Skënder Karriqi: Veta prometeike - Gazeta Express
string(31) "skender-karriqi-veta-prometeike"

Arte

Gazeta Express

22/05/2024 15:07

Skënder Karriqi: Veta prometeike

Arte

Gazeta Express

22/05/2024 15:07

Rënia e pallatit në shoqërinë antike greke është një moment i rëndësishëm, që i hap rrugë lindjes së demokracisë. Në këtë rast do të kemi kalimin nga Pallati tek Polisi (Qyteti), ku në plan të parë del bashkësia si njësi dhe unitet social. Këtë moment të historisë antike greke Vernant e përshkruan: Fuqia e konfliktit-fuqia e bashkimit. Eris-Filia: këto dy entitete hyjnore të kundërta e komplementare shënohen si dy polet e jetës shoqërore në botën e vjetër aristokratike që i zuri vendin mbretërive të vjetra. Lartësimi i vlerave të luftës, të konkurrencës, të rivalitetit, shoqerohet me ndjenjën e përkatësisë ndaj një bashkësie të vetme e të njëjtë, ndaj një kërkese për unitet dhe njësim shoqëror.

Në reflektimin e këtij momenti e ka zanafillën konceptimi i ri urbanistik, i cili konsiston në një qytet  të përqëndruar tashmë jo rreth pallatit, por rreth Agorës, që në fakt është hapësira publike ku rrihen probleme me interes të përbashkët. Pra, kur themi hapësirë, nuk e shenjojmë atë thjesht në kuptimin fizik hapsinor; përkundrazi, e shenjojmë në kuptimin e një hapësire sociale, ku do të normativizohet marrëdhënia reciproke ndërmjet individit me bashkësinë dhe anasjelltas, e bashkësisë me individin. Kjo hapësirë publike është vendi ku deklarohet dhe publikohet tërësia e interesave të përbashkëta, të cilat u kundërvihen çështjeve private. Në këtë rast sheshi apo hapësira publike është vendi i transparencës. Aty veprohej ditën me diell duke iu kundërvënë praktikave të fshehta. Në lidhje me këtë fakt Vernant thotë: Kjo kërkesë për publikim çon në konfiskimin  progresiv në përfitim të gupit dhe në vendosjen përpara syve të gjithë tërësinë e sjelljeve, procedurave, dijeve, që në fillim përbënin privilegjin e vetëm të bazileusit ose të geneve që mbanin ahrenë. Kjo lëvizje e dyfishtë demokratizimi dhe divulgimi do të ketë në planin intelektual, pasoja vendimtare. Kultura greke ndërtohet duke i hapur një rrethi përherë e më të gjerë, më së fundi gjithë demosit, hyrjen për në botën shpirtërore, që në fillim i qe rezervuar një aristokracie me karakter luftarak e klerikal.

Lexo Edhe:

Institucionalizimi i Agorasë, si një hapësirë e tillë publike, qe një kusht rrethanor, i cili do të mundësonte që tash e mbrapa, mbi krijimet e mendjes si dhe mbi veprimtarinë e shtetit të ushtrohet një kontroll i vazhdueshëm nga bashkësia.

Do të kemi në këto kushte reflektimet etike qytetare, që s’janë gjë tjetër, veçse vlera të dala nga raporti i individit me bashkësinë. Pikërisht, nëpërmjet këtyre vlerave individi njesohet, matet dhe  vlerësohet në raport me bashkësinë. Për këtë arsye ato do të jenë në themel të moralit qytetar. Produkti i tyre i zakonshëm është qytetari, ndërsa produkti jo i zakonshëm është heroi qytetar, i cili është i tillë, jo thjesht në kuptimin e ushtarit, por edhe të veprimtarit të angazhuar në të mirë të qytetit.

Qyteti grek ka prodhuar mjaft të tillë, si: Aristidhi, Themistokliu, Perikiu etj, të cilët na vijnë nëpërmjet penës së Tuqiditit dhe Plutarkut, si heronj të vërtetë të Qytetit, që do të thotë si heronj jo vetëm të luftërave, por edhe të sheshit publik, ku diskutoheshin problemet e qytetit dhe individët ofronin shërbimet e tyre. Pikërisht, në kushte të tilla lindi veta e shërbimit apo e thënë ndryshe, veta prometeike, e cila në përshtatje me raportet individ-bashkësi, është vetë e parë (unë, ne) dhe ky është rasti i individit apo i një grupi individësh që projektohen në raport me bashkësinë, si shërbëtorë heroikë të saj.

Por jo çdo vetë e parë është vetë shërbimi apo prometeike: kur është vetë në raport me komunitetin, ajo është e tillë. Në të kundërt, kur është në raport me veten, është vetë e individualizmit. Kështu, veta e parë letrare, si prometeike apo individuasliste, shenjon në kuptimin stilistik, por edhe kohor, kufirin ndërmjet tradicionalizmit dhe modernizmit.

Dy vetat e tjera (ti/ju; ai/ata ), edhe pse të krijojnë përshtypjen si veta shërbimi, në fakt janë veta përshkrimi. Arsyeja që të krijojnë përshtypjen e vetës së shërbimit është se ato e përshkruajnë shërbimin e vetës së parë.

Pra, siç shihet, përtej kuptimit thjesht gramatikor, veta e shërbimit apo veta prometeike,  është e tillë, që shpreh lidhjet e individit me bashkësinë. Ndërsa veta e përshkrimit, edhe kjo përtej kuptimit thjesht gramatikor, shpreh lidhjen e rrëfyesit me ngjarjen dhe, në kuptimin që ky rrëfyes rrëfen për bashkësinë, mund të thuhet se kjo vetë, më gjerë, pikërisht me ndërmjetësinë e rrëfyesit,  shpreh lidhjen e bashkësisë me individin.

Fjala lidhje, në të dy rastet, nuk është thjesht në kuptimin e ngushtë strukturor:  përkundrazi, ajo është në kuptimin e të qenit aktiv në shërbim të bashkësisë, aktivitet ky që domosdoshmërisht nënkupton përjetimin e raportin individ- bashkësi. Kemi të bëjmë pra me rastin e individit, kur veta e parë si vetë shërbimi, është vetë e përjetimit të dhimbjes, e sakrificës, e parashikimit të së ardhmes  ku përfshihet dhe vetë individi, dhe, në find të fundit, është vetë e heroizmit. Nga ana tjetër, veta e dytë dhe veta e tretë,  duke qenë veta që e përshkruajnë veprimin dhe shprehin në këtë mënyrë lidhjen e bashkësisë me individin, kuptimin e fjalës lidhje e reflektojnë si lidhje përfitimi.

Kjo përshtatje vetore sipas raportit individ-bashkësi dhe anasjelltas, bashkësi individ, do të jetë produktive në letërsi, pasi, në përputhje me të, nga veta e veprimit do të vijnë heronjtë letrarë, të motivuar në mënyrë shembullore, përtej artit letrar, nga heronjtë social-historikë. (Pikërisht këta heronj do të jenë shembëllime referuese  të së  shkuarës në planin diakronik dhe modele ideale në planin sinkronik e futurologjik). Më përfaqësuesi në këtë këndvështrim do të jetë Prometeu që solli në letërsi prometeiken. Ndërsa nga vetat e përshkrimit përfitimet do të jenë kulturore-stilistike.

Në një plan më të gjerë, produkte të kësaj përshtatjeje vetore do të jenë letërsia e angazhuar dhe letërsia si e tillë. Një ndër heronjtë e qytetit ishte edhe Eskili. Këtë ai e dëshmon qartë qoftë drejtpërdrejtë, duke marrë pjesë në luftëra kundër persëve për mbrojtjen e Athinës, e më gjerë, për mbrojtjen e demokracisë athinase, qoftë nëpërmjet vepres poetike dhe dramatike.

Është folur për tendenciozotetin e Eskilit, por ajo që duhet të vihet në dukje është se tendencioziteti i tij, më shumë se sa referenca politike ka referenca etiko-morale, pasi ai, figurat dhe konfliktet i zgjedh dhe i zgjidh gjthmonë duke patur për reference moralin tradicional qytetar.

Plutarku sjell një fakt interesant: Eskili jetoi në një periudhë epokale të Greqisë, tamam atëhere kur helenët do të thurnin kurorën e lavdisë në luftë me presët, për mbrojtjen e qyteteve greke. Në këtë kohë, jo vetëm si strategë por edhe si burra të shquar shteti, rivalizonin dy figura të njohura të Athinës: Aristidhi (540-467) dhe Themistokliu  (522-460). Sipas Plutarkut, të parit për vyrtytet që bartëte, i kishin vënë epitetin i drejti, sepse ai kishte qëndrim të shëndoshë mortal, dallohej për besnikëri ndaj së drejtës dhe s’ia lejonte vetes, qoftë edhe me shaka, të gënjente, të tallej a të mashtronte. Megjithatë dënohet me ostracizëm (dëbim). Sa për ostracizmin, shpjegon historiani antik, ky prekte të gjithë ata që për nga emri, nga familja apo gojëtaria, ngriheshin mbi nivelin mesatar. Ndërsa Themistokliu, po sipas Plutarkut, kujdesej të krijonte një rreth miqsh dhe kësisoj të siguronte mbështetje dhe një autoritet të ndjeshëm. Ai thoshte hapur: Mos paça unë atë fat që të ulem në një post, ku të mos u bëj miqve të mi shërbime më të mëdha se të tjerëve. Punonte pa pushim të pengonte suksesin  e Aristidhit në politikë. Për të athinasit thoshin: Njeri vërtet me mend, por që ka dorë. Opinioni i athinasve ishte hapur pro Aristidhit, por ajo që na intereson këtu është fakti se një rol të rëndësishë në formimin e këtij opinion kishte edhe Eskili me jambet e tij, natyrisht, ashtu siç mund ta kishte këtë rol një poet. Gjithmonë sipas Plutarkut, një ditë kur recitoheshin në teatër jambet e Eskilit për Ampfiriaun: Desh jo të dukej, port ë ish i drejtë,/Dhe nxirte çdo prodhim nga brazd’ e trurit/ Ku rriteshin mendime plot urti/, të gjithë kthyen kokën nga Aristidhi si njeriu që më tepër se kush, e kishte këtë virtyt.

Nga ky shembull është e qartë referenca etiko-morale e tendenciozitetit të Eskilit. Duket sikur sheshi (Agoraja), është zhvendosur në teatër. Përtej iluzionit, kjo zhvendosje do të jetë një fakt domethënës në kohën e sundimit të Perikliut. Atëhere në teatrin-agora tragjeditë e Eskilit do të kumbojnë më fuqishëm dhe kjo për shkak se kanë referencë vlerat etiko morale të qytetit, sipas të cilave individi ia nënshtron interest e veta bashkësisë qytetare, ndërsa kjo e fundit e lartëson në mënyrë të merituar figurën qytetare të individit që diti të tejkalojë vetveten. Ky është një standard i ri i heroizmit moral, që vetëm në kushtet e qytetit bëhet i tillë, pra një standard, një normë dhe vlerë virtuale.

Qyteti me institucionet e tij, me brumin mitologjiko-historik, do të gatuante dhe do të normativizonte  rregulla dhe qëndrime të reja etiko-morale, të cilat në letërsi, ndër të tjera, do të reflektonin me vetën prometeike, e cila s’është gjë tjetër, veçse veta e shërbimit përkushtues (deri në vetmohimin  e heroit) ndaj bashkësisë.

 Në esenë Eskili ky humbës i madh , Ismail Kadare , duke u nisur nga struktura e thjeshtë e tragjedisë Prometeu i mbërthyer, e vetmja e mbetur nga trilogjia mbi Prometeun, e konsideron atë ndër tragjeditë e para (në mos të parën) që ka shkruar Eskili. Duke iu referuar kësaj konsiderate si dhe duke e parë në tërësi veprën e Eskilit, mund të themi se Prometeu i mbërthyer, si e vetmja tragjedi e tij me subjekt mitologjik, në fakt është motivimi mitologjiko-filozofok që i prin më së shumti heronjve të ardhshëm në tragjedinë eskiliane si: mbretit të Argut, Pelazgut, Eteoklit, Orestit, të cilët para së gjthash janë heronj të qytetit. Këtyre heronjve u paraprin Prometeu, që më së pari tejkalon vetveten, pastaj perënditë e tjera, për t’u dhënë dijen, dritën dhe zjarrin njerëzve. /Exlibris