“Nuk jam e tronditur, megjithëse jam thellësisht e zhgënjyer”, thotë presidentja Siljanovska për qëndrimin e deputetëve bullgarë të cilët dorëzuan amendamente për të fshirë identitetin dhe gjuhën maqedonase dhe siguruan shumicë për miratimin e tyre. Ajo vlerëson se Parlamenti Evropian po tregon se ka një mungesë të madhe demokracie.
“Natyra e amendamenteve tregoi se jo vetëm bota, por edhe Evropa dhe Bashkimi Evropian kanë probleme serioze me demokracinë”, tha Gordana Siljanovska Davkova – Presidente e RMV-së.
Ajo iu referua edhe vlerësimeve të qeverisë bullgare në lidhje me pakicat, e cila pavarësisht se në regjistrimin e fundit në vitin 2021 shumë persona janë deklaruar si maqedonas, ata konsiderojnë se nuk i plotësojnë kriteret për të qenë pakicë.
“Është interesante ajo që shkruan në shkresën e qeverisë. Thuhet se këto persona që paraqiten si maqedonas janë një grup i vogël dhe nuk i plotësojnë kriteret objektive për statusin e pakicës kombëtare. Mund të nxjerrim një përfundim? Për cilën kategori duhet ta ndryshojmë Kushtetutën, për çfarë numri?”, deklaroi Gordana Siljanovska Davkova – Presidente e RMV-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski pret që një pjesë e deputetëve të mos e votojnë amendamentin për fshirjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase.
“Një numër i madh deputetësh që janë anëtarë të Parlamentit Evropian më kontaktojnë dhe më thonë se nuk do të votojnë për atë amendament që do të paraqitet nga dikush dhe që ka për qëllim, në mënyrë talebane, që nga Raporti që është në tryezë – për herë të parë që nga pavarësimi i vendit tonë – të hiqen identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase. Ata nuk do të votojnë që këto të fshihen nga Raporti”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Përndryshe, në Raport thuhet se Parlamenti Evropian e rithekson mbështetjen e plotë për përkushtimin e vazhdueshëm të Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por thekson edhe për nevojën e reformave të domosdoshme për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit.
tag_katrorimaqedoni_2