Skepticizëm për rezultatet e takimit Kurti-Vuçiq - Gazeta Express
string(48) "skepticizem-per-rezultatet-e-takimit-kurti-vuciq"

Skepticizëm për rezultatet e takimit Kurti-Vuçiq

Lajme

Gazeta Express

25/06/2024 8:39

Bashkimi Evropian ka dal me njoftim lidhur me agjendën e takimit të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq në Bruksel. Sipas agjendës, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell dhe ndërmjetësi i dialogut do të zhvillojnë takim me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq të mërkurën në orën 15:00. Fillimisht do të ketë takime të ndara për të pasuar me një takim i përbashkët trepalësh. Si thuhet në njoftimin e BE-së, gjatë takimeve do të analizojnë atë që është arritur në dialog nën udhëheqjen e Përfaqësueses së Lartë dhe do të fokusohen në rrugën përpara.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i tha rtv21 se nuk pret diçka thelbësore nga takimi Kurti-Vuçiq në mesjavë për shkak të, sipas tij, sjelljeve destruktive të Serbisë.

Lexo Edhe:

Kurti dhe Vuçiq do të ballafaqohen në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes bazë, në një takim të parë që prej dhjetë muajsh. Takimi pason akuzat e ndërsjella për shkelje të marrëveshjeve. Por, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i tha rtv21 se nuk pret diçka të rëndësishme dhe esenciale nga takimi në Bruksel duke parë, siç tha, sjelljen destruktive të Serbisë. Konjufca ka përjashtuar mundësinë që në rend të ditës të jetë çështja e Asociacionit.

“Nuk pres diçka të rëndësishme dhe esenciale nga takimi. Nuk pres nga Serbia që ta zbatojë marrëveshjen bazike. Kurrfarë asociacioni nuk është në rend të ditës për Republikën e Kosovës”, tha Konjufca.

Takimi Kurti-Vuçiq vjen pas vizitës së emisarit Lajçak në Kosovë dhe Serbi, pas së cilës kërkoi nga palët zbatimin e marrëveshjes. Ai i tha Kosovës që ta themelojë Asociacionin. Lajçak ka paralajmëruar të dyja palët se ndarja e fondeve nga plani i rritjes i BE-së do të varët nga rezultatet që do të tregojnë Kosova dhe Serbia në proces të dialogut. Por, deputeti i VV-së, Armend Muja, ka kërkuar nga BE-ja ta bëjë të qartë nëse ka marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

“Pikë së pari a ka marrëveshje, sepse pas marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit Serbia ka paraqitur rolin e vet destruktiv. Unë mendojë se Kosova duhet të rezervohet nga zbatimi unilateral i detyrimeve. Në të njëjtën kohë duhet të manifestojë qëndrimin e saj që në mënyrë konstruktive të jetë e gatshme t’i zbatojë ato detyrime në rast se marrëveshja ende vlerë. Kërkohet që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen”, tha Muja.

Ndërkohë, opozita ka kritika ndaj Qeverisë për mënyrën e dialogimit me Serbinë. Sipas deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, kryeministri Kurti ka pranuar marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

“Tash e dy vite e gjysmë produketet e kryeministrit Kurti në dialog i kemi parë. Pra, është vetmenaxhimi, është marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme për vendin. Është draft-statuti i cili është në tavolinën e kryeministrit Kurti. Këtu nuk mund të presim që do të del diçka jashtë këtyre temave”, tha Tahiri.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, shpreh shqetësim se në takimin Kurti-Vuçiq do të ketë ndonjë kompromis të dëmshëm për vendin. Nisur edhe nga qasja, siç tha, jo transparente e Qeverisë në proces të dialogut.

“Ka vend për shqetësim sepse gjithë ky proces është përcjellë me mos transparencë. Vizita e heshtur e Lajçakut është prodhim i takimit Kurti-Vuçiq. Qeveria të jetë e përgjegjshëm se çka do të bëjë tutje. E përgjegjshme nga ajo që kemi parë në marrëveshjen e Ohrit”, tha Zemaj.

Kosova rrezikon t’i humbë rreth 900 milionë euro fonde nga Bashkimi Evropian nëse nuk tregohet konstruktive në zbatimin e marrëveshjes, specifikisht dërgimin e draft-statutit të asociacionit në Gjykatën Kushtetuese. Emisari i BE-së Miroslav Lajçak është përgjegjës për vlerësimin nëse Kosova i ka plotësuar kushtet për ndarjen e fondeve të BE-së në bazë të rezultateve në dialog.