Gjatë Luftës së Dytë Botërore, amerikanë me origjinë japoneze i çonin gjërat e tyre për t’i ruajtur në bodrumin e Hotelit Panama në shtetin e Uashingtonit, përpara se të burgoseshin në kampe. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Natasha Mozgovaya, pronarja aktuale e hotelit ka marrë përsipër të ruajë historinë e errët të hotelit.
Në pamje të parë, ky është një hotel i vjetër i këndshëm me dysheme druri.
Por pjesa nën dysheme ofron një vështrim tek një e kaluar e dhimbshme. Në bodrum janë sende të banorëve të asaj që dikur ishte Nihonmachi, lagjia japoneze e qytetit Siatëll.
“Ka artikuj peshkimi dhe arti. Ka bojëra uji dhe një violinë të vjetër në njërin nga dollapët. Ka shumë instrumente muzikore, libra dhe pllaka gramafoni”, thotë Jan Johnson, pronare e Hotelit Panama.
Pas sulmit të Japonisë në Pearl Harbor në dhjetor të vitit 1941, sulm që shtyu Uashingtonin të përfshihet në Luftën e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara burgosën rreth 120,000 japonezë që jetojnë në pjesën perëndimore të vendit. Ata mund të merrnin me vete në kampet ku u dërguan vetëm pak sende personale.
Në atë kohë, hoteli ishte në pronësi të Takashi Horit.
“Zoti Hori ishte 100% amerikan. A e kuptoi se kishte shumë pak kohë para se të burgoseshin të gjithë. Ai kishte miq që e lutën t’i vendosin gjërat e tyre personale në bodrumin e hotelit dhe ai pranoi. Pastaj u përhap fjala dhe njerëzit vazhduan të sjellin gjëra derisa u mbush bodrumi”, thotë zonja Johnson, pronarja e tanishme e hotelit.
Zoti Hori dhe familja e tij u dërguan në kampin Minidoka në Ajdaho, duke u kthyer për të punuar në hotel pas përfundimit të luftës. Por studiuesi Vincent Schleitwiler thotë shumë nga familjet nuk u kthyen për t’i marrë gjërat e tyre. Zoti Schleitwiler është japonezo-amerikan i brezit të katërt, familja e të cilit u dërgua në kampe.
“Kishte shumë kaos kur njerëzit u kthyen. Në disa vende, ata kishin miq që i mbështetnin. Në vende të tjera, ata u përballën me shumë diskriminim, dhunë dhe probleme të tjera. Nuk është për t’u habitur që ka disa gjëra që mbetën pa u marrë, sepse disa nuk u kthyen kurrë në Siatëll”, thotë Vincent Schleitwiler, i cili është profesor për studime etnike në Universitetin e Uashingtonit.
Pronarja e tanishme e hotelit, Jan Johnson ishte artiste që kishte marrë me qira një studio në lagjen ku takoi pronarin e mëparshëm, Takashi Hori.
“Nuk mund ta besoja çfarë kishte ndodhur kur pashë gjërat në bodrum dhe historitë që më tregonte zoti Hori. Më pas e pashë atë duke hedhur sende në kazanët e mbeturinave dhe i thashë: ‘Jo, mos e bëjë këtë, do të kujdesem unë për to’”, thotë zonja Johnson.
Në vitin 1985 ajo e bleu hotelin me qëllimin që të ruajë trashëgiminë e tij.
“Të gjithë menduan se jam thjesht një grua e çmendur. Asnjë nga muzetë u interesua për gjërat në bodrum apo çfarë kishte këtu, çfarë përfaqësonte kjo”, thotë zonja Johnson.
Por me kalimin e kohës, bindjet për Hotelin Panama ndryshuan. Në vitin 2006, Hoteli u shpall objekt i veçantë historik.
“Thesari Kombëtar mori një grant të madh për të hyrë dhe dokumentuar gjithçka në bodrum. Mendoj se ishin afër tetë apo nëntë mijë artikuj”, thotë zonja Johnson.
Zonja Johnson është në procesin e hapjes së një muzeu japonezo-amerikan në hapësirat e hotelit, por ajo këmbëngul se objekti do të vazhdojë punën edhe si hotel, ku vizitorët mund të qëndrojnë në dhomat historike si një mënyrë për të mbajtur gjallë ‘Nihonmachin’, lagjen japoneze të Siatëllit. /VOA
Në një organizim të veçantë, Fondacioni “UBT Jim Xhema” ka ndarë bursa për studentët më të dalluar të UBT-së. Ky...