Agjencia e Inteligjencës Amerikane (CIA) ka publikuar 54 dokumente të deklasifikuara që lidhen me vrasjen e senatorit Robert F. Kennedy, duke i shtuar edhe rreth 1,450 faqe materialesh historike që për herë të parë janë bërë të disponueshme për publikun.
Sipas CIA-s, ky veprim vjen në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv të presidentit Donald Trump, i cili ka për synim rritjen e transparencës.
Në faqen e CIA-s, thuhet se këto dokumente plotësojnë mijëra faqe të tjera që CIA kishte dorëzuar më parë në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) dhe në Arkivat Kombëtare (NARA), të cilat lidhen me ish-Presidentin John F. Kennedy.
Nga dokumentet e publikuara rezulton se senatori Kennedy kishte ndarë me CIA-n eksperiencat e tij gjatë udhëtimeve në Bashkimin Sovjetik, duke treguar angazhimin e tij patriotik në shërbim të vendit.
Lidhur me këtë publikim, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, ka theksuar përkushtimin e agjencisë për transparencë maksimale.
“Publikimi i sotëm përmbush angazhimin e presidentit Trump për transparencë maksimale, duke i mundësuar CIA-s të hedhë dritë mbi informacionin që i shërben interesit public. Jam krenar të ndaj punën tonë mbi këtë temë jashtëzakonisht të rëndësishme me popullin amerikan,” ka thënë Drejtori i CIA-s, John Ratcliff.
Është bërë e ditur se publikimi është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes CIA-s, Departamentit të Drejtësisë, FBI-së, NARA-s, dhe është koordinuar nga Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, nën drejtimin e presidentit Trump.