Si t'i trajtoni infeksionet vaginale dhe në cilat raste duhet të konsultoheni me një mjek - Gazeta Express
string(88) "si-ti-trajtoni-infeksionet-vaginale-dhe-ne-cilat-raste-duhet-te-konsultoheni-me-nje-mjek"

Si t’i trajtoni infeksionet vaginale dhe në cilat raste duhet të konsultoheni me një mjek

Gazeta Express

07/07/2020 16:05

Infeksionet vaginale mykotike ndryshe njihen edhe si vaginiti vulvular dhe shkaktohen nga Candida albicans që është vlerësuar të shkaktojnë rreth 92% të të gjitha infeksioneve mykotike.

 Candida hyn në familjen e kërpudhave dytrajtëshe pasi rritet në dy forma, si kërpudhë dhe si myk. Myku gjendet natyrisht në çdo pjesë të trupit, sidomos në zonat e lagështa dhe të ngrohta të trupit. Vagina ruan një mjedis të balancuar midis mykut dhe bakterieve e shumë mikroorganizmave të tjerë që gjenden aty. Një bakterie e quajtur laktobacili është përgjegjëse për prodhimin e një acidi që ndalon rritjen e jashtëzakonshme (mbi normale) të mykut. Megjithatë, kjo përzierje e balancur mikroorganizmash në vaginë, ndonjëherë ndërpritet dhe myku rritet mbi nivelet normale duke rezultuar në kruarje, derdhje vaginale, lëkurë të irrituar, skuqje të vulvës, dhimbje dhe djegie sidomos gjatë urinimit si edhe simptoma të tjera që ndryshojnë nga një femër tek tjetra.

Lexo Edhe:

 Disa faktorë e rrisin rrezikun për infeksione mykotike siç janë: përdorimi i antibiotikëve, nivele të larta estrogjeni, nëse keni sistem mbrojtje të dobët, diabet të pakontrolluar, shtatzënia, aktiviteti seksual (edhe pse infeksionet mykotike nuk klasifikohen si infeksione të transmetueshme seksualisht, nëse partneri ka infeksion ju mund të merrni myk nga partneri dhe kjo ndërpret ekuilibrin vaginal të mykut dhe rezulton në infeksion më vonë).

Si t’i trajtosh?

Ekzistojnë trajtime të ndryshme për infeksionet mykotike, të cilat varen nga avancimi dhe ashpërsia e infeksionit. Nëse keni infeksion mykotik të thjeshtë me simptoma të lehta, doktori mund t’ju japë ilaçe antimykotike të cilat variojnë nga 1-7 ditë. Ilaçet që trajtojnë infeksionet mykotike janë clotrimazole, butoconazole, miconazole dhe terconazole. Disa nga këto ilaçe mund të blihen pa recetë doktori, kurse disa të tjera merren vetëm me recetë.

Një tjetër mënyrë trajtimi për infeksionet mykotike të pakomplikuara është një mjekim që merret si një dozë e vetme nga goja. Diflucan është një ndër ilaçet më të përdorura në këtë mënyrë dhe hyn në familjen e flukonazoleve. Ky ilaç mund të përdoret edhe në rastet kur infeksioni është më i ashpër dhe i komplikuar; rekomandohet të merret 2-3 herë me nga 3 ditë në mes. Në rastet kur simptomat janë më të komplikuara dhe të ashpra, disa ilaçe të tjera janë më efektive. Doktori mund t’ju përshkruajë një regjiment prej 7-14 ditë trajtimi me azole të cilat largojnë infeksionin mykotik. Këto ilaçe janë në formën e hapave, krem vaginal ose pomadë, ose supozitor (ilaç i ngurtë që vendoset brenda vaginës ku shkrihet dhe lufton infeksionet).

Përveç këtyre mjekimeve, po kryhen studime për të vërtetuar përdorimin mjekësor të disa mjekimeve alternative si acidi borik dhe kosi. Acidi borik është një ilaç që merret vetëm me recetë dhe vendoset brenda vaginës. Rezultatet e disa studimeve kanë zbuluar se acidi borik mund të kurojë disa forma të rralla të Candidës, të cilat i rezistojnë ilaçeve azole.

Kosi është një tjetër alternativë që po testohet për kurimin e infeksioneve mykotike. Femrat e përfshira në këto studime kanë raportuar se ngrënia apo aplikimi i kosit në vaginë ua ka lehtësuar ashpërsinë e simptomave. Këto studime kanë treguar se kosi mund të jetë edhe më efektiv se disa ilaçe antimykotike si clotrimazole dhe placebo, por këto studime përfshijnë një numër të vogël femrash dhe vërtetësia e këtyre studimeve është në shqyrtim e sipër.

Parandalimi

Edhe pse infeksionet mykotike janë shumë të përhapura, ka disa mënyra të thjeshta të cilat ndihmojnë parandalimin e tyre. Dieta është shumë e rëndësishme, rekomandohet një dietë e pasur me fruta, perime, prodhime të payndyrshme të qumështit dhe drithëra. Kontrollimi i nivelit të sheqerit në gjak dhe mënjanimi i përdorimit të antibiotikëve të panevojshëm mund të parandalojë infeksionet mykotike. Veshja e duhur gjithashtu zvogëlon rrezikun për infeksione mykotike, rekomandohet veshja e pantallonave të gjera, fund dhe të brendshme pambuku.

Shmangni banjot e nxehta dhe rrobat e lagura, ndërroni kostumin e banjos dhe rrobat e stërvitjes pas këtyre aktiviteteve. Gjatë ciklit menstrual ndryshoni tamponin shpesh. Reduktoni përdorimin e produkteve të ndryshme (aromatike) gjatë dushit pasi këto ndikojnë tek ekuilibri vaginal dhe mund të rezultojnë në infeksioni mykotike.

Infeksionet vaginale shfaqen me simptoma shumë të ngjashme, por shkaktohen nga mikroorganizma të ndryshëm dhe për këtë arsye trajtimi i tyre ndryshon. Është shumë e lehtë të identifikosh një infeksion vaginal për një tjetër, prandaj është shumë e rëndësishme që të konsultoheni me një doktor përpara përdorimit të ndonjë ilaçi./Gazeta Express