Kur presidenti amerikan, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, të ulen në Alaskë më 15 gusht për të diskutuar mbi përfundimin e luftës në Ukrainë, ata do të takohen në një vend që njëkohësisht përfaqëson bashkëpunim, rivalitet dhe ka simbolikë të thellë.
Duke njoftuar vendndodhjen e samitit, Trump tha se bisedimet me Putinin do të përqendrohen në zgjidhjen e konfliktit 45-mujor – më i madhi në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore – përmes një kompromisi mes Ukrainës dhe Rusisë mbi territorin.
“Do të marrim disa [territor] mbrapsht dhe disa do t’i shkëmbejmë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 8 gusht.
“Do të ketë shkëmbime territoresh në të mirë të të dyja palëve”, shtoi ai.
Gjysmë rruge mes Moskës dhe Uashingtonit
Për Bill Courtney, ish-diplomat amerikan që ka marrë pjesë në bisedimet e armatimit gjatë Luftës së Ftohtë, gjeografia është arsyeja kryesore për zgjedhjen e Alaskës.
Shteti ndodhet pothuajse në distancë të barabartë mes Uashingtonit dhe Moskës – një lehtësi logjistike që shpesh është kërkuar, por rrallë është realizuar në samitet SHBA-Bashkimi Sovjetik, tha ai.
“Alaska ofron një mundësi për të pasur diçka që duket si gjysmë rruge mes Moskës dhe Uashingtonit”, i tha Courtney Radios Evropa e Lirë. “Putini dhe Trumpi do të bëjnë udhëtime [për në Alaskë] që janë përafërsisht të barabarta”.
Sipas Matthew Schmidt, profesor i sigurisë kombëtare dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Nju Hejvën, vendndodhja e samitit për Putinin përçon një fitore të vogël, por domethënëse.
Mediat ruse, tha ai, e kanë përshëndetur zgjedhjen e një vendi që dikur ishte territor rus, deri kur iu shit Shteteve të Bashkuara më 1867 për 7.2 milionë dollarë.
Më lehtë për t’u siguruar
Siguria është një tjetër arsye e rëndësishme, sipas Troy Bouffard, profesor i sigurisë arktike në Universitetin e Alaskës në Fairbanks. Alaska renditet e 48-ta nga 50 shtetet amerikane për nga madhësia e popullsisë, me rreth 730 mijë banorë. Kjo do të thotë më pak sfida sigurie sesa shumica e vendeve në territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara.
Ankorixh, qyteti më i madh i shtetit me 250 mijë banorë dhe një vend i mundshëm për mbajtjen e samitit, ka logjistikë të nivelit të lartë, tha ai. Ai mbrohet gjithashtu nga Baza e Përbashkët Elmendorf-Richardson, në të cilën ndodhen mijëra pjesëtarë aktivë të forcave ajrore dhe ushtrisë amerikane.
“Nuk është aspak e vështirë të bllokohen rrugët, sheshet dhe ndërtesat në Ankorixh, tha Bouffard.
Putini është shumë i papëlqyer në Shtetet e Bashkuara: një sondazh i Pew Research, i publikuar në qershor, tregoi se 84 për qind e amerikanëve kanë pak ose aspak besim te udhëheqësi i Kremlinit që ai të marrë vendimin e duhur sa i përket çështjeve bërthamore.
Por, mbajtja e samitit në një vend të tretë është e ndërlikuar për shkak të aktakuzës së Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) ndaj Putinit për krime lufte. Vendet anëtare të GJNP-së – 125 gjithsej – janë të detyruara ta arrestojnë Putinin nëse ai shkel në territorin e tyre. Shtetet e Bashkuara nuk janë shtet nënshkrues i GJNP-së.
Qëndrimi i Putinit në Shtetet e Bashkuara “nuk do të jetë një pamje e mirë, por do të ishte vërtet, vërtet e keqe nëse do të përpiqeshin ta bënin këtë në [Uashington] D.C.”, tha Bouffard.
Dhjetëra milionë amerikanë jetojnë vetëm disa orë me makinë larg kryeqytetit amerikan, gjë që do t’u mundësonte kundërshtarëve të Putinit dhe luftës së tij në Ukrainë të organizonin lehtësisht protesta të mëdha në Uashington kundër një vizite të tillë.
Për të mbërritur në Alaska nga shtetet më të afërta kontinentale, qytetarët amerikanë duhet të kalojnë mijëra kilometra përmes Kanadasë. Fluturimet e brendshme drejt Alaskës janë ndër më të shtrenjtat në Shtetet e Bashkuara. Me vetëm një javë që nga njoftimi, gjetja e biletave të lira do të jetë e vështirë.
Bouffard tha se megjithatë ka zëra se protestuesit mund të mblidhen përgjatë rrugëve në Ankorixh me flamuj ukrainas ose postera me ngjyrat e flamurit ukrainas. Courtney tha se pret që Putini të jetë “i izoluar” për të shmangur çdo pamje proteste.
Nga bashkëpunimi te përplasja
Alaska ka pasur gjithmonë një vend të rëndësishëm në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo shërbeu si një hallkë kyç në programin “Lend-Lease”. Pilotët sovjetikë merrnin avionët e prodhuar në SHBA në Alaska dhe i operonin përtej Ngushticës së Beringut drejt Rusisë. Pothuajse 8.000 avionë ndoqën këtë rrugë nga qyteti portual Nome, në perëndim të Alaskës, deri në frontin rus.
Ky bashkëpunim u zëvendësua me përplasje më 1945. Gjatë Luftës së Ftohtë, Alaska u militarizua si një pikë mbrojtjeje kundër Moskës, me baza që strehonin avionë dhe stacione radari për të ruajtur rrugët ajrore dhe detare që kalojnë nëpër rajonet polare. Edhe sot, ajo mbetet shtëpia e flotës më të madhe amerikane të avionëve të avancuar luftarakë dhe një shtyllë e rrjetit të mbrojtjes nga raketat.
Tensionet e vjetra po rikthehen ndërsa rivaliteti mes fuqive të mëdha në rajonin e Arktikut të pasur me burime po rritet, i nxitur nga shkrirja e akullit dhe hapja e rrugëve të transportit. Në vitin 2021, një komandant i lartë në Alaska tha se numri i pengimeve të avionëve rusë pranë ose brenda Zonës së Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore të Alaskës kishte arritur në nivelin më të lartë që nga periudha pas-sovjetike.
Bombarduesit dhe avionët zbulues rusë vazhdojnë ta testojnë rregullisht kufirin, me incidentin më të fundit më 22 korrik – i pesti për këtë vit. Disa zyrtarë amerikanë po shtyjnë përpara idenë e rivendosjes të bazave ushtarake të kohës së Luftës së Ftohtë në zinxhirin e Ishujve Aleutianë të Alaskës, për t’iu kundërvënë pranisë gjithnjë e më të madhe ushtarake të Rusisë dhe Kinës.
Në përpjekjen e tij të mundshme për të fituar mbështetjen e Trumpit, Putini mund të përqendrohet tek Alaska si një vend që lidh Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara. Yuri Ushakov, këshilltar i lartë i Kremlinit për politikën e jashtme, e quajti Alaskën një “vend simbolik” që pasqyron kufirin e përbashkët arktik të dy vendeve.
“Rusia dhe Shtetet e Bashkuara janë fqinjë të afërt, me kufij të përbashkët”, tha Ushakov në një deklaratë.
Pavarësisht nëse samiti do të sjellë apo jo përparim real për paqen, për Alaskën kjo do të jetë një moment i rrallë në qendër të vëmendjes botërore. /REL/