Sllovenia po përgatit një projektligj që synon të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për fëmijët dhe adoleshentët nën moshën 15 vjeç. Lajmin e bëri të ditur zëvendëskryeministri Matej Arkon, i cili theksoi se iniciativa është marrë nga Ministria e Arsimit, duke u bazuar në përvojën e vendeve të tjera dhe me përfshirjen e ekspertëve të arsimit dhe teknologjisë digjitale.
“Ka qenë një çështje shumë e diskutuar në mbarë botën dhe në Evropë muajt e fundit. Me këtë projektligj, ne si qeveri po tregojmë se kujdesemi për fëmijët tanë,” u shpreh Arkon pas mbledhjes së kabinetit.
Projektligji pritet të përfshijë rregulla për platformat kryesore të mediave sociale, si TikTok, Snapchat dhe Instagram, duke synuar mbrojtjen e të miturve nga efektet negative të përdorimit të tepërt, si varësia, ndikimi në shëndetin mendor dhe ekspozimi ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme.
Sllovenia, me një popullsi prej rreth 2 milionë banorësh, po ndjek shembullin e Spanjës, e cila ka propozuar ndalimin e mediave sociale për adoleshentët nën 16 vjeç. Masa të ngjashme po shqyrtohen edhe nga Britania dhe Franca, ndërsa Australia u bë vendi i parë që ndaloi aksesin në rrjete sociale për fëmijët nën 16 vjeç në dhjetor.