Qeveria, Ministri i Ekonomisë dhe kandidati i ashtuquajtur i “pavarur” i koalicionit VMRO-VLEN për Strugën, kanë bërë keqpërdorimin dhe mashtrimin më të madh për të cilin duhet të përgjigjen para ligjit dhe organeve të drejtësisë.
Duke keqpërdorur taksat e qytetarëve dhe buxhetin e shtetit, ministri i ekonomisë, Besar Durmishi, ka marrë me vete kandidatin e tyre, Mendi Qyra në promovimin e masave të Qeverisë për punësimin e të rinjve. Fillimisht kjo paraqet një keqpërdorim të rëndë të shtetit dhe parasë publike për ti vënë ato në shërbim të fushatës së parakohshme për kandidatin e pushtetit VMRO-VLEN për Strugën. Pyesim publikisht ministrin Durmishi dhe Qeverinë se cili ishte roli i Qyrës në këtë promovim që duhet të jetë aktivitet pastër i Ministrisë, nëse jo promovimi i tij duke keqpërdorur shtetin dhe buxhetin shtetëror, kur dihet tanimë se personi ka shpallur kandidaturën për zgjedhjet lokale pikërisht në qytetin ku u mbajt promovimi. Vetë Mendi Qyra ka keqpërdorur Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore prej ku kërkojmë që të distancohen nga ky veprim dhe të shkarkojnë menjëherë atë nga pozicioni që mban për momentin, pasi OEMVP është e të gjithë afaristëve, të gjithë qytetarëve dhe duhet të jetë e paanshme politikisht.
Në gjithë këtë keqpërdorim bëhet edhe një mashtrim i madh qytetarëve të Strugës. Durmishi me Qyrën shkojnë në këtë qytet dhe flasin për shumën e përgjithshme që do të ndahet në gjithë shtetin duke manipuluar sikur ajo shumë do të ndahet vetëm në Strugë. Të gjithë e dijmë se nga përvoja e deritanishme, Qeveria VMRO-VLEN në çdo investim, punësim apo formë tjetër, shqiptarët i ka trajtuar me vetëm 5-10% dhe dihet që edhe nga kjo masë po aq do të marrin shqiptarët nga të gjitha komunat e vendit. Andaj llogariteni sa do të ndajnë për shqiptarët në Strugë!?
Ftojmë Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit që të procesojë këtë keqpërdorim skandaloz Prokurorinë Publike që të fillojë hetime sipas detyrës zyrtare, ndërsa zëvendëskryeministri për “qeverisje të mirë” të kryejë detyrën ose të jep dorëheqje pas keqpërdorimit të bashkëpartiakëve të tij.
tag_katrorimaqedoni_2