Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiq është vonuar në takimin me presidentin bullgar Rumen Radev, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Mal të Zi, kështu që delegacioni bullgar është larguar nga ndërtesa e Qeverisë.
Takimi ishte planifikuar për sot në orën 17:00 dhe presidenti bullgar ka arritur në kohë, por pas katër minutash pritje është larguar nga ndërtesa e Qeverisë në Podgoricë.
Qeveria malazeze deklaroi se Spajiq “kishte dëshirë të madhe të takohej me presidentin bullgar pavarësisht agjendës së ngjeshur, por se takimi i mëparshëm me kompaninë turistike gjermane zgjati tre minuta më shumë se sa ishte planifikuar”, transmeton Srna.
Radev dje në Cetinje është takuar me presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviq, e më pas në Podgoricë me kryetarin e Kuvendit Andrija Mandiq.
Presidenti i Bullgarisë, anëtare e Bashkimit Evropian, ka ardhur mbrëmë në Mal të Zi dhe sipas protokollit në aeroport është pritur me nderime shtetërore nga zëvendëskryeministri Aleksa Beçiq.
Presidenti bullgar sonte duhet të marrë pjesë në një darkë gala të organizuar për nder të tij nga Milatoviq.