Presidenti amerikan Donald Trump përmendi forcën dhe dhembshurinë e popullit të Kosovës dhe e quajti “mike të sinqertë” presidenten Vjosa Osmani në një letër ku shprehet mirënjohje dhe kujtohet lidhja e thellë mes vendeve. Ajo erdhi pak ditë pas lajmit të mirë se Administrata Trump ia vazhdoi vendit programin e MCC-së dhe pasi në një vizitë në Prishtinë erdhi Zëvendësndihmës Sekretari amerikan të Mbrojtjes për Politikat Europiane dhe ato të NATO-s, David Baker. Përfaqësuesja e SHBA-së në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, Anu Prattipati ka thënë në një intervistë për Gazetën Express se Kosova “duhet t’i sigurojë kushtet” që partneriteti “të lulëzojë”.
Gazeta Express
Që në javët e para, diplomacia e presidentit amerikan, Donald Trump i ka trembur shumë vende të botës që tani sikur po përpiqen të përshtaten.
Duke e parë këtë, në Prishtinë mund të konsiderohet vërtetë e rëndësishme një letër që shefi i Shtëpisë së Bardhë ia dërgoi në fillim të kësaj jave presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Trump e quan Osmanin “mike të vërtetë” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë e nënvizon në letër me markerin e tij permanent “sharpie”.
“E nderuar Zonja Presidente: Dua ta shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ndihmën tuaj të jashtëzakonshme në pranimin e qytetarëve nga vende jashtë vendit tuaj, një veprim që demonstron përkushtimin e fortë të Kosovës për bashkëpunimim me Shtetet e Bashkuara. Lidershipi juaj në këtë çështje është një dëshmi e forcës dhe dhembshurisë së popullit të Kosovës”, shkruan ai në fillim të letrës. I referohet gatishmërisë së treguar nga Kosova në qershor për të ofruar mbrojtje të përkohshme për njerëz nga shtete të tjera, në kuadër të bashkëpunimit me SHBA-në.
Presidenti amerikan shkruan më tej se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respektin e ndërsjellë, vlera të përbashkëta demokratike dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe prosperuese”
“Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur, dhe jam i bindur se së bashku do të vazhdojmë të avancojmë qëllimet tona të përbashkëta”, shton ai.
Trump e falënderon Osmanin, duke theksuar me dorën e tij se e konsideron atë “mike të vërtetë”.
“Ju falënderoj sërish për lidershipin tuaj të guximshëm dhe për faktin që qëndroni si një mike e vërtetë e Shteteve të Bashkuara. Mezi pres të punojmë së bashku me ju në vitet që vijnë”.
Në fund të letrës, Trump ia përcolli Osmanit edhe “urimet më të mira” nga Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump.
SHBA-ja ia vazhdoi Kosovës programin e MCC-së
Një lajm i mirë i erdhi vendit pak ditë para kësaj letre.
Presidentja Vjosa Osmani njoftoi më 30 korrik se Administrata Trump kishte miratuar vazhdimin e programit kompakt të Korporatës ë Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) të Qeverisë amerikane për Kosovën – programin qindramilionësh, që përqendrohet në ofrimin e zgjidhjeve për energji të pastër.
Për këtë, Osmani tha se u informua zyrtarisht nga Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau.
“Lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën! Mirënjohje e thellë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ajo në Facebook.
Presidenca tha se Osmani i kishte dërguar letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio për t’i kërkuar që ky program të vazhdohet.
Bashkëpunimi në mbrojtje – zyrtari i lartë amerikan në Kosovë
Zëvendësndihmës Sekretari amerikan të Mbrojtjes për Politikat Europiane dhe ato të NATO-s, David Baker më 2 gusht erdhi në Prishtinë, ku u takua me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, e ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Vendasit i shprehën zyrtarit amerikan gatishmëri për forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Osmani tha në një konferencë për media se “Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet”, duke përmendur edhe objektivin për anëtarësimin e vendit në NATO.
Kryeministria tha se marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ishin ndër temat kryesore të diskutimit.
“Kryeministri Kurti e njoftoi zëvendësndihmëssekretarin Baker me zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje përgjatë këtij mandati dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve”, u tha në një komunikatë.
Maqedonci, ndërkaq, tha senë takimin me Bakerin u theksua përparimi që është bërë lidhur me “iniciativat e bashkëprodhimit me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, një sektor që njihet për potencialin e tij të konsiderueshëm për rritje”.
“Konfirmuam partneritetin mes dy vendeve tona ndërsa theksova angazhimin tonë për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Me Shtetet e Bashkuara si partnerin tonë të besueshëm, Kosova gëzon një siguri të shtuar dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë global”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Më vonë, ai shtroi një darkë pune për zyrtarin amerikan, në të cilën mori pjesë edhe Albin Kurti, por edhe drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.
Prattipati kërkon krijimin e institucioneve: Administrata Trump kërkon aleatë të fortë
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati tha në një intervistë për Gazetën Express të publikuar të martën kërkoi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re, duke paralajmëruar se vendi po humb mundësi si pasojë e ngërçit politik.
Ajo tha se një vend pa institucione kyçe dhe me “një rrugë të pasigurt drejt krijimit të tyre” është një partner tek i cili SHBA-ja nuk mund të mbështetet “gjithmonë plotësisht”.
Që partneriteti me SHBA-në “të lulëzojë”, ajo tha se “Kosova duhet t’i sigurojë kushtet”, ndërsa tregoi edhe se çfarë mund të pritet nga Administrata Trump.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për një marrëdhënie të fortë dhe produktive me Kosovën dhe duan të bashkëpunojnë për çështje që e avancojnë stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin rajonal. Kosova duhet t’i sigurojë kushtet në vend që ky partneritet të lulëzojë. Veprimet që ndikojnë negativisht te qytetarët e Kosovës jo vetëm që i rrezikojnë marrëdhëniet bilaterale të Kosovës, por gjithashtu shkojnë drejtpërdrejt kundër prioriteteve kryesore të Shteteve të Bashkuara në rajon, veçanërisht forcimit të bashkëpunimit ekonomik. Stabiliteti dhe siguria rajonale janë kyçe për prosperitetin ekonomik. Gjatë vizitës më 12-14 korrik në Kosovë, Zyrtari i lartë i Byrosë Brendan Hanrahan e përforcoi këtë mesazh dhe e inkurajoi qeverinë ta krijojë një ambient të përshtatshëm për investime të mëtejshme amerikane”.
Prattipati tha se Washingtoni prioritizon “sigurinë, stabilitetit dhe marrëdhënieve të drejta ekonomike”.
E pyetur reth qasjes që do ta ketë Administrata Trump në Kosovë në muajt në vijim, diplomatja amerikane tha se mundësitë për bashkëpunim me SHBA-në janë “pothuajse të palimituara”, nëse qeveria e Kosovës nuk ndërmerr veprime që i minojnë prioritetet amerikane.
“Administrata Trump ka qenë e qartë: Qeveria e SHBA-së prioritizon sigurinë, stabilitetin dhe marrëdhëniet e drejta ekonomike. Nëse qeveria e Kosovës i ndan këto prioritete dhe angazhohet për të nxitur stabilitet dhe paqe, mundësitë për bashkëpunim janë pothuajse të palimituara. Ka potencial të madh në marrëdhënien SHBA-Kosovë, veçanërisht për rritjen e bashkëpunimit ekonomik. Kjo është e mirë për Shtetet e Bashkuara si dhe për Kosovën. Ne shohim mundësi në një gamë të gjerë sektorësh, përfshirë energjinë, mbrojtjen, infrastrukturën, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, dhe sigurinë kibernetike. Në anën tjetër, nëse Shtetet e Bashkuara shohin se qeveria e Kosovës ndërmerr veprime që i minojnë këto prioritete, do të ketë kufizime në aftësinë tonë për ta ndjekur një bashkëpunim të tillë”, tha ajo.