Ditën e premtë, dhjetëra qytetarë malajzianë kanë protestuar pranë ambasadës së SHBA në Kuala Lumpur, duke kërkuar refuzimin e emërimit të Nick Adams, si ambasador i ri amerikan në Malajzi.
Adams është emëruar një javë më parë nga Donald Trump, por ai është i njohur për qëndrimet e tij të ashpra dhe mbështetjen e fortë për Izraelin – një profil që ka shkaktuar shqetësime të thella në një vend me shumicë myslimane dhe një shoqëri shumëkulturore si Malajzia.
Sipas AFP-së, protestuesit kanë brohoritur me thirrjet “Refuzoni Nick Adams” dhe “Shkatërroni Amerikën”, duke mbajtur pankarta me fytyrën e Adams të kryqëzuar me të kuqe dhe mesazhe të tjera si: “S’ka vend për racistë dhe islamofobë në Malajzi”.
Bëhet e ditur se protesta është organizuar nga krahu rinor i koalicionit në pushtet të kryeministrit Anëar Ibrahim. Raportohet se protestuesit kanë dorëzuar edhe një memorandum në ambasadë, duke kërkuar nga qeveria amerikane të tërheqë kandidaturën e Adams dhe të emërojë një person “më profesionist, më i moderuar dhe më i ndërgjegjshëm për rëndësinë e stabilitetit rajonal të Azisë Juglindore”.