Gati një në tre gra nuk merr pjesë në skriningun e gjirit, pavarësisht se programi ka zbuluar rreth 20 mijë raste kanceri vetëm vitin e kaluar, tregojnë të dhënat e reja.
Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se mungesa në kontrollet e rregullta do të thotë humbje e mundësisë për ta kapur sëmundjen herët, kur trajtimi është më i lehtë dhe shanset e mbijetesës janë më të larta.
Sipas NHS England, gjatë vitit 2024/25 rreth 1.94 milionë gra iu përgjigjën ftesës për skrining brenda gjashtë muajve, krahasuar me 1.75 milionë një vit më parë. Si rezultat, u zbuluan 19,291 raste të kancerit të gjirit – rreth nëntë raste për çdo 1,000 gra të kontrolluara – një rritje prej 16% krahasuar me vitin 2023/24.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur kirurgët kryesorë plastikë në Britani po kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të injektimit të mbushësve sintetikë në gjoks. British Association of Aesthetic Plastic Surgeons (BAAPS) paralajmëron se kjo procedurë e promovuar si “rritje e shpejtë e gjoksit në pushimin e drekës” paraqet rreziqe të papranueshme, përfshirë infeksione, deformime dhe formimin e indit të fortë mbresor (granuloma), të cilat mund ta vështirësojnë zbulimin e hershëm të kancerit në mamografi.
Shoqata thekson se nuk ka asnjë justifikim për injektimin e mbushësve dermalë në indin e gjirit dhe se çdo procedurë që mund të fshehë shenja të hershme paralajmëruese të kancerit është e pambrojtshme. Kujtohet se mbushësi i gjirit Macrolane u tërhoq nga tregu në vitin 2012 për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, por sipas kirurgëve, produkte të ngjashme vazhdojnë të përdoren edhe sot, shpesh pa mbikëqyrje të mjaftueshme. Në disa raste, gratë kanë pasur nevojë për ndërhyrje të mëdha kirurgjikale për t’i hequr këto materiale.
Presidentja e BAAPS, Nora Nugent, thekson se gjoksi nuk është thjesht ind estetik, por një gjëndër me funksion biologjik. Infeksionet mund të pengojnë ushqyerjen me gji dhe të shkaktojnë dëme afatgjata. Sipas saj, grave u shitet ideja e një zgjidhjeje të shpejtë, ndërsa përfitimi estetik është minimal dhe rreziku real.
Në Mbretërinë e Bashkuar, çdo tre vjet, gratë e moshës 50–71 vjeç ftohen për skrining të gjirit me mamografi, e cila zbulon tumore shumë të vogla për t’u parë apo ndjerë. Aktualisht, 71.8% e grave të kualifikuara janë të përditësuara me kontrollet, një rritje prej 1.8 pikësh përqindjeje nga viti i kaluar. Pjesëmarrja e grave që ftohen për herë të parë ka arritur në 63.6%, niveli më i lartë i dekadës së fundit.
Dr Harrison Carter, drejtor i skriningut në NHS England, thekson se skriningu i gjirit shpëton jetë. Ai e quan inkurajuese rritjen e pjesëmarrjes, veçanërisht tek gratë e ftuara për herë të parë, por shton se ende ka shumë për të bërë, pasi rreth tre në dhjetë gra nuk e pranojnë ftesën.
Një prej tyre gati sa nuk e injoroi ishte Philomena Ofodu, 54 vjeçe, të cilës skriningu i zbuloi kancerin e gjirit në fazën e dytë. Ajo rrëfen se një vonesë e vogël për shkak të punës së re mund t’i kishte kushtuar gjithçka dhe sot nxit fort gratë të mos e neglizhojnë këtë kontroll jetik.
Kanceri i gjirit prek një në shtatë gra në Mbretërinë e Bashkuar, me mbi 44 mijë raste të reja çdo vit. Autoritetet shëndetësore apelojnë që çdo ftesë për skrining të merret seriozisht, sepse mund të jetë një takim që shpëton jetën. /GazetaExpress/