Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit po zhvillohet dhe deri më tani ka futur në kurth disa qytetarë. Njoftimin e bën kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale ku shkruan që të kenë kujdes nga “loja mashtruese” që imiton numrin e telefonit për të dërguar mesazhe të rreme.
Me anë të kësaj loje, siç shprehet dhe kryeministri, janë dëmtuar disa persona të cilëve autorët u kanë marrë para. Disa prej tyre janë vendosur përpara drejtësisë. Teksa punohet për identifikimin e të tjerëve, kreu i qeverisë u bën thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm.
“Një lojë mashtruese me kompjutera që imitojnë numrin e telefonit ka dëmtuar disa persona deri më sot. Policia e Shtetit ka ndaluar dhe çuar para drejtësisë disa prej këtyre mashtruesve, të cilët kanë arritur të marrin para prej të dëmtuarve. Por ndërkohë që policia vazhdon punën e saj për identifikimin e të tjerëve, u sugjeroj të gjithë atyre që marrin mesazhe në emrin e personave publikë, të verifikojnë paraprakisht vërtetësinë e dërguesit, që të shmangin kurthin e kësaj loje kriminale.”- shkruan Rama.