Një skaut i Bayern Munich ka shkaktuar zhurmë në Gjermani pasi gabimisht ka publikuar në WhatsApp një mesazh që zbulonte planet e merkatos së klubit dhe listën e lojtarëve që po skautohen.
Pas fitimit të titullit në Bundesligën 2024/25, klubi bavarez ka qenë mjaft aktiv në merkato për të përmirësuar skuadrën nën drejtimin e Vincent Kompany.
Deri më tani, kanë ardhur emra si Jonathan Tah dhe Tom Bischof, ndërkohë që Florian Wirtz zgjodhi të transferohet te Liverpool, kampionët e Premier League.
Ndërkaq janë janë larguar Mathys Tel, Eric Dier dhe Leroy Sane, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të transferuar Luis Diaz nga Liverpool.
Por në qendër të vëmendjes këtë herë nuk janë futbollistët, por një gabim i rëndë i një skauti të klubit, i cili publikoi një mesazh privat në statusin e WhatsApp-it të tij – i dukshëm për të gjithë kontaktet për 24 orë.
Sipas tz Munich dhe gazetës Merkur, mesazhi i publikuar të enjten e kaluar kishte këtë përmbajtje:
“Ju lutem, jepini përparësi këtyre lojtarëve të lindur në vitin 2011 sipas rajonit tuaj për sezonin e ardhshëm. Na nevojiten përshtypjet fillestare deri më 15.09. Faleminderit!”
Në listën e zbuluar përmendeshin emra të tillë si: Lukas Dillschneider (Saarbrucken), Kemi Seudi (VfB Stuttgart), Sam Haritz dhe Lino Nikisch (Schalke), Nikita Drozd, Edgar Idada, Dennis Yakavenka (Nürnberg) dhe Denton Snoh (Mainz).
Kjo ngjarje ka ngritur shqetësime të mëdha për sigurinë e të dhënave brenda klubit dhe pritet të ketë reagim të brendshëm nga drejtuesit e Bayernit.
Ndërkohë, sa i përket përpjekjeve për të sjellë Luis Diaz, gazetari i Sky Germany, Florian Plettenberg, raportoi:
“Bayern vazhdon të shtyjë për transferimin e Luis Díaz. Bisedimet me Liverpoolin dhe përfaqësuesit e lojtarit janë ende në vazhdim. Marrëveshja është e mundur, dhe kontrata e ofruar zgjat të paktën deri në vitin 2029.”
Bayern do të rikthehet në fushë më 2 gusht në një miqësore ndaj Lyon. /GazetaExpress/