Alejandro Garnacho u largua nga Manchester United drejt Chelsea gjatë afatit kalimtar të verës.
Thuhet se tre lojtarë të Manchester United folën me Garnacho-n lidhur me sjelljen e tij, përpara se argjentinasi të transferohej te Chelsea.
Gjatë merkatos së verës, Garnacho i dha fund aventurës së tij me United duke u larguar nga Old Trafford për në Stamford Bridge.
Pretendohet se 21-vjeçari argjentinas kaloi te Chelsea në një marrëveshje me vlerë 40 milionë £.
Pas transferimit, Garnacho tha:
“E kam pëlqyer shumë Chelsean kur isha i vogël. Kam mentalitet fitues. Kam pasion dhe një personalitet të fortë. Është një përshtatje natyrale me një klub si Chelsea, që sapo ka fituar Kupën e Botës për Klube.”
Që prej kalimit te Blutë, Garnacho ka luajtur një herë në Premier League dhe një herë në Ligën e Kampionëve, por ende nuk ka shënuar ose asistuar për ekipin e tij të ri.
Tani, një raport i ri ka hedhur dritë mbi arsyet e largimit të tij nga United, pasi ai ra nga planet e trajnerit Ruben Amorim.
Sipas The Sun, Amorim nuk ishte i vetmi që u përpoq ta bënte Garnacho-n të ndryshonte kurs në karrierën e tij te United.
Thuhet se lojtarë të rëndësishëm si kapiteni i klubit Bruno Fernandes, mesfushori Casemiro dhe mbrojtësi Harry Maguire e këshilluan Garnacho-n “të fillojë të mendojë për ekipin dhe jo vetëm për veten.”
Megjithatë, raporti thekson se Garnacho “nuk i dëgjoi” këshillat e këtij tresheje dhe në fund, Amorim ndjeu se ai “po sillte një energji negative në dhomën e zhveshjes.”
Edhe pse Amorim “ishte i lumtur” me idenë për të punuar me Garnacho-n, ai u lodh nga “humori i keq dhe shpërthimet e nervozizmit” të argjentinasit të ri.
Në fund, trajneri portugez mendoi se ndarja me të ishte vendimi i duhur dhe thuhet se nuk ka asnjë pendesë që e la të largohej.
SPORTbible ka kontaktuar përfaqësuesit e Alejandro Garnacho-s për një koment.
Garnacho shpreson të përfshihet të shtunën mbrëma, kur Chelsea të udhëtojë në Old Trafford për t’u përballur me United në Premier League.
I pyetur për rikthimin e Garnacho-s në Old Trafford, Amorim tha:
“Garnacho nuk është lojtari ynë, unë jam i fokusuar te lojtarët tanë. Jam shumë i lumtur për rikthimin e Mason (Mount) dhe (Matheus) Cunha. Për të tjerët, pyesni trajnerin e Chelseat.” /GazetaExpress/
FTESE PËR PJESEMARRJE Ne procedurën e tenderit/gares për dhënien/perzgjedhjen e shërbimit të qirasë për automjete të pablinduara, pa shoferë,...