Autoritetet kineze kanë arrestuar gjashtë persona dhe kanë nisur hetime disiplinore ndaj gati 30 të tjerëve, pasi mbi 230 fëmijë të një kopshti në provincën Gansu janë helmuar nga ushqimi që përmbante ngjyrë industriale me përmbajtje plumbi.
The Guardian raporton se ngjarja ka ndodhur në fillim të këtij muaji edhe është cilësuar si një nga incidentet më të rënda të sigurisë ushqimore në shkollat kineze.
Bëhet e ditur se sipas raportit hetimor të publikuar të dielën nga komiteti i partisë provinciale, drejtuesja e kopshtit në qytetin Tianshui kishte përdorur qëllimisht ngjyrues industrial për të bërë ushqimin më “tërheqës” në sy të fëmijëve, në përpjekje për të rritur regjistrimet.
Raportohet se kuzhinieri i kopshtit kishte blerë pigmentin online, ndonëse paketa kishte paralajmërimin “jo për konsum”. Një nga ngjyruesit kishte përmbajtje plumbi deri në 400 mijë herë mbi normën e lejuar. Fillimisht, bëhet e ditur se 235 fëmijë ishin shtruar në spital me simptoma si dhimbje stomaku dhe të vjella, ndërsa disa kishin dhëmbë të nxirë. Testet më pas kanë konfirmuar 247 raste me nivele të larta plumbi në gjak, përfshirë edhe stafin e shkollës.
Raportohet se drejtuesja e kopshtit dhe pesë punonjës të tjerë janë arrestuar për “shërbim të ushqimit të dëmshëm me vetëdije”, ndërsa hetimet kanë zbuluar gjithashtu përpjekje për të mbuluar skandalin, për të korruptuar zyrtarë dhe për të manipuluar rezultatet laboratorike.
Sipas autoriteteve të gjithë fëmijët janë trajtuar dhe të gjithë përveç njërit janë liruar nga spitali, me një rënie mesatare prej 40% të niveleve të plumbit në gjak.
Një hetim është hapur edhe ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe drejtuesve të spitalit lokal.