Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka reaguar pasi po bëhen tre muaj që të njëjtit nuk kanë marrë paga.
Ata kanë thënë se institucionet po i injorojnë plotësisht, derisa gjendja e punëtorëve dhe vetë transmetuesit publik është rënduar në skaj.
“Sindikata nuk do ta ndalë grevën. Kërkojmë mbështetje të plotë nga të gjithë kolegët në veprimet tona të drejta dhe ligjore. Brenda kësaj jave do të dalim me një qëndrim për bojkot të plotë të punës, sepse jemi të shtyrë nga mosveprimi i Qeverisë së Kosovës, të cilës i kemi kërkuar dhjetëra herë të gjejë një zgjidhje”, kanë thënë nga kjo Sindikatë.
Ata kanë pyetur se si mundet të gjenden para për zgjedhje, e jo për bukën e gojës së 700 familjeve, të cilën e ka quajtur të papranueshme.
“I bëjmë thirrje qeverisë të zgjidhë urgjent problemin e alokimit të buxhetit dhe të mos na detyrojë të marrim masa që nuk i dëshiron askush. Njoftojmë edhe të gjithë akterët në vend se, pas konstituimit të legjislaturës së re, ligji për financimin e pavarur të RTK-së dhe çështja e pronës duhet të miratohen pa vonesë. RTK ka nevojë për një zgjidhje të përhershme që garanton funksionim të qëndrueshëm për të vetmin medium publik në vend. Në vend se të rritet buxheti dhe të përmirësohet zhvillimi i transmetuesit publik, qytetarët duhet ta dinë se jo vetëm që nuk kemi marrë rritjen 0.7% nga buxheti nacional, por na janë hequr edhe 2.2 milionë euro nga buxheti – që edhe ashtu është më i vogli në rajon për televizionet publike.
Nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, kanë thënë se greva do të vazhdoj.
“Në fund të kësaj jave do të marrim vendim për bojkot total të ngjarjeve me karakter politik dhe mosmbulim të fushatës elektorale. Përmes kësaj letre kërkojmë zyrtarisht nga menaxhmenti që të ndërpresë mbulimin e ngjarjeve politike dhe të fushatës. Nëse nuk merret një vendim në kohë, ne do të dalim shumë shpejt me qëndrimin tonë”, kanë thënë nga RTK.