Afati për zgjedhjen e presidentit po afrohet drejt fundit, por Kosova mbetet pa marrëveshje politike. Presidentes Vjosa Osmani i kanë mbetur vetëm pak ditë në detyrë, duke e bërë situatën më urgjente. Takimet mes liderëve për arritjen e konsensusit ende nuk janë konfirmuar, ndërsa thirrjet për bashkëpunim vazhdojnë. Në këtë situatë, mbetet e paqartë nëse do të arrihet një marrëveshje në kohë apo vendi do të përballet me ngërç institucional.
Takimet e liderëve partiakë për gjetjen e një konsensusi që do të çonte në zgjedhjen e kreut të ri të vendit nuk janë konfirmuar ende, megjithatë kryeministri Albin Kurti ka kërkuar bashkëpunim ndërpartiak, duke theksuar se vendi nuk ka luks për vonesa e bllokada.
Ai tha po ashtu se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja parlamentare.
“Afatet kushtetuese janë në rrjedhë, shteti nuk ka ndalur së vepruari dhe nuk ka asnjë arsye që ne ta ndalim atë. Përkundrazi, çdo përpjekje për ta ndërprerë këtë funksionim do të ishte jo vetëm politikisht e gabuar, por edhe një precedent që cenon vetë idenë e ndarjes dhe balancës së pushteteve,” tha Kurti.
E sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku, e pyetur për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për këtë çështje, tha se vështirë mund të besohet arritja e pajtueshmërisë me partinë në pushtet për ndonjë gjë.
“Nuk kemi parë sot vullnet politik nga Lëvizja Vetëvendosje për t’u pajtuar për një çështje e cila nuk do të duhej të kishte fare diskutim. Është e vështirë të besojmë që ka vullnet politik për t’u pajtuar për çështje të tjera,” tha Çitaku.
Për AAK-në, Lëvizja Vetëvendosje po e zvarrit qëllimshëm procesin.
“Duket se në VV e kanë një plan në kohë. Për ata është me rëndësi që kryetarja e Kuvendit të jetë edhe ushtruese e detyrës së presidentit. Pra, nuk po nguten para datës pesë; ne varemi nga iniciativa e tyre. Është e pamundur që opozita të marrë një iniciativë si kjo,” tha Haradinaj.
Pas përfundimit të seancës së sotme, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, nuk dha datë se kur pritet që kryeministri Kurti t’i ftojë kryetarët e partive opozitare për ta diskutuar çështjen e zgjedhjes së presidentit dhe po ashtu tha se nuk do të tërhiqen emrat e dy kandidatëve të propozuar nga ta për president të vendit, pasi nuk ka propozim konkret nga partitë e tjera.
Derisa afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po kalon, presidentes Vjosa Osmani i kanë mbetur vetëm tre ditë mandat në krye të shtetit.