Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 28 vatra zjarri në disa bashki të vendit, ku më problematiket mbeten ato në Elbasan dhe Finiq. Në Elbasan, flakët në vendgrumbullimin e mbetjeve vazhdojnë të jenë të pakontrolluara, pavarësisht ndërhyrjes me dhjetëra mjete zjarrfikëse, forca të ushtrisë dhe mjete të rënda.
Në Finiq, zjarri në fshatin Grazhdan është përhapur në zonën me pisha në Malçan, ku ndërhyrja vështirësohet nga terreni i thepisur. Në operacione janë angazhuar mbi 250 forca, 32 automjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë.
Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron rrezik të lartë zjarresh në 7 qarqe, ndërsa temperaturat pritet të shkojnë deri në 40°C. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe raportim të menjëhershëm të çdo zjarri.