S’ka marrëveshje VV-LDK, nesër ndërhyn QUINT’i


Gazeta Express
27 Janar 2020 19:54

Lëvizja Vetëvendosje zyrtarisht njofton se as pas takimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës me LDK’në nuk kanë arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë.

Nuk ka marrëveshje për koalicion qeverisës mes LVV’së dhe LDK’së, as pas takimit që zgjati më shumë se dy orë.

“Sot pasdite, në Kuvendin e Kosovës u mbajt edhe një takim ndërmjet LVV dhe LDK. Nuk u arrit marrëveshja”, thuhet në njoftimin e LVV’së, transmeton Gazeta Express.

Një takim i radhës do të ndodhë nesër, në të cilin do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e QUINT’it (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë) dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Palët u pajtuan që nesër të zhvillohet një takim tjetër bashkë edhe me ambasadorët e Quint-it në Prishtinë si dhe me Shefen e Misionit të BE-së”, thuhet në njoftim.

LVV kujton se kanë mbetur edhe tetë ditë deri më 4 shkurt, kur skadon afati për formimin e Qeverisë.

“Kanë mbetur edhe tetë ditë deri në skadimin e afatit kushtetues për koalicionin qeverisës”.

Në takimin e sotëm mes LVV’së, që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit dhe LDK’së, që doli e dyta, morën pjesë përveç liderëve edhe eksponentët e lartë të tyre.

Derisa LVV’ja këmbëngul se nuk do ta heqë Glauk Konjufcën nga pozita e kryeparlamentarit në të cilën është zgjedhur më 26 dhjetor, LDK’ja thotë se i takon asaj ky post dhe se nuk bën marrëveshje pa u liruar karrigia e Kreut të Kuvendit. /Express/

Te fundit


Kthehu lart