Simeone: Filluam ta mposhtim Liverpoolin në rrugë, qysh para se të niste loja - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

19/02/2020 8:59

Simeone: Filluam ta mposhtim Liverpoolin në rrugë, qysh para se të niste loja

Sport

Gazeta Express

19/02/2020 8:59

Trajneri Diego Simeone mbeti i mahnitur nga mënyra se si tifozët e Atletico Madridit e pritën ardhjen e Liverpoolit në Wanda Metropolitano të martën dhe beson se pikërisht kjo atmosferë ishte kyçe në fitoren e ndeshjes së parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Tifozët vërshuan rrugët rreth stadiumit, ndezën fishekzjarrë dhe kënduan me zë të lartë, përderisa autobusi i kampionit evropian dhe botëror arriti për ndeshjen e parë të 1/8 të finales të Championsit, transmeton Gazeta Express.

Atletico Madridi e kishte fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit të zhvilluara në të gjitha garat, mirëpo skuadra e Simeones triumfoi përkundër që s’konsiderohej favorite. Golin e fitores e shënoi Saul Niguez dhe madrilenët do ta marrin epërsinë 1:0 për ndeshjen kthyese në Anfield.

Në këtë ndeshje, Liverpooli e kishte posedimin e topit për shumicën e kohës, përderisa Simeone vazhdimisht tentonte t’i nxiste tifozët në stadium të brohorasin që t’i motivojnë lojtar e Atleticos.

Pas ndeshjes, Simeone tha se tifozët luajtën një rol të madh në rezultatin e ndeshjes, duke filluar qysh nga pritja që ishte organizuar në rrugë, jashtë stadiumit.

“Ne filluam të fitojmë në rrugët përreth stadiumit. Në tetë vjetët e mia këtu, s’kam parë pritje të atillë”, ka thënë Simeone, në një intervistë të dhënë për Movistar.

“Atmosfera ishte emocionuese, kjo të shtynë të luash. Skuadra u përgjigj me punë të madhe e të mirë, ashtu siç bënë edhe në ndeshjen kundër Valencias”.

“Nuk ishte nata më e mirë sepse s’morëm titull, por ka disa net që s’mund t’i harrosh kurrë dhe kjo është njëra ndër to. Skuadra më e mirë në botë vjen të të vizitojë me një ecuri të madhe të fitoreve dhe ti i mposht ata”. /Gazeta Express/