Pavarësisht ndërhyrjes dhe të SHBA-ve, mbledhja e Këshillit Politika ka përfunduar pa një marrëveshje mes palëve.
Në dalje të takimit që zgjati prej mëse 4 orësh, përfaqësuesit e opozitës kanë deklaruar se maxhoranca nuk ka pranuar propozimet e tyre për identifikimin biometrik e qeverinë tranzitore.
Demokrati Oerd Bylykbashi tha se opozita është e gatshme që të vijojë të diskutojë në vijim për të arritur konsensus, por duke inkorporuar në reformën zgjedhore propozimet e saj, që japin garanci për të drejtën e votës.
Por ndryshe ka folur përfaqësuesi i PS-së, i cili tha se në momentet e fundit e teksa palët ishin pranë marrëveshjes, opozita ka çeduar dhe ka nxjerrë të tjera propozime.
Për të disatën herë gjatë përfundimit të mbledhjeve të këshillit politik, Gjiknuri ka ‘kërcënuar’ duke thënë se maxhoranca pret opozitën për të votuar reformën zgjedhore, porse reforma s’mund të bllokohet pafundësisht.
Bylykbashi: Opozita nuk heq dorë nga garancitë për votën e qytetarëve shqiptarëve dhe për një proces që krijon besim për të gjithë aktorët politik. Jemi të gatshëm të gjemë konsensus dhe presim nga PS që të jetë gati për konsensus. Të gjithë përpjekjet e qeverisë, e PS që të mbajë privilegjet të mos heqë dorë nga kontrolli i KQZ, vula në Gjykatën, tregojnë rëndësinë e propozimi ynë ka. Ne kemi diskutuar, falenderoj kontributin e partnerëve ndërkombëtarë në përpjekje për të gjetur kompromis, PS nuk hoqi dorë nga privilegjet mbi procesin zgjedhor. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë zgjidhje me kompromis. Le t’i japim kohë PS pse nuk mund të jetë Kolegji Zgjedhor për të përmbyllur tabelën e rezultateve, se pse KQZ nuk mund të jetë ai institucion i turpshëm, jemi para një model të ri, por nuk mund të jetë ai pronë e PS. Komisionet e PS nuk mund të jenë si të pavarur, dhe kjo lidhet bashkë edhe me garantimin 100% biometrik. Kur të kemi kompromis mbi këto çështje, ne mund të punojmë për Reformën. Biometrika është e lidhur me administratën, por këto janë të lidhur edhe që nuk mund të jenë nën kontrollin e KQZ apo të gjykatave. Këto shtylla të rëndësishme janë të lidhura.
Vasili: Kjo nuk është çështje pazaresh politike, këtu bëhet fjalë për votën. Kjo të thotë që rritet garancia, jo jo rënie të garancisë. PS mund të ketë vështirësi sepse duhet të dalë nga gjumi parizion kryeministri, që nuk është i shqetësuar për zgjedhjet se ka qëllim zgjedhjet që i vjedh vetë ose konsensusin që e shkatërroN. Propozimet i japin fund manipulimit me votën e shqiptarëve. Ky është një qëndrim parimor që s’ka arsye se përse të negociohet dhe kështu ne plotësojmë një kusht të BE-së, nga 5 kushte që 2016, ka 3 kushte që lidhen me zgjedhjet ku shkaktari kryesor është Edi Rama.
Në dalje nga mbledhja, përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri, ka deklaruar se palët kishin rënë dakord, por në momentin e fundit opozita ka nxjerrë kërkesa të reja.
Gjiknuri: Dua të informoj publikun që gjatë gjithë kësaj kohe edhe komisioni i reformës zgjedhore por edhe këshilli politik ka trajtuar me seriozitet të gjitha rekomandimet e ODIHR e mbi të gjitha është munduar të adresojë një pjesë të mirë të kërkesave të opozitës. Sot kemi një kuadër gati të përfunduar të këtyre rekomandimeve si dhe të opozitës, por nuk mundet që pasi biem dakord dhe pasi reflektojmë edhe një pjesë të kërkesave që quheshin parakusht, të fillohet dhe të çedohet duke hequr dorë dhe duke dalë me kërkesa të reja. Unë nesër do të filloj të informoj kuvendin. Dyert dhe dritaret e komunikimit janë të hapura për të mbyllur edhe ato pak gjëra që kanë mbetur.
Ne kemi adresuar kërkesat më serioze apo ato që quheshin parakushte të opozitës. Mua nuk më pëlqen diplomacia me mikrofon, por edhe ato që para dy ditësh i quanin kushte të domosdoshëm, ne do t’i marrim parasysh. Miqtë ndërkombëtarë kanë inkurajuar dialogun dhe do të mbrojnë ato standarde të arritura për drejtësinë dhe integritetin.
Jemi të hapur për çdo lloj takimi. Ne do të vijojmë punën pasi Shqipëria ka nevojë për një kod zgjedhor. Megjithatë e kam thënë, parlamenti është legjitim, i ka votat dhe pritja s’mund të vazhdojë pa fund. Pjesa më e madhe e shqetësimeve të opozitës është reflektuar. Se opozita ka një problemmme vettingun, nuk do ta njohë… e ka njohur kushtetuta. Nga njëra anë vettingu pranohet, nga ana tjetër, tek zgjedhjet jo. Të gjithë kërkesat e tjera, rekomandimet e ODIHR, depolitizimin e adminstratës, me kërkesat e opozitës atje, që kërkon njeri politik për ta ndjekur procesin nga afër, kjo është pranuar. Angazhimi është i plotë, shumë shpejt do të bëj publike, të gjitha pikat që ne kemi reflektuar kërkesat e tyre.
-Identifikimi biometrik, keni lëshuar pe apo jo?
Gjiknuri:Pyeteni zotin bylykbashi, nëse është realizuar 100% identifikimi biometrik, janë dakord, kanë më pretendime?
Në dalje të takimit, përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hadjari u shpreh se palët politike kanë dështuar sot dhe se marrëveshja nuk është arritur për shkak të interesave të ngushta të partive.
Hajdari: Falenderoj ambasadën amerikane që u ngujua këtu për t’i dhënë zgjidhje reformës, por edhe kësaj here partitë politike dështuan. Pse mendoni ju se vjen ambasada amerikane, për të negociuar? Vetëm se duan interesin e shqiptarëve dhe këta sot (partitë politike) ia mbyllën derën shqiptarëve. Këta e vunë një datë, por në momentin e fundit u tërhoqën. Koha do t’i tregojë të gjitha.
Në fund fare bëmë një bisedë të përbashkët dhe ata ranë dakord që të mos bien dakord. I thanë SHBA-ve gjithë ditën që do të bien dakord. Edhe dje ambasada e SHBA dhe BE ishin këtu. Se ku e kanë hallin kjo dihet, hallin ata e kanë jo tek qytetarët shqiptarë. Këta nuk duan t’ja dinë për shqiptarët. Ne do të vazhdojmë, duhet ndryshimi i sistemit zgjedhor. Këta nuk duan t’ja dinë nëse ne nuk hapim listat e ndryshojmë sistemin, këtu do të jemi.
Tani, loja është e hapur akoma dhe nuk kemi ndryshim sistemi, por kemi një investim tjetër që ne do të vazhdojmë e do të rifutemi në lojë. Sot pamë që ata nuk kanë as marrëveshje mes tyre, sepse nuk duan ndërhyrjen e mbështetjen e ambasadës amerikane.