Si u organizuan bisedimet e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë? - Gazeta Express
string(67) "si-u-organizuan-bisedimet-e-brukselit-ne-mes-te-kosoves-dhe-serbise"

Si u organizuan bisedimet e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Gazeta Express

04/06/2020 15:28

Rikujtues i Dialogut të Kosovës dhe Serbisë në vitet 2011-2019  (I)

Dialogu i Brukselit, i udhëhequr nga EEAS-i, gjegjësisht nga Përfaqësuesja e Lartë, Catherine Ashton, ka qenë i pashmangshëm për shkak të rrethanave të brendshme dhe ndërkombëtare pasi Kosova u bë shtet

Lexo Edhe:

Shkruan: Blerim Shala

Infrastruktura e dialogut në mes të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë, apo, mënyra se si do të organizohen këto bisedime në periudhën pas pavarësimit të Kosovës, dhe çfarë do të synohet të mbërrihet me to, kanë qenë goxha të qarta në shtatorin e vitit 2010-të, menjëherë pasi Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, miratoi një Rezolutë të posaçme për Kosovën, në konkludim të një ndërmarrjeje që kishte nisë nga kjo Asamble, në tetorin e vitit 2008-të, për shqyrtimin e vlefshmërisë legale ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  (ICJ), në Hagë, në korrikun e vitit 2010, kishte konstatuar që shpallja e pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008-të, nuk kishte qenë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare.

U llogarit, asokohe, që Serbia, pasi kishte humbur politikisht dhe ushtarakisht Kosovën, (edhe pse asnjëherë Serbia nuk ishte dashur fare ta ‘fitojë’ Kosovën, ashtu siç kishte bërë në vjeshtën e vitit 1912-të), e humbi edhe në këtë fushën e të Drejtës Ndërkombëtare.

Për këtë shkak, Bashkimi Evropian, gjegjësisht EEAS-i, që atëbotë udhëhiqej nga Catherine Ashton, Shefja e Parë e Diplomacisë së BE-së në organizimin më të ri të BE-së, u autorizuan, përmes kësaj Rezolute të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që të jenë lehtësues të dialogut të ardhshëm në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë. 

Llogaritej që Ashton dhe ekipi i saj, me një qasje graduale, ’hap pas hapi’, duke u nisur nga temat më të lehta, të cilat fillimisht do të trajtoheshin në kuadër të ’dialogut teknik’, për të vazhduar pastaj me tema në të rënda, apo temat kryesore, të cilat do të shqyrtoheshin në ’dialogun politik’, do të krijojnë rrethana për arritjen e një Marrëveshjeje politike në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të nënkuptonte normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

SHBA-ja do të kishte rolin e një ’lehtësuesi të lehtësuesit’ në këtë proces, midis tjerash, edhe për shkak të relacioneve miqësore personale në mes të Hillary Clinton, Sekretares së Shtetit në SHBA, dhe Catherine Ashton, Përfaqësueses së Lartë të BE-së.

Supozohej poashtu që Serbia, pos tjerash, do të motivohej për ta bërë këtë Marrëveshje me Kosovën, me përshpejtimin e procesit të integrimit të saj në BE. Ky ishte interes jetik i Serbisë i cili theksohej shpesh nga udhëheqësia e atëhershme e Beogradit, që njihte si figurë kryesore Boris Tadiqin, Presidentin e Serbisë.

Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës të asaj kohe, me figurën kryesore Hashim Thaçin, Kryeministrin e Kosovës, e dinin që përmbyllja e procesit të njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, me anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, si dhe me qartësimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike dhe në BE, do të mund të bëhej vetëm pasiqë do të arrihej Marrëveshja politike me Serbinë.

Ishte kjo një situatë e krijuar në vitet 2008-2010, pa vullnetin e udhëheqësisë së Kosovës dhe të skenës politike të Kosovës në përgjithësi, por ishte reflektim i sakt i zhvillimeve politike rreth akomodimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Ndryshe, sipas Parimeve të dakorduara dyanshëm për mënyrën se si do të bëhej dialogu në mes të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, Ashton dhe ndihmësit e saj, nuk do të mund t’ua impononin temat e veçanta për diskutim dhe për dakordim, njërës apo tjetrës palë, apo, vetëm kur ato do të pajtoheshin për to, do të mund të adresoheshin në formatin e bisedimeve në Bruksel.

Ashton dhe BE-ja kishin trashëguar një histori të njohur të përpjekjeve ndërkombëtare për ta zgjidhur çështjen e Kosovës, të cilat megjithatë, llogariteshin si të pakryera, të papërfunduara.  

Konferenca ndërkombëtare e Rambouilletit  (1999), për shkaqe të njohura për të gjithë, u bë sebep për fushatën ajrore të Paktit NATO, dhe për çlirimin e Kosovës nga Serbia, me 12 qershor, 1999-të. Por, çlirimi nuk kishte sjellë statusin e qartë për Kosovën. Kjo zatën ishte konstatuar edhe në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku çështja e statusit të Kosovës, lihej për një trajtim të mëpasshëm.

Kosova u vendos në një lloj të Protektoratit (të pashpallur) ndërkombëtar, apo nën Administrimin Ndërkombëtar  (UNMIK-un), i cili duhej ta shndërronte Kosovën në një shoqëri demokratike, e cila më pas do të duhej të përgatitej, edhe përmes Planit të ’Standardeve për Statusin’  (të hartuar nga Kryeadministratori i tretë ndërkombëtar, Michael Steiner), për zgjidhjen e statusit.

Pra, çlirimi i Kosovës ishte hapi i parë dhe më i madhi, në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Hapi i dytë do të pasonte në vitet 2005-2007, me Procesin ndërkombëtarë të zbardhjes së statusit të Kosovës.

Askush në Perëndim në atë kohë, dhe as Federata e Rusisë së Vlladimir Putinit, nuk kishte dilema se çfarë epilogu do të duhej të kishte Misioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Presidenti Ahtisaari, i cili do të caktohet Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annanit. Zatën, këtë e konfirmonin edhe Parimet Prijëse të Grupit të Kontaktit  (të cilin e përbënin pesë shtetet më të mëdha të Perëndimit dhe Federata e Rusisë), të miratuara në nëntorin e vitit 2005-të në Washington.

Megjithatë, për dallim prej çlirimit të Kosovës i cili iu imponua Serbisë me forcën ushtarake më të madhe në Botë, në kundërpërgjigje ndaj krimeve të shtetit serb në Kosovë të cilat kishin marrë edhe trajtën e përpjekjes për gjenocid ndaj popullit shqiptar, statusi i Kosovës si i tillë, apo pavarësia e Kosovës, nuk mund t’i imponohej autoriteteve më të larta të Beogradit.

Llogaritej që lidershipi i atëhershëm i Serbisë, që vlerësohej madje si një lidership demokratike (e i cili e dinte fare mirë që Kosova kishte humbur një herë e përgjithmonë), në përballje me Ahtisaarin dhe Grupin e Kontaktit, do të përpiqej që të nxirrte për vete sa më shumë koncesione, sa i përket perspektivës evro-atlantike të Serbisë, dhe poashtu, do të mundohej t’i akomodonte sa më shumë që është e mundur të drejtat e komunitetit serb në Kosovë.

Statusi i Kosovës u definua nga Presidenti Ahtisaari dhe UNOSEK, si ’pavarësi, fillimisht e mbikëqyrur’  (në shkurtin, marsin e vitit 2007), por Ahtisaari dhe Perëndimi nuk arritën, për shkak të bllokadës së Rusisë  (e cila në masë të madhe ishte edhe pasojë e refuzimit të Serbisë për ta pranuar këtë Propozim, por gjithashtu ishte edhe reflektim i një qasjeje të re të Moskës ndaj Perëndimit, të shpallur nga Presidentit Putin në Konferencën e Sigurisë në Munhen, në shkurtin e vitit 2007), që këtë Propozim ta kalojnë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Teksa me Konferencën e Rambouilletit dhe Fushatën e Aleancës Veri-Atlantike, Kosova u çlirua, por statusi i Kosovës mbet pezull, me Procesin e Vienës, statusi i Kosovës u definua, por megjithatë, nuk ndodhi përmbyllja e mirëfilltë e këtij statusi me marrjen e vulës në OKB, gjë që pastaj do t’i shkaktonte pasoja të pashmangshme rrugëtimit të Kosovës për të siguruar stabilitetin e brendshëm dhe qëndrueshmërinë ndërkombëtare.  

Dialogu i Brukselit, i udhëhequr nga EEAS-i, gjegjësisht nga HR  (Përfaqësuesja e Lartë), Catherine Ashton, pra ka qenë i pashmangshëm për shkak të rrethanave që u krijuan pasi Kosova u bë shtet.

Ai i ishte imponuar Kosovës, apo, instancave më të larta të saj, pos tjerash, edhe për shkak të Washingtoni zyrtar nuk shihte tjetër mundësi për ta akomoduar ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës. Ndërsa dihet që SHBA-ja kishte luajtur rolin vendimtar si në çlirimin e Kosovës, ashtu edhe në krijimin e shtetit të Kosovës.

Pra, Kosova nuk arriti ta merr certifikatën e OKB-së për statusin e vet në vitin 2007, për shkak të kundërshtimit të Federatës së Rusisë ndaj Propozimit të Presidentit Ahtisaari, (sepse Serbia nuk e pranoi këtë Propozim), për më shumë, nuk mori as atë përkrahjen e dëshiruar dhe synuar unanime të 27 shteteve anëtare të BE-së për pavarësinë e saj. Pesë shtetet e BE-së nuk iu bashkuan 22 shteteve të tjera të cilat në harkun kohor shkurt – tetor, 2008, e patën njohur shtetin e Kosovës.

Është thënë dhe shkruar shpesh në të kaluarën, por vlen të përsëritet edhe një herë: Sikur BE-ja të ishte e bashkuar rreth statusit të Kosovës, duke e pranuar shtetin e Kosovës me unanimitet, Beogradit zyrtar nuk do t’i mbetej gjë tjetër, pos që të angazhohet në bisedimet me Prishtinën zyrtare të cilat njëmend do të ishin krejtësisht teknike, me synim që brenda një periudhe afatmesme kohore, (jo më shumë se tre-pesë vjet pas fillimit të tyre), të pajtohet edhe formalisht me realitetin e krijuar në Kosovë, dhe ta nënshkruajë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Mungesa e unitetit të BE-së rreth pavarësisë së Kosovës, i ka bërë më shumë dëme synimeve të autoriteteve të Kosovës për ta mbërritur qëndrueshmërinë ndërkombëtare, se sa kundërshtimi i Federatës së Rusisë.

Sidoqoftë, në ato vitet e para të bisedimeve të Brukselit, është menduar, nga Zyra e Përfaqësueses së Lartë Ashton, që gradualiteti në adresimin e temave konkrete në mes të dy vendeve, do të sjell pastaj një Marrëveshje politike, e cila asokohe, nga pikëvështrimi i Brukselit  (por edhe Washingtonit dhe të kryqendrave të tjera perëndimore), nuk pretendonte të mbërrinte tek njohja formale në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura. Sërish, ashtu siç kishte qenë rasti me fazën fare finale të angazhimit shtesë gjashtëmujor ndërkombëtar të zgjidhjes së statusit të Kosovës, kur bisedimet, në periudhën gusht – dhjetor, 2007, kishin për nikoqir trojkën e Ambasadorëve Wolfgang Ischinger  (në emër të BE-së), Frank Wisner  (përfaqësues i SHBA-së), dhe Alexander Botsan – Kharchenko (përfaqësues i Federatës së Rusisë), ideja mbizotëruese në Bruksel, por edhe në Washington, Berlin, Paris dhe gjetiu ishte që maksimumi që mund të mbërrihet në definimin bilateral dhe ndërkombëtarë të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të jetë ajo Marrëveshja apo Traktati Themelor në mes të dy Gjermanive  (Perëndimore dhe Lindore), e vitit 1972. 

Pra, Kosova dhe Serbia do ta njihnin de fakto ekzistencën e njëra-tjetrës, do ta nënshkruanin një Traktat për normalizimin e marrëdhënieve  (siç pati propozuar Ekipi i Unitetit i Kosovës, në shtatorin e vitit 2007, në Takimin e Londrës me Trojkën e ndërmjetësuesve, pas një bashkërenditjeje të kësaj nisme me Administratën e Presidentit George W. Bush), gjë që do të mundësonte që Kosovës t’i hapet udha për anëtarësim në OKB, dhe për marrjen e njohjes së Geqisë, Rumanisë dhe Sllovakisë  (në atë kohë Spanja dhe Qipro nuk ishin të gatshme ta njohin Kosovën as me një Marrëveshje të tillë), ndërsa Serbisë do t’i përshpejtohej rrugëtimi për anëtarësimin në BE.

Në rrethanat ndërkombëtare mbizotëruese në ato vite  (2011-2014), llogaritej që kjo ambicje e BE-së është realiste apo e arritshme, dhe që Federata e Rusisë, do të pajtohej me një Traktat ’gjerman’ në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht do të abstenonte në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, kur Kosova do ta përgatiste aplikacionin për anëtarësim në OKB. Llogaritej që edhe Kina do ta bënte të njejtin veprim, të abstenimit, gjegjësisht të mospërdorimit të drejtës së Veto-s si shtet anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Megjithatë, Evropa dhe Bota ndryshuan shumë në vitet 2014, 2015. Nuk u arrit që të mbërrihet tek kjo Marrëveshja e madhe politike në mes të autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit. Pastaj, u kuptua në ndërkohë që ecja ’hap pas hapi’, me Marrëveshjet konkrete, të cilat në tërësinë e tyre do ta përgatisnin ’terrenin’ për këtë epilogun final, nuk po funksiononte si duhet, sepse pos që kishte interpretime diametralisht të kundërta në Prishtinë dhe në Beograd se çfarë ishte nënshkruar në Bruksel (në një Marrëveshje), BE-ja nuk kishte krijuar, sepse për nga natyra e angazhimit të saj ajo ishte vetëm lehtësuese në këtë proces, mekanizma të mirëfilltë për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre Marrëveshjeve.

Në anën tjetër, pala kosovare vazhdonte t’i vuante pasojat politike dhe diplomatike të pesë shteteve mos-njohëse, gjë që nuk ishte fare rasti me Serbinë. Serbia menjëherë mund të fitonte diçka të matshme dhe konkrete nga BE-ja, me çdo hap para në procesin e dialogut me Kosovën, ndërsa në rastin e Kosovës, në instancë të fundit, raportet e synuara kontraktuale të Brukselit me Prishtinën vareshin nga mekanizmi vendimmarrës konsensual dhe ndikimi i shteteve më të mëdha anëtare, i cili bëri që Kosova sot e kësaj dite të mos e merr Liberalizimin e vizave dhe që MSA-ja të fitohet vetëm në vitin 2015  (edhe pse duhet shtuar që MSA u fitua në vijim të dialogut, e jo të një vullneti autentik të shteteve të BE-së për t’ia hapur edhe formalisht dyert për integrimin e Kosovës në BE).

Nesër: Viti i parë kur në krye të dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit ishte Federica Mogherini, si Përfaqësuese e Lartë, (pra, viti 2015), ishte viti i fundit kur ka pasë bisedime të mirëfillta në mes të Kosovës dhe Serbisë.