Situata në veri pas përforcimit të bllokadave, Express raporton nga vendi i ngjarjes - Gazeta Express
string(83) "situata-ne-veri-pas-perforcimit-te-bllokadave-express-raporton-nga-vendi-i-ngjarjes"

Situata në veri pas përforcimit të bllokadave, Express raporton nga vendi i ngjarjes

Lajme

Gazeta Express

23/09/2021 13:37

Rrugët që dërgojnë për në Jarinjë e Bërnjak po vazhdojnë të jenë të bllokuara. Prania e automjeteve është shtuar edhe më shumë sot, derisa qytetarët serbë kanë ngritur edhe tenda të tjera. Sipas Policisë, bllokadat janë përforcuar edhe me zhavorr.

Ekipi i Gazetës Express dhe Televizionit 7 po qëndrojnë në Jarinjë, prej ku raportojnë se situata është e qetë.

Lexo Edhe:

Raportojnë se çdo 100 metra ka grupe qytetarësh, derisa rruga vazhdon të mbetet e bllokuar nga kamionët, sipër të cilëve janë vendosur flamuj të Serbisë.

Në fotografitë e dërguara nga ekipet në terren, shihet se policët e Njësisë Speciale po e vëzhgojnë situatën.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se qytetarët lokalë në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak – të cilët kanë bllokuar rrugën pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të masës së reciprocitetit në targa – kanë përforcuar bllokadat me zhavorr.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, përveç këtyre përforcimeve, situata vazhdon të jetë e njëjtë, pa incidente.

“Situata është pothuajse e njëjtë. Ka pengesa në të dyja anët. Është tash edhe një pjesë me zhavorr që është vendosur si pengesë. Situata është e qetë në përgjithësi”, ka thënë Kelani.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë, t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka thënë se ka vendosur masën e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet./Gazeta Express