Kjo ishte finalja e dytë e Ligës së Kampionëve për Interin brenda tre viteve. Në vitin 2023 u mundën ngushtë 1-0 nga Manchester City në Stamboll, por përvoja në Mynih ishte krejt tjetër.
Paris Saint-Germain dominoi takimin nga fillimi në fund, duke fituar bindshëm me rezultatin 5-0 falë një goli të hershëm nga Achraf Hakimi, një dopiete nga 19-vjeçari Desiré Doué dhe golat e Khvicha Kvaratskhelias dhe 18-vjeçarit Senny Mayulu.
“Nuk dukej si Interi im, ne jemi të parët që e pranojmë këtë, por asgjë nuk më heq krenarinë për rrugëtimin e këtyre djemve. U përballëm me një skuadër që e meritoi të fitonte ndeshjen, të fitonte Ligën e Kampionëve dhe që ndoshta është më e mirë se ne,” u shpreh Inzaghi për Sky Sport Italia.
“E nisëm keq ndeshjen, pësuam shpejt dhe më pas u shtrirë shumë në fushë, gjë që e bëri më të lehtë për PSG-në. Kjo humbje e rëndë na lë një hidhërim të madh, por nuk e zhbën atë që bëmë për të arritur deri këtu.”
Ky rezultat i jep fund një sezoni të hidhur për Interin, i cili para pak muajsh ishte në garë për tripletë, por e përfundon sezonin pa asnjë trofe: humbi titullin e Serie A me vetëm një pikë ndaj Napolit, u eliminua në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë dhe u mposht nga Milani në finalen e Superkupës.
“Sigurisht që duhej të bënim më mirë, por nuk harroj çfarë dhanë këta djem këtë sezon. Është e vërtetë që përfundojnë pa asnjë titull, por kanë bërë shumë. U thashë në dhomën e zhveshjes se duhet ta mbajnë kokën lart. Ka zhgënjim sot, por ky grup meriton komplimente.”
Kjo humbje pritet të rrisë edhe më shumë dyshimet për të ardhmen e Inzaghit, sidomos mes raportimeve për një ofertë prej 30 milionë eurosh në sezon nga Al-Hilal në Arabinë Saudite.
A është kjo ndeshja e fundit e tij te Interi?
“Do të shohim në ditët në vijim dhe do të ulemi me klubin. Pas humbjes së dytë në finalen e Champions në tre vite, zhgënjimi është shumë i madh për të marrë vendime tani. Do të vijë momenti për të folur me qetësi me klubin.
Presidenti dhe drejtuesit ishin gjithmonë të pranishëm dhe edhe sot ishin pranë nesh në dhomën e zhveshjes.”
Luis Enrique vendosi të ushtronte presion të vazhdueshëm mbi portierin Yann Sommer, duke mos i lejuar interistët të nisin aksionet nga mbrojtja. Fabio Capello e pyeti pse nuk ndryshuan taktikë për të luajtur me topa të gjatë.
“E provuam edhe këtë, por ata ishin më të fortë edhe në topin e dytë. Pasi pësuam golin e parë, u hapëm shumë. Duhej të luanim më mirë teknikisht, të pastronim aksionet, por nuk e bëmë atë që kishim planifikuar,” tha Inzaghi.
Davide Frattesi, që kishte qenë vendimtar me gola vonë në Champions këtë sezon, nuk u aktivizua fare në finale.
“Davide e meritonte të luante në finale, por kur vendosa të futja Zalewskin në vend të Dimarcos, pasi nuk po krijonim nga e majta, më pas u detyrova të zëvendësoja Calhanoglun dhe Bisseckun për shkak dëmtimesh. Kur ishim 3-0 poshtë, zgjodha të bëja ndryshime të tjera,” përfundoi Inzaghi.