Sinjalistikë e dobët, turistët po humbasin rrugën në bypass-in e Fierit - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

12/07/2020 16:41

Sinjalistikë e dobët, turistët po humbasin rrugën në bypass-in e Fierit

Shqiperi

Gazeta Express

12/07/2020 16:41

Rrethrrotullime dhe degëzime të shumta që në mungesë të sinjalistikës janë kthyer në rrugë pa krye.

Pamjet e pirgjeve me gurë dhe nënkalimeve te  mbushur me ujë, përgjatë By Pass-it të Fierit, tregojnë për punime ende të pambyllura ose të bëra nxitimthi me qëllim arritjen e afateve finale të premtuara.

Tabelat e mëdha orientuese përgjatë rrugës kryesore nuk janë shoqëruar me sinjalistikë në segmentet lidhëse dhe kryqëzimet që lidhin zonat përreth.

Autostrada në këto kushte jo vetëm nuk është funksionale, por edhe burim aksidentesh

“Në këtë rrugë nuk ka asnjë tabelë, nuk ka asgjë. U futa kundra vajtje se s’dija nga të dilja”, tregon një drejtues automjeti.

Vizitorët humbin rrugën, ndërsa vendasit ngatërrohen nëpër kalimet e reja që lidhin fshatrat me autostradën.“Është hera e parë që kaloj”, shprehet një qytetar.

By Pass-i i Fierit u inaugurua 3 javë më parë pasi kaloi nëpër një sage 7 vjeçare me nisje dhe ndalesa punimesh.

Për përfundimin e rrugës u kërkua rifinancim duke dyfishuar vlerën e parashikuar në fillim, ç’ka e çoi shumën e investimit në 76 milionë euro.

Segmenti prej 22 km shkurton kohën e udhëtimit nga Mbrostari në Levan me 15 minuta duke shmangur trafikun përgjatë rrugës së vjetër Fier – Levan.

Autostrada ka një frekuentim të lartë edhe nga banorët e zonave përreth për udhëtime midis fshatrave dhe këtyre të fundit me Fierin.