Vladislav Heraskevic, përfaqësuesi i Ukrainës në skeleton (27 vjeç), është diskualifikuar nga Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026” pasi refuzoi ta heqë një helmetë me foto të sportistëve ukrainas të vrarë në luftën me Rusinë.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) e ka ndaluar përdorimin e kësaj helmete për shkak se përmban mesazhe që konsiderohen si shprehje politike, gjë që i shkel rregullat e rrepta të Olimpikut që ndalon çdo deklaratë politike gjatë garave, përcjell “Gazeta Express”.
Heraskevicit iu ofrua një alternativë — ta mbante një shirit të zi në dorë si shenjë nderimi — por ai refuzoi ta hiqte helmetën që dëshironte ta përdorte për t’i nderuar shokët dhe kolegët e vrarë.
Për këtë mosbindje, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar vendosi që ai të mos lejohet të garojë më në Olimpiadë.
Trajneri dhe ekipi i tij kanë paralajmëruar se do të bëjnë ankesë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) kundër vendimit të KON-it. /Gazeta Express