Emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në vizitën e tij dje në Kosovë zhvilloi takime me kryeministrin Albin Kurti dhe kryediplomatin e ri, Glauk Konjufca, i cili do të jetë në krye të palës kosovare në dialog.
Sorensen s’njoftoi për takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, siç ndodhte zakonisht në vizitat e tij në Kosovë.
Në një postim në X, Sorensen shkroi për vizitën e tij në Kosovë ku tha se ka takuar Kurtin e Konjufcën.
Ai tha se temë në këto takime ishte “zbatimi i zotimeve” – një detyrë me të cilën është i ngarkuar Sorensen në ndërmjetësimin e këtij procesi për ta vënë në implementim Marrëveshjene Ohrit.
“Vizitova Kosovën për diskutime të mira me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e sapoemëruar të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca. U fokusuam në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, zbatimin e zotimeve dhe sigurimin e stabilitetit dhe progresit në rrugën europiane”, ka shkruar ai./Express/