Port Vale shkroi një nga surprizat më të mëdha të FA Cup, duke mundur Sunderlandin me rezultatin 1-0 dhe duke siguruar vendin e tyre në çerekfinale.
Në letër, kjo përballje dukej e njëanshme – skuadra e fundit e League One (liga e tretë e Anglisë) ndaj ekipit të elitës (Premierligës) – por magjia e FA Cup u bë përsëri e dukshme kur Ben Waine shënoi me kokë në pjesën e parë për t’i dhënë fitoren Port Valet.
Waine – tifoz i Newcastle United – shfrytëzoi një këndore të mbajtur gjallë nga Port Vale dhe me një goditje me kokë çoi topin në rrjetë, duke çuar “Vale Park” në delir.
Pesë ditë pas golit që eliminoi Bristol Cityn, Waine – një përfaqësues i Zelandës së Re, me familjen e nënës nga verilindja e Anglisë – ishte sërish protagonist, duke i dhënë fitoren e parë të Port Vale ndaj një ekipi të elitës që nga fitorja e turit të katërt ndaj Evertonit para 30 vitesh.
Kjo është edhe hera e parë që ata arrijnë në çerekfinalet e FA Cup që nga viti 1954.
Që nga momenti që morën avantazhin, Vale qëndroi prapa me të gjitha forcat për të mbrojtur rezultatin, ndërsa Sunderlandi nuk arriti të shfrytëzojë mundësitë e tyre për të fituar trofeun.
Sunderlandi bëri vetëm dy ndryshime nga ekipi që e mundi Leeds Unitedin gjatë javës, por një skuadër me vlerë mbi 150 milionë paund humbi mundësinë për të fituar ndonjë trofe.
Vizitorët mund të kishin kaluar në avantazh që në minutën e katërt kur portieri i Vale, Joe Gauci, gabimisht goditi një këndore drejt portës së tij, por goditja me kokë e Eliezer Mayenda u përplas në shtyllë para se Kyle John ta largonte topin.
Tensioni te Sunderlandi u duk kur Waine e detyroi Luke O’Nien në një pasim të gjatë mbrapa, duke e lënë portierin Melker Ellborg të bënte një pritje të jashtëzakonshme, megjithëse jo konvencionale, duke e goditur topin mbi traversë.
Nga ky gabim Vale mori avantazhin me golin e Waine nga një këndore.
Sunderlandi vazhdoi të sulmonte, me Gauci që bllokoi goditjen me kokë të Nilson Angulo dhe më pas devijoi përmbi portë për goditjen e Dan Ballard, por asgjë nuk mund të ndryshonte një ditë historike për Vale.
Granit Xhaka luajti vetëm 8 minuta në këtë përballje.
Edhe pse janë në fund të League One, Port Vale rikujtoi sërish të gjithëve pse FA Cup mbetet skena më e madhe e futbollit për të pamundurën.
Shorti për çerekfinalet e FA Cup do të bëhet të hënën dhe do të zhvillohet para ndeshjes së fundit të 1/8-ës mes West Hamit dhe Brentfordit./GazetaExpress/