Si t’i dënojmë sulmet terroriste në Francë, pa folur për një përplasje qytetërimesh - Gazeta Express
string(81) "si-ti-denojme-sulmet-terroriste-ne-france-pa-folur-per-nje-perplasje-qyteterimesh"

Si t’i dënojmë sulmet terroriste në Francë, pa folur për një përplasje qytetërimesh

Gazeta Express

02/11/2020 17:50

Një nga kritikët kryesorë të tezës së Hantingtonit është historiani izraelit Juval Noah Harari, autor i disa librave të suksesshëm. Harari beson se fondamentalizmi islamik, nuk është një luftë kundër Perëndimit, por një luftë kundër çdo qytetërimi

Nga Pierre Haski

Lexo Edhe:

Në vorbullën e fundit të dramave që janë shkaktuar nga terrorizmi islamik, mund të shfaqet tundimi për ta cilësuar pas vdekjes së autorit, si të saktë tezën e diskutueshme të viteve 1990 në lidhje me “përplasjen e qytetërimeve”.

Në 1989 politologu amerikan Samuel Hantington, ndezi një debat të ashpër kur deklaroi se pas Luftës së Ftohtë, konfliktet nuk do të karakterizoheshin më nga përplasjet midis ideologjive, por nga një përplasje midis kulturave dhe identiteteve.

Hantington u përballe me shumë kritika, dhe kjo polemikë e shoqëroi atë deri në vdekjen e tij në vitin 2008. Reagimet ndaj tragjedive më të fundit të ndodhura në Francë – prerja e kokës së një mësuesi në periferi të Parisit, dhe vrasja e 3 besimtarëve në një kishë në Nisë – duket se e mbështesin tezën e profesorit të ndjerë të Universitetit të Harvardit.

Në deklaratat e disa udhëheqësve të vendeve myslimane – unë po i referohem qartazi presidentit turk Rexhep Taip Erdogan, por jo vetëm – dhe në disa reagime në spektrin politik francez, bie në sy joshja për ta parë botën si një “përplasje qytetërimesh”.

Por nuk ka pse të shkohet shumë larg për t’i bërë një lexim të diskutueshëm asaj që po ndodh, dhe mbi të gjitha një kurth për të shmangur. Kundërshtimi i parë, është se viktimat e kësaj “përplasjeje” të imponuara nga grupet islamike radikale, nuk janë vetëm ata që ne shohim sot në Francë:besimtarët që luten në një kishë, një profesor, audienca e një koncerti të muzikës rok, apo karikturistët e revistës satirike”Charlie Hebdo”.

Shumica e viktimave të terrorizmit në botë janë myslimanë të tjerë, të vrarë jo sepse ishin “besimtarë të këqinj”, por për t’i “terrorizuar” të mbijetuarit, dhe për t’i nxitur ata t’u nënshtrohen atyre. Nga Afganistani në Nigeri, nga Kaukazi në Algjeri, historia e 40 viteve të fundit është e shkruar me gjak, veçanërisht në botën myslimane.

Dhe të mendosh se islamikët radikalët e sulmojnë kryesisht Perëndimin e krishterë, është thjesht e gabuar. Ndonëse ky Perëndim kaq shumë i përbuzur, duke filluar me Francën laike, mbetet sigurisht një nga shënjestrat e tyre.

Për rrjedhojë, është e padrejtë të flitet për një konflikt midis Islamit dhe Perëndimit, edhe nëse udhëheqësit islamikë si Erdogan apo ish-kryeministri Malajzisë, Mahatir, autori i një postimi tronditës në Twitter më 29 Tetor, përfitojnë nga kjo paqartësi.

Një nga kritikët kryesorë të tezës së Hantingtonit është historiani izraelit Juval Noah Harari, autor i disa librave të suksesshëm. Harari beson se fondamentalizmi islamik, nuk është një luftë kundër Perëndimit, por një luftë kundër çdo qytetërimi.

Kurthi që na është ngritur, është ai e nxitjes për të reaguar sikur Perëndimi të ishte i vetmi që është goditur, dhe prandaj duhet të mbrojë veten nga sulmet e një qytetërimi tjetër. Po të ishte ashtu, terroristët do të kishin fituar, pasi ata do të kishin arritur t’i shndërronin të gjithë myslimanët në fajtorë të supozuar për krimet e tyre.

Pra, reagimi ndaj këtyre sulmeve, duhet të jetë gjithëpërfshirës por jo-diskriminues. Kur emocionet dalin jashtë kontrollit, kjo linjë është sigurisht më e vështirë që të ruhet. Por është më afër realitetit sot në botë, në krahasim me të ashtuquajturën “përplasje e qytetërimeve”, një ide që favorizon vetëm ekstremistët. / “Internazionale” – Bota.al