S’ka pagë të 13-të për minatorët dhe punonjësit e KEK-ut: Luksin e morën qeveritarët - Gazeta Express
string(82) "ska-page-te-13-te-per-minatoret-dhe-punonjesit-e-kek-ut-luksin-e-moren-qeveritaret"

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 7:07

S’ka pagë të 13-të për minatorët dhe punonjësit e KEK-ut: Luksin e morën qeveritarët

Lajme

Gazeta Express

03/04/2026 7:07

Kryetari i Sindikatës së “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi, derisa e ka quajtur të padrejtë mosndarjen e pagës së 13-të për punonjësit e kësaj ndërmarrje dhe shërbyesve të tjerë civilë, ka thënë se luksin dhe privilegjet në këtë rast i morën qeveritarët.

Të enjten në “Interaktiv” të KTV-së, Jonuzi këtë ndarje e ka cilësuar si goditje të madhe për minatorët.

“Nuk është se kemi pritur sepse edhe premtimi ka qenë publik i kryeministrit Albin Kurti. Për keqardhje në momentin e fundit, privilegjin dhe luksin e madh e kanë marrë qeveritarët, deputetët dhe parlamentarët, duke i anashkaluar profesionet e tjera si policët, mjekët apo shërbyesit civilë që jemi të lumtur që ata e kanë marrë pagën, por zhgënjimi më i madh ka qenë për ne të ndërmarrjeve publike që i japim shumë vendit. Kjo ka qenë një goditje shumë e madhe te minatorët, të cilët vazhdimisht kanë pyetur cilat kanë qenë arsyet pse nuk janë ndarë. Kemi pritur që të mos të ndahemi as ne, pasi që Qeveria është aksionari kryesor në ndërmarrjen ‘Trepça’”, ka thënë ai.

Ai më tej e ka akuzuar qeverinë edhe për mungesë të investimeve në këtë ndërmarrje, duke thënë se as pagat nuk janë rritur tash e 10 vjet.

“Qeveria nuk ka të drejtë të thotë se ka investuar në minierat e ‘Trepçës’, këtë ua dëshmoj me fakte dhe argumente, mirëpo i gjithë realizimi i pagave rrjedh për shkak të punës dhe djersës së minatorëve. Prej vitit 2016 nuk kemi pasur rritje page, pavarësisht inflacionit”, ka shtuar Jonuzi.

Edhe kryetari i Sindikatës së re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, e ka quajtur diskriminuese ndarjen shërbyesve civilë.

Ai madje ka paralajmëruar protestë e edhe grevë në rast se nuk realizohen kërkesat e tyre, përfshirë ekzekutimin e pagës së 13-të.

“Konsideroj se këta ose janë shumë të padijshëm ose shumë diskriminues sepse standardi i dyfishtë për punëtorët e KEK-ut dhe punëtorët tjerë të ndërmarrjeve publike. Tani ne nëse për një beneficion jemi sektor publik, e për një tjetër nuk jemi, është joreale nga Qeveria e Kosovës. Tek e fundit kemi menaxhmentin, kemi bordin që do të vendosë në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike sepse jemi kompani fitimprurëse dhe vetëfinancuese për pagat tona, por ky standardi i dyfishtë na ka penguar shumë dhe në rast se vazhdojnë kështu që të mos na dëgjojnë për kërkesat tona, për përfitimin e pagës së 13-të edhe për ndërmarrjet publike, atëherë ne duhet të organizohemi me një protestë madhështore, por pse jo edhe grevë në rast se nuk realizohen këto kërkesa… Do t’i ftoja edhe z.Januzi dhe të gjitha sindikatat e ndërmarrjeve publike dhe private të bëjmë një protestë madhështore para Qeverisë me qëllim që kjo pagë të mos jetë diskriminuese por të jetë e barabartë”, ka thënë ai.

Llumnica ka njoftuar se për këtë cështje i janë drejtuar edhe Avokatit të Popullit, pasi ministri i Financave, Hekuran Murati nuk u është përgigjur.

Ndarja e pagës së 13-të për të punësuarit në sektorin publik ka ngjallur reagime të shumta.

Ekzekutivi është kritikuar se ka lënë jashtë sektorin privat, e po ashtu edhe për padrejtësi brenda vetë publikut.

Advertisement
Advertisement
Advertisement