“Partitë socialiste dhe socialdemokrate duhet të bashkojnë njerëz të ndryshëm në mbarë globin për një qëllim të përbashkët: të shpëtojnë planetin nga rishfaqja e valës fashiste”.
Ky ishte rreshti përmbyllës i kryeministrit Albin Kurti në Kongresin e Internacionales Socialiste që u mbajt në nëntor të vitit 2022 në Madrid ku kryetar i ri u zgjodh kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, raporton Gazeta Express.
Përkundër thirrjes së Kurtit që socialistët e Europës të kenë qëndrime të përbashkëta, deputetë nga partia simotër e Vetëvendosjes, Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle e Sanchezit, s’do të kenë vota pro për Kosovën në synimin e saj për t’u anëtarësuar në Këshill të Europës.
Sipas agjencisë së lajmeve “Europa Press”, pesë parlamentarët socialistë do të votojnë kundër Kosovës të martën në debatin e Asamblesë Parlamentare në të cilin duhet të vendosë nëse do t’ia referojë vendimin për anëtarësimin e Kosovës Komitetit të Ministrave, organi më i lartë i organizatës, përpara takimit të tij në mes të majit në Rejkjavík.
“Do të votojmë kundër sepse vazhdojmë të mbajmë të njëjtat kritere” sa i përket Kosovës, i kanë thënë agjencisë spanjolle burime të PSOE, të cilët konsiderojnë se tani nuk është koha për hyrjen e Kosovës në këtë organizatë.
Gjithashtu, “Europa Press” raporton se do të jenë edhe tre deputetë të tjerë spanjollë nga Partia Popullore që do të kenë qëndrim kundër Kosovës.
Spanja është kundërshtuesja më e ashpër e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Europian. Megjithat, ajo në vazhdimësi ka thënë se e mbështet dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE.
Sidoqoftë, Albin Kurti dhe Vetëvendosje zakonisht janë të ftuar në mbledhjet e partisë socialiste. Në Madrid Kurti ishte parë edhe bashkë me Sanchezin duke biseduar në Internacionalen Socialiste.
Ai më pas edhe e kishte uruar për udhëheqjen e tij në krye të socialistëve.
“Urime Kryeministrit të rizgjedhur të Spanjës, Pedro Sanchez…u riafirmua se Europa jonë progresive mund të mbështetet te Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle e Sanchezit (PSOE) për të ndalur ngritjen e ekstremit të djathtë. Urimet më të mira për suksese të vazhdueshme”, kishte shkruar Kurti.
Përkundër qëndrimit negativ ndaj pavarësisë Spanja ka njohur pasaportën e Kosovës duke iu bashkuar vendeve anëtare të Zonës Schengen për heqjen e vizave për Kosovën. Këtë vendim shteti spanjoll e kishtë bërë të ditur disa ditë pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën. Kohë pas kohë në mediat spanjolle bëhet thirrje për njohjen e Kosovës nga opinionistë dhe gazetarë.