që nga lidhja e koalicionit Veseli dhe Haradinaj, është insistuar në domosdoshmërinë e marrjes të vendimeve të mëdha për vendin.

Në fakt, motivi kryesor i përafrimit të tyre politik, sipas arsyetimeve të tyre, ka qenë forca e dy akterëve për të përmbyllur tranzicionin politik në Kosovë, përkatësisht kompletuar procesin e konsolidimit të shtetësisë të Kosovës, përfshirë edhe mbylljen e suksesshme të dialogut Kosovë-Serbi.

Impotenca fillimisht është vërejtur tek dështimi për një gjetje të shpejtë për zgjidhjen e demarkacionit të vijës kufitare me Malin e Zi. Si pasojë e humbjes të paarsyeshme të pothuajse katër vjet kohë në këtë proces, Kosova tashmë nuk ka  liberalizim të vizave së paku deri në vitin 2023.

Kjo tregon se fokusi juaj, ekskluzivisht, në tematika të politikës të brendshme dhe llogarive elektorale iu ka bërë tërësisht shkurtpamës për klimën gjithnjë e më të disfavorshme në Evropë në çështje të zgjerimit në përgjithësi dhe thellimit të praktikave të bashkëpunimit me vendet jo-anëtare në veçanti.

Pra, përderisa keni qenë në kërkim të komoditetit të brendshëm institucional dhe të preokupuar me përmirësimin e imazhit në publik, proceset e mëdha politike janë duke u ndikuar negativisht nga mungesa e guximit për pozicionim dhe mungesa e vizionit për veprim të lidershipit në fjalë. Ngjashëm, kjo qasje është duke prodhuar efekte tërësisht negative në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi.

Ramush Haradinaj deri më sot ka dhënë vetëm një shembull të qartë të rëndësisë së tij në politikë. Ai është i nevojshëm në qeveri vetëm pse është tepër destruktiv në opozitë jo pse është produktiv në pushtet. Atij i është dhënë posti i Kryeministrit, mes tjerash, nga pamundësia për t’ia menaxhuar kërcënimet për luftë të re, dhunën e ushtruar në sheshet e Prishtinës dhe hedhjen e lotsjellësit në Kuvend. Si Kryeministër, ndërkaq, marrëveshja që ka nënshkruar me Malin e Zi ka qenë përmbajtësisht e njëjtë.

Ngjashëm, Ramushi, sot shfaqet çdo ditë në medie duke kërcënuar për një luftë te re dhe gjakderdhje të serishme historike në rast se fillon procesi i ‘korrigjimit të kufijve’.

Këtë qëndrim fare shkujdesur Haradinaj e ka shprehur pothuajse në të gjitha kancelaritë e botës.

Sidoqoftë, nëse reputacioni i tij publik është duke u rritur nga roli i tij prej gardiani të territoreve, ai nuk ka as më të voglën ide dhe as propozimin më elementar alternativ se si duhet të përmbyllet dialogu Kosovë-Serbi.

Propozimi i tij i dorëzuar në Kuvend si strategji kombëtare për negociata ka qenë fiks 2 faqe me formulime të përgjithshme mediatike.

Madje, në një prononcim të tij publik, Haradinaj deklaronte se nuk kishte kohë të merret me dialog. Pra, sado e vështirë që duket për ta besuar, ish-Kryeministri i Kosovës deklaronte atë kohë se nuk ka kohë për të udhëhequr procesin final historik midis Kosovës dhe Serbisë.

Kjo nuk tregon thjesht një dështim në marrje të përgjegjësive institucionale për procese kapitale historike. Kjo tregon se përderisa ai është i paguximshëm dhe pa vizion për të menaxhuar me këtë proces, ai gjithsesi është i interesuar të merr benefitet elektorale dhe politike që vijnë nga kundërshtimi i pjesëve të këtij procesi. Pra, ai edhe njëherë është duke e shfrytëzuar talentin e tij më të veçantë politik: refuzim kategorik pa ide alternative dhe kërcënim publik pa përgjegjësinë për të ofruar zgjidhje.

Ramushi, ndërkaq, deri më tash ka ricikluar vetëm strategjinë e tij të vjetër të menaxhimit të marrëdhënieve me publikun. Sikurse në Qeverinë Mustafa kur ai qëndronte në prapaskenë midis krizës politike duke dhënë veç deklarime të mjegullta, në opozitë Haradinaj qëndron me plot dykuptimësi vetëm për të mos marrë përgjegjësinë e plotë në procese të caktuara.

Ramushi jo vetëm që është kursyer maksimalisht nga prononcimi për çështje të lidhen me dialogun, por minimalisht është marrur me të. Ai as nuk është bërë pjesë aktive e negociatave në Bruksel, as nuk ka mbështetur tërësisht akterët negociues në Bruksel.

Duke luajtur me dykuptimësi Ramush Haradinaj mbase mendon se është duke e ruajtur imazhin publik por, në të vërtetë, është duke e humbur tërësisht lidershipin e tij politik.

Në fillim, menjëherë pas takimit të Presidentit me liderët e Luginës të Preshevës, Haradinaj thoshte se bashkëngjitja e kësaj treve me Kosovë është një e drejtë e pamohueshme dhe një kauzë legjitime historike. Kur presioni publik kishte filluar të rritet dhe qëndrimi i diplomacisë perëndimore të komplikohet, Ramushi tha se kjo është një ide me ‘origjinë serbe dhe ruse’.

Pavarësisht cilësisë të analizave, problemi kryesor është: cila është platforma e tij alternative në dialog. Thjesht, përveç fjalëve të zbrazëta për konsum mediatik, nuk posedon një plan të tillë.

Emëruesi i përbashkët është qëndrimi se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë.

Sidoqoftë, edhe mendja më e rëndomtë në Kosovë e di se realizimi i këtij qëllimi kërkon një transaksion politik ndërkombëtar dhe një kompromis politik të veçantë me Serbinë.

Përderisa të gjithë janë kundër zgjerimit të kompetencave të Asociacionit, të dy janë edhe kundër ‘korrigjimit të kufijve’. Me fjalë të tjera, Haradinaj dhe Kurti janë duke shfrytëzuar politikisht komoditetin që vjen nga refuzimi i temave jopopullore, por assesi duke luajtur rolin e udhëheqëseve konstruktivë në proces.

Fundja, është krejt legjitime të jesh në Kosovë kundër bashkësisë ndërkombëtare. Sidoqoftë, ata, tashmë kanë shpalosur një ide dhe kanë marrur guximin për të udhëhequr një proces.

Nëse të tjerët kanë ide më afirmative, natyrisht, duhet t’i shpalosin në publik dhe ta marrin përgjegjësinë politike në materializim të tyre.

Haradinaj, ndërkaq, para deklaratave kontradiktore dhe kundërshtimeve kërcënuese, të privuara nga çfarëdo mendimi politik, duhet jo vetëm të qartësojë pozicion, por edhe të shpalos programet e tyre për përfundimin e dialogut pa patetizma dhe demagogji.

Të dy, parapëlqejnë të flasin për burrërinë personale dhe gatishmërinë e tyre për marrje të vendimeve të mëdha.

Sjellja e tyre e deritanishme, së paku, tregon se ata janë struktur personalisht në hapësirat më komode të përfitimit politik dhe kanë mbetur pa guximin elementar të liderëve dhe madje pa edhe llogaritë afat-mesme të politikbërësve.

Duke vepruar kështu, i dashur Smajl, mund të rikujtojmë se për të njëjtën arsye që filluan t’ju duan, për të njëjtën do fillojnë t’ju urrejnë. Kjo është një letër që mundohet të përdorë argument pa asnjë akuzë brenda. Duke iu përgjigjur mund të them se veprimet tuja politike ishin tronditëse dhe nga ju kam kuptuar se demokracitë nuk varen nga proceset mekanike sa nga origjinaliteti njerëzor. Prandaj, origjinaliteti juaj ishte tronditës. Kurse ne ishim buzë greminës politike, duke vazhduar të imitojmë keq demokracinë. Pa shije.

Smajl reagimi yt ndaj dhimbjes time të shprehur në emisionin Pressing në T7 – e quaj dhimbje, sepse s’mund të them kritikë, pasi kritika presupozon veprimin e bërë në anën tjetër e ju veprime s’bëni prej kohësh – ishte i vobektë.

Jo se s’ke më shumë për të thënë, porse gjithmonë kur reagimi bëhet jo me sinqeritetin e intelektualit, por me kalkulimin e nëpunësit, del i tillë, i varfër.

Ky duhet të jetë mbase edhe një mëkat tjetër i madh i Ramushit, krijimin e një strukture të tillë nëpunësish që përcjellin njeriun pa qëllim e jo qëllimin që udhëheqë njerëzit.

Këtu dallojnë Ramush e Albini. Sepse Albani, kur sheh flluska kundërshtie brenda partisë krijon komplote dhe i largon. Ramushi në anën tjetër, nuk i largon nga partia, por i ndrydhë aq shumë sa që ua largon kritikën.

Ata pastaj brenda mbesin, por kështu, të zbrazët, njëjtë si reagimi yt.