Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova sot priti pjesëmarrësit e Konferencës Rajonale të ambasadorëve austriakë nga Evropa Juglindore, e cila po mbahet në vendin tonë dhe organizohet nga Ambasada e Republikës së Austrisë dhe ambasadori Martin Pammer.
Delegacioni austriak u kryesua nga ambasadorja Elisabeth Kornfeind, drejtoreshë e përgjithshme për çështje evropiane dhe ekonomike në Ministrinë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë.
Presidentja Siljanovska-Davkova theksoi se prania e delegacionit është dëshmi e një diplomacie të sinkronizuar dhe aktive, e cila është e rëndësishme për perspektivën evropiane të rajonit. Ajo nënvizoi se Austria nuk është vetëm një nga investitorët më të mëdhenj ekonomikë në vend, por edhe një mik i fortë politik dhe një mbështetëse e zëshme e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe e procesit eurointegrues të Maqedonisë.
Presidentja rikonfirmoi qëndrimin se procesi i integrimit në BE duhet të bazohet ekskluzivisht në kriteret e Kopenhagës dhe në meritë, duke theksuar se çështjet bilaterale nuk duhet të përdoren si instrument për bllokimin e këtij procesi.
Ambasadorët austriakë shprehën hapur mbështetjen për rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gjetja e zgjidhjeve për përshpejtimin e integrimeve janë në fokus të konferencës së tyre rajonale. Ata ndanë qëndrimin e presidentes se bashkëpunimi dhe qasja rajonale janë çelësi për integrimin evropian.
Gjithashtu u vlerësua se në kontekstin aktual gjeopolitik, zgjerimi i Bashkimit Evropian është një imperativ sigurie. Përfaqësuesit austriakë bënë thirrje për respektimin e sundimit të ligjit, marrëveshjeve ndërkombëtare dhe parimit të meritokracisë.
Bashkëbiseduesit shprehën gatishmëri për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve maqedono-austriake dhe për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
tag_katrorimaqedoni_2