Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se vendimi i fundit për rritjen nga 55 euro të pagave për shërbyesit publikë që punojnë në organizata buxhetore është i padrejtë , sepse i përjashton punëtorët e sektorit privat që punojnë për institucione shtetërore përmes kompanive private.
Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se në të njëjtin vend pune disa punëtorë me vendimin e fundit do të marrin 55 euro më shumë, ndërsa të tjerët që janë të kontraktuar nga kompani private, ndonëse bëjnë të njëjtën punë, nuk do të marrin 55 euro më shumë.
Azemi shtoi se sindikata i ka paralajmëruar më herët institucionet për këtë çështje dhe se nëse deri në shtator nuk aprovohet kërkesa për rritje prej 110 eurosh edhe për këta punëtorë, do të ndërmerren hapa, përfshirë ndalimin e punës në institucionet që financohen nga buxheti shtetëror.
“Realisht çdo rritje, për cilëndo kategori që bëhet është një rritje e mirë, por megjithatë ne si Sindikatë e sektorit privat të Kosovës e kundërshtojmë vendimin e tyre, pasi që ka shumë kompani private që kryejnë shërbime për institucione shtetërore dhe ne konsiderojmë se këta punëtorë në një të kaluar të afërt kanë qenë punëtorë direkt në menaxhim të institucioneve shtetërore. Andaj, në të njëjtin vend ta zëmë derisa në një shkollë një pjesë e punëtorëve janë nën menaxhim të komunës ose të shtetit dhe një pjesë e punëtorëve janë nën menaxhim të një kompanie private, të cilët punojnë të njëjtën punë, në të njëjtin vend, ata stimulohen me nga 50 euro dhe këta të mos stimulohen është një e padrejtë, për të cilën po themi nuk ka qenë e arsyeshme. Dhe pse mos ta themi: ne e kemi ditur se do të bëhet kjo dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe komunale i kemi njoftuar se deri në shtator e presim këtë rritje, në të kundërtën, aty ku financohemi nga buxheti i Kosovës dhe nga buxheti i komunave ne do ta ndalim punën, nëse nuk arrihet pajtueshmëria që edhe për këta punëtorë të ketë një rritje prej 110 euro”, tha Azemi .
I pyetur nëse kanë marrë ndonjë përgjigje deri më sot lidhur me kërkesën e tyre, ai tha se kjo nuk ka ndodhur dhe se sipas tij drejtuesit e institucioneve kryesore nuk janë duke u marrë fare me pakënaqësitë në fjalë, por po i neglizhojnë ato.
“Nuk kemi pasur asnjë përgjigje. Realisht edhe përgjigjet e tyre po dihen që nuk janë duke u marrë fare. Janë probleme të vogla për institucionet shtetërore, kur e kemi parasysh që vetëm sot i kemi rreth 500 punëtorë në grevë për shkak të pagave, për shkak të mungesës së kontratave, për shkak të dallavereve njerëzore e individuale dhe dua të them që kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha, por që, megjithatë, afati i fundit është 1 shtatori dhe ne normalisht që nëse nuk realizohet kërkesa jonë, ndonëse ne nuk kemi kërkuar takim me ta, por që i kemi njoftuar që nëse deri më 1 shtator nuk i kemi pagat së paku 600 euro, atëherë ne do të ndërpresim punën, sepse këtë po na e mundëson edhe oferta e madhe e punëve që po kemi edhe me institucionet e tjera” , tha Azemi.
Kryetari i Sindikatës së sektorit privat, Azemi, u shpreh se edhe vendimet si ky për 55 euro kanë baza populiste dhe se këtë e bazon edhe në kohën në të cilën këto vendime po merren, zakonisht para zgjedhjeve.
“Si fillim, mendoj që gjithë këto që po bëhen janë duke u bërë për populizëm, sepse çdo herë çdo rritje shkon dhe bëhet para zgjedhjeve apo para një rrotullimi zgjedhor, por me sa kam informacione ju dëgjuat dje se edhe te punëtorët e ATK-së edhe aty kishte një ndarje jashtëzakonisht shumë të madhe, përderisa dikujt i ishte paguar kjo rritje dhe dikujt jo dhe shpeshherë po them që këta po e nxjerrin një vendim vetëm sa për ta nxjerrë një vendim dhe nuk po i qëndrojnë mbrapa vendimeve, të cilat janë duke i nxjerrë”, tha për Ekonomia Online, Azemi.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur më 28 korrik se nga ky muaj e tutje shërbyesit publikë që punojnë në organizata buxhetore do të marrin pagën me rritje prej 55 euro shtesë.
“Rritja e këtij muaji e kompleton rritjen e paraparë sivjet prej 110 eurove për secilin punonjës, e cila zbatohet në dy faza nga 55 euro – faza e parë nga janari 2025 dhe faza e dytë nga korriku 2025”, tha ai.
Prishtinë, 30 korrik 2025 – Axians, marka e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e VINCI Energies, po zgjeron praninë...