Anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, e ka pranuar se është ftuar dhe do të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës në cilësinë e të pandehurit për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues dhe akuza të tjera që lidhen me protestat e dhjetorit 2022.
Para dëgjimit, Simiq deklaroi se po shkon “me kokën lart” sepse është i bindur në pafajësinë e tij dhe të kolegëve të tij politikë. Ai theksoi se si përfaqësues të Listës Serbe kanë qenë gjithmonë pranë qytetarëve serbë në Kosovë, duke thirrur për paqe dhe përmbajtje.
“Ne nuk besojmë se ky proces është i drejtë apo i bazuar në prova reale, por po marrim pjesë sepse e dimë që nuk kemi bërë asgjë të paligjshme. Përfaqësuesit serbë nuk e kanë luksin e refuzimit të thirrjeve të Prokurorisë, sepse përballen me kërcënime për arrestim dhe paraburgim, siç ka ndodhur më parë me dhjetëra serbë,” tha Simiq.
Ai kritikoi gjithashtu komunitetin ndërkombëtar për, siç tha, mungesë të përkushtimit në respektimin e të drejtave të serbëve në Kosovë. “Prej vitit 1999 flitet për një Kosovë multietnike, por në praktikë kjo nuk zbatohet. Në vitin 2013 na u premtua Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, por deri më sot ai nuk është krijuar,” përfundoi Simiq.