Një skandal me përmasa korruptive dhe keqpërdorimeve të fondeve publike ka dalë në pah në Serbi, ku në qendër të akuzave janë projekte të mëdha infrastrukturore dhe përfshirja e figurave të njohura politike dhe biznesore.
Aty përmendet një ministër i presidentit Vuçiq dhe bashkëpunëtori i kryeterroristit Mailan Radoiciq, Zvonko Veselinoviq, shkruan Radar
Sipas dokumenteve dhe mesazheve të publikuara nga lideri i opozitës Miroslav Aleksiq, biznesmeni kontrovers me prejardhje nga Kosova, Zvonko Veselinoviq, dhe ministri i Financave Sinisha Mali dyshohet se kanë komunikuar për sigurimin e fondeve dhe kontratave për kompaninë nga Azerbajxhani “Azvirt”.
Në mesazhet e pretenduara, Veselinoviq i shkruan Malit për përparim në marrëveshje, ndërsa ky i fundit i përgjigjet se “paratë janë siguruar” dhe se projekti duhet të vazhdojë. Ndërkohë, ndërmjetësi Aleksandar Papiq dyshohet se ka konfirmuar transferimin e parave, duke dërguar edhe fotografi të shumave të mëdha në euro.
Aleksiq ka dorëzuar këto materiale në Prokurorinë për Krim të Organizuar që para më shumë se dy vitesh, së bashku me një letër që thuhet se i është dërguar presidentit Aleksandar Vuciq. Në këtë letër përshkruhet një skemë e dyshuar ku çmimi i ndërtimit të segmentit rrugor Ruma–Shabac–Loznica është rritur nga 50 në 75 milionë euro, ndërsa diferenca prej 25 milionë eurosh dyshohet se është ndarë mes partisë në pushtet, Veselinoviqit, Papiqit dhe nënkontraktorëve.
Në të njëjtin kontekst përmendet edhe ish-ministri Nebojsha Stefanoviq, për të cilin pretendohet se ka pasur rol në rrjedhën e fondeve.
Pavarësisht këtyre akuzave, hetimet janë ende në fazë paraprake. Prokuroria ka kërkuar informacione shtesë nga policia, por deri tani është dorëzuar vetëm dokumentacion i pjesshëm për projektin rrugor. Ndërkohë, është ndryshuar edhe prokurori i çështjes.
Në anën tjetër, presidenti Aleksandar Vuciq ka mohuar se ka pranuar ndonjë letër dhe ka kërkuar që institucionet të verifikojnë të gjitha pretendimet.
Pavarësisht polemikave, kompania “Azvirt” ka vazhduar të marrë kontrata të reja. Së fundmi, ajo është angazhuar për ndërtimin e një rruge të re në Vojvodinë, projekt që kap vlerën e rreth 240 milionë eurove dhe është dhënë pa tender.