Një shenjë e lehtë në sy mund të tregojë më shumë sesa mendoni. NHS u bën thirrje qytetarëve të njihen me shenjat dhe simptomat e kancerit të syrit, pasi disa prej tyre shpesh neglizhohen duke u konsideruar si probleme të zakonshme.
Sipas NHS-së, çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar diagnostikohen rreth 850 raste të kancerit të syrit (kancer okular). Ekzistojnë katër lloje kryesore që prekin syrin:
Melanoma e syrit
Karcinoma me qeliza skuamoze
Limfoma
Retinoblastoma – kancer që prek kryesisht fëmijët
Ekspertët paralajmërojnë se kanceri mund të zhvillohet edhe në indet përreth syrit ose të përhapet në sy nga pjesë të tjera të trupit, si mushkëritë apo gjiri. Prandaj, njohja e simptomave është thelbësore.
Cilat janë simptomat e kancerit të syrit?
Kanceri i syrit jo gjithmonë shkakton shenja të dukshme dhe ndonjëherë zbulohet rastësisht gjatë një kontrolli rutinë të syve. Një shembull tipik është irritimi i vazhdueshëm i syrit, i cili shpesh justifikohet si pluhur apo papastërti.
Simptomat e mundshme përfshijnë:
hije, drita të shpejta ose vija që lëvizin në fushën e shikimit
shikim të turbullt
një njollë e errët në sy që po rritet
humbje të pjesshme ose të plotë të shikimit
dalje përpara e njërit sy
gungë në qepallë ose brenda syrit që rritet me kohën
irritim i syrit që nuk largohet
dhimbje në ose rreth syrit (e rrallë)
NHS thekson se këto simptoma mund të shkaktohen edhe nga probleme më të lehta, por është e rëndësishme që ato të kontrollohen nga mjeku sa më shpejt të jetë e mundur.
Çfarë është melanoma e syrit?
Melanoma është një lloj kanceri që zhvillohet nga qelizat që prodhojnë pigment, të quajtura melanocite. Edhe pse zakonisht shfaqet në lëkurë, ajo mund të zhvillohet edhe në sy.
Melanoma e syrit prek më shpesh kokërdhokun e syrit dhe mund të quhet melanoma uveale ose koroidale, në varësi të zonës së prekur. Ajo mund të shfaqet gjithashtu në konjuktivë (shtresa e hollë që mbulon pjesën e përparme të syrit) ose në qepallë.
Shkaqet dhe faktorët e rrezikut
Melanoma e syrit zhvillohet kur qelizat prodhuese të pigmentit fillojnë të rriten dhe ndahen shumë shpejt, duke formuar një tumor. Shkaku i saktë nuk dihet, por disa faktorë rrisin rrezikun:
ngjyra e çelët e syve (blu, gri ose jeshile)
lëkurë e bardhë ose shumë e çelët
nishane të pazakonta ose me formë/ngjyrë jo të rregullt
përdorimi i solariumit (rrezatim UV artificial)
ekspozimi i tepërt ndaj rrezeve të diellit
Sipas NHS-së, rreziku rritet me moshën, dhe shumica e rasteve diagnostikohen te personat mbi 50 vjeç.
Si diagnostikohet kanceri i syrit?
Nëse mjeku i familjes ose optiku dyshon për një problem serioz, pacienti referohet te një mjek specialist i syrit (oftalmolog). Në rast dyshimi për melanomë, pacienti dërgohet në një qendër të specializuar për kancerin e syrit.
Në Mbretërinë e Bashkuar ekzistojnë katër qendra të tilla: Londër, Sheffield, Liverpool dhe Glasgow.
Ekzaminimet mund të përfshijnë:
kontroll të detajuar të syrit
ekografi të syrit për të përcaktuar madhësinë dhe pozicionin e tumorit
angiografi me fluoresceinë, ku përdoret një bojë speciale për të nxjerrë në pah tumorin
Në disa raste kryhet edhe biopsi, për të analizuar qelizat dhe për të vlerësuar rrezikun e përhapjes ose rikthimit të kancerit.
Trajtimi i melanomës së syrit
Trajtimi varet nga madhësia, vendndodhja e tumorit dhe shikimi i pacientit. Opsionet kryesore përfshijnë:
brakiterapi – pllaka radioaktive vendosen pranë tumorit për disa ditë
radioterapi e jashtme – rrezatim i drejtuar për të shkatërruar qelizat kancerogjene
kirurgji për heqjen e tumorit ose një pjese të syrit
heqja e plotë e syrit (enukleacion), në rastet e rënda
imunoterapi, nëse kanceri është përhapur ose ka tipare të caktuara
Sipas NHS-së, kimioterapia përdoret rrallë për melanomën e syrit, por mund të jetë e përshtatshme për lloje të tjera të kancerit okular.
Si të përgatiteni për vizitën te mjeku i familjes?
Sipas udhëzimeve të Cancer Research UK, para vizitës te mjeku është e këshillueshme që:
të shënoni simptomat dhe kohën kur kanë filluar
të tregoni çfarë i përkeqëson ose i përmirëson ato
të kërkoni mjek mashkull apo femër, nëse keni preferencë
të shprehni hapur shqetësimin tuaj për kancer
të përmendni historinë familjare të kancerit
të merrni me vete një person për mbështetje
të kërkoni shpjegime për çdo gjë që nuk kuptoni
të kërkoni që informacioni i rëndësishëm të shkruhet, sidomos nëse vizita është telefonike ose online! /GazetaExpress/