S’ka vendim për heqjen e taksës, merret javën e ardhshme - Gazeta Express

S’ka vendim për heqjen e taksës, merret javën e ardhshme

Lajme

Arbër Jashari

29/02/2020 13:38

Albin Kurti, Shef i Qeverisë së Republikës, deri tash e  ka trajtuar heqjen e taksës vetëm me fjalë. S’ka marrë asnjë vendim as për ta hequr pjesërisht e as plotësisht.

Në Zyrën e Kryeministrit s’kanë folur kur do të merret vendimi. Albin Kurti ende s’e ka caktuar asnjë person si Zëdhënës të Qeverisë. Kësaj radhe as në Vetëvendosje s’kanë folur në emër të Qeverisë se kur do të ketë vendimmarrje për këtë temë, shkruan Gazeta Express.

Për të vendosur heqjen e çfarëdo takse, Kryeministrit i duhet të shkojë në Qeveri për vendimmarrje pasi ekziston një vendim i Qeverisë së kaluar ku Serbisë e Bosnjës i vendoset tarifa 100 për qind për secilin artikull që e fusin në Kosovë.

Ndërkohë, sot zëvendëskryeministri nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka thënë për KTV-në se dallimet ndërmjet partnerëve të koalicionit ende ekzistojnë, derisa ka bërë të ditur se dy liderët pritet të takohen ditët në vijim.

Hoti ka shtuar se është tejet e rëndësishme që të ruhet marrëdhëniet me miqtë ndërkombëtarë.

“Ajo që është esenciale është që ne të ruajmë partneritetet me miqtë tanë ndërkombëtarë, të realizojmë programin tonë qeverisës, të marrim përsipër agjendën shtetërore të dialogut sepse kemi legjitimitet qytetar për këtë çështje”, ka deklaruar Hoti.

Në paraqitjen publike të enjten mbrëma, Kurti ka prezantuar heqjen taksës në disa faza, fillimisht për lëndën e parë e pastaj edhe për produktet tjera. Aty, është prezantuar vendimmarrja si “Qëndrim”, pastaj si “Vendim” e më vonë është thënë se do të merret aprovimi i kabinetit qeveritar javën e ardhshme.

“…si qeveri e Kosovës gjatë javës së ardhshme do të marrim vendim që nga data 15 mars 2020 të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina…”, ka thënë Kurti, pas konferencës ku ishte me disa biznesmenë kosovarë.

Ndërkohë, në njoftimin e Qeverisë është thënë diçka tjetër, duke thënë se “Kryeministri ka prezantuar vendimin” dhe fjalën e plotë të Kryeministrit i cili ka thënë “e para si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim”.

Albin Kurti një ditë para se të skadonte afati i amerikanëve për të hequr taksën doli dhe tha se do ta heq pjesërisht dhe me kushte.

Menjëherë dolën kundër amerikanët në krye me të Deleguarin Special të Trampit për dialogun Kosovë-Sebi, Richard Grenell. Ky i fundit pak orë pas paraqitjes publike tha se s’pajtohet me veprimet e Kurtit që po bën “gabim serioz” me mosheqjen e taskës pa kushte.

Avdullah Hoti, Zëvendëskryeministër i Parë, shkoi edhe më tej duke thënë se LDK nuk do  ta votojë fare vendimin e Qeverisë nëse nuk hiqet taksa plotësisht.

 “Asnjë masë e jona e një anëshme nuk mund të mbroj apo avansoj pozitën tonë nëse ajo nuk mbështetet nga SHBA dhe BE.Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të heqë tarifën famoze dhe kështu të ulet barabarsisht dhe me miqtë e saj në tryezën e Dialogut. Çdo alternativë tjetër rrezikon seriozisht të ardhmen e vendit”, është shprehur zëvendëskryeministri Hoti.

Kabinetin qeveritar e përbëjnë 18 anëtarë, duke filluar nga Kryeministri, dy zëvendëskryeministra dhe 15 ministra.

Ende nuk dihet nëse Kurti dhe Mustafa janë dakorduar pas takimit që patën mbrëmë për propozimin e shefit të ekzekutivit lidhur heqjen hap pas hapi të tarifës 100 për qind.

Deri më tani Kryeministri Kurti nuk e ka përkrahjen e LDK-së dhe të ministrave të saj në kabinetin e tij për këtë çështje.

Vazhdon të mbetet në fuqi vendimi për taksën 100 për qind që ishte marrë pas miratimit në mbledhjen e Qeverisë në fund të muajit nëntor të vitit 2018 kur kryeministër ishte  Ramush Haradinaj./GazetaExpress/