Si të shkruash / Sali Bashota - Gazeta Express
string(27) "si-te-shkruash-sali-bashota"

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:48

Si të shkruash / Sali Bashota

Arte

Gazeta Express

01/07/2022 17:48

Sali Bashota (1959, Caravik, Klinë), shkollimin fillor dhe gjimnazin i kreu në Kijevë, ndërkaq studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Magjistroi dhe doktoroi në shkencat filologjike. Nga viti 1984 është mësimdhënës në Fakultetin e Filologjisë (Universiteti i Prishtinës).

Nga viti 2003 deri më 2013 ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Ka qenë kryeradaktor i revistës letrare “Jeta e re” (2000- 2003), nënkryetar i Unionit të Bibliotekave të Ballkanit (2009-2012), etj. Ka anëtar dhe kryetar i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Lexo Edhe:

Është autor i veprave me poezi, prozë poetike, studime për letërsinë dhe kritikë letrare. Është njëri ndër poetët më të përkthyer të Kosovës në gjuhë të ndryshme të botës dhe i përfaqësuar në shumë antologji brenda dhe jashtë vendit. Veprat e tij janë promovuar në festivale ndërkombëtare të poezisë, si dhe është nderuar me çmime të larta kombëtare dhe ndërkombëtare.

Është anëtar i PEN Qendrës së Kosovës.

Ndër veprat e tij veçojmë: Albumi i grisur, Rilindja, Prishtinë, 1986; Plagomë, Fjala, Prishtinë, 1994; Rozafa, Prishtinë, 2004; Bukuri e nëmur, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2006; Dorëshkrimi i ngjallur, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2011; Në fillim ishte Drita, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2017; Asnjë zë tjetër, Botimet AAB, Prishtinë, 2018; Lutja e parë e shpirtit, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2020; Ëndrra në parajsë, Rozafa, Prishtinë, 2006; Sytë e vetmisë, Rozafa, Prishtinë, 2010; Zemërimi i heshtjes, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2014; Shkallët e natës, Olymp, Prishtinë, 2020.

Nuk mund të shkruash asnjëherë pa e pasur dashurinë ndaj shkrimit dhe përpjekjen për ta shpalosur shpirtin tënd krijues në kohën e shfaqjes së tij, nga aftësia deri te përsosmëria.

Ka këshilla e rregulla të shumta dhe të ndryshme për procesin e të shkruarit, të thëna nga autorë botërorë, në radhë të parë, poetë, prozatorë. dramaturg, filozofë, eseistë, etj.  Ka udhërrëfyes, thënie, mendime, modele, imitime, huazime e parafrazime idesh, histori të çuditshme, strategji, legjenda, anekdota me lloj-lloj përmbajtjesh për fenomenologjinë e të shkruarit. A thua, a kanë nevojë autorët për to, kur shkrimi është akt subjektiv apo synim vetjak i fantazisë, edhe kur pajtohesh, apo nuk pajtohesh me konstatime të tilla?

Shpesh herë mendoj si vjen akti i frymëzimit për ta prodhuar krijimin poetik?

A ekziston diçka hyjnore që të troket me shpejtësi në shpirt e të ngulitet dalëngadalë në kujtesë, derisa të piqet mirë? Si mund ta emërtosh një rrethanë të tillë, kur shfaqet parabota, pastaj bota e një çasti të përfytyruar, duke të mbushur plot ngazëllim, në përpjekjen për të komunikuar me diçka të shkëputur, për t’u bashkuar me shumëçka të lidhur përbrenda një universi krijues, përmes gjuhës dhe shtegtimit të pafund të fantazisë.

Në fakt, duke hyrë në këtë laborator krijues, më pëlqen loja e fjalëve, loja e ideve, loja e mendimeve, loja e figurave në konceptimin dhe realizimin e një krijimi poetik. Në këtë lojë, fiton fantazia joshëse, pastaj forma dhe përmbajtja e saj, për ta thurur e zbuluar thelbin e kuptimit dhe rezultatin e shkrimit, drejt një qëllimi të caktuar që ka të bëjë edhe me përgjegjësinë e shkrimit.

Si të shkruash kur zgjohesh nga një ëndërr e bukur. Kur ulesh në tavolinë dhe e pret me padurim kafenë e mëngjesit, duke bërë një zgjedhje estetike? Pastaj mediton për jetën e shkrimit tënd përmes fantazisë krijuese, edhe nëse je i lumtur apo nëse je i mërzitur. Ka plot çaste kur ndjenjat dhe mendimet përpiqen ta ndërtojnë kuptimin dhe domethënien e tyre me reflektimin e imazheve dhe figurave përbrenda një konteksti të caktuar të ligjërimit. Pastaj ato fshihen diku thellë e nuk mund të gjenden aq lehtë. Sikur presin të shfaqen me pasionin e durimit dhe të vetëbesimit krijues. 


Shpesh herë mendoj se shkrimi është dobi shpirtërore e mendore e një frymëzimi që e formëson ekzistencën dhe identitetin e vet, për ta shpalosur të bukurën përmes përjetimit estetik. Aty mbizotëron imagjinarja që i përgjigjet momentit, me funksonalizimin e shprehjes gjuhësore, pikërisht në sistemin e shenjave të të menduarit individual.
Ta përjetosh idenë e ndjenjës së shkrimit, duke i gdhendur fjalët, secilën veç e veç, për ta ndërtuar mendimin që të fle në shpirt, përmes secilit zgjohet ajo pjesë e ndieshme e botës së brendshme që bëhet e qenësishme edhe për të tjerët si komunikim, mesazh, receptim.
Për më tepër, fjala e shkruar e zbulon përkushtimin dhe vullnetin e poetit, duke e ruajtur thelbin e vet. Megjithatë, gjithçka nuk arsyetohet gjithmonë përbrenda këtij procesi edhe kur secili poet përpiqet ta ndërtojë konceptin e lumturisë së vet me fillimin dhe përfundimin e shkrimit, pavarësisht se cilën temë apo motiv e trajton. Pra, koncepti i lumturisë nuk ndërlidhet gjithmonë me dëshirën e autorit për atë që shkruan, në mënyrë që të çmohet edhe nga lexuesi.

Shkrimi është një lidhje shumë e fuqishme me kohën në të cilën jeton autori. Kjo lidhje përbrenda vetes e ka përmasën e pajtimit dhe të mospajtimit me gjërat, dukuritë, fenomenet e realitetit ekzistues. Ndjeshmëria e një kohe mund të bëhet përcaktim i saktë pse mospajtimi, jo rrallë, është dominues. Atëherë si mund të jetojnë poetët nga mospajtimet e ndryshme?
Parabaza e frymëzimit është origjinaliteti i shkrimit, edhe pse postmodernizmi i ka lëvizur disa gurë në këtë drejtim, duke shpikur modele të reja, jo rrallë, të pranueshme. Megjithatë, aftësia për t’i shprehur pikëpamjet dhe ndjeshmëritë e reja mbetet përparësia kryesore për autorin.

Stili i shkrimit është tipari dallues i secilit krijues. Çdo gjë buron nga ky fakt për të mbërritur te individualiteti. Pse është e veçantë tema, motivi, ideja, figura, imazhi, ligjërimi etj., apo pse parimi i ndërtimit të mendimeve për diçka që thuhet ndryshe nga të tjerët bëhet i vlefshëm për letërsinë. Askush nuk e di kur vjen çasti më i mirë për të shkruar, për t’i shprehur ndjenjat e për t’i funksionalizuar mendimet, për t’i zgjedhur figurat dhe për t’i qartësuar domethëniet.

Secili autor përpiqet të krijojë modelin e vet të të shkruarit. Shkrimi letrar është ushtrim i vazhdueshëm i parimeve krijuese, i ndjenjave dhe i mendimeve, të cilat konkretizohen si rezultat i përqendrimit intelektual, për ta ndërtuar identitetin krijues dhe për t’i promovuar vlerat shpirtërore e qytetëruese të njerëzimit.

Si të shkruash?

Të shkruash duke përzgjedhur fjalë të mira dhe të bukura, të cilat bëhen fjalori juaj poetik, ndjeshmëria e unit tënd apo të shkruash duke i mbledhur copat e kujtimeve në kohë dhe hapësira të ndryshme, për t’i grumbulluar në një vend ku transmetohet fjala poetike.

Shkrimi i poezisë nuk i detyrohet ndonjë teorie krijuese që mund t’i ketë rregullat dhe caqet e përcaktuara: nga vjen frymëzimi, cilat tema duhet të trajtohen, cilat ide apo cilat figura, sa duhet të ketë elemente të dashurisë dhe sa të dhimbjes apo të lumturisë? Shkrimi i poezisë shfaqet e përjetohet si i veçantë nga të gjitha llojet dhe zhanret e letërsisë.

Si i kam shkruar veprat e mia?

Që nga fillimet e krijimtarisë gjithnjë më ka preokupuar fakti se çka mund të them përmes poezisë?

Çka mund të bëj me frymëzimin i cili përpëlitet në mendjen time, duke u përpjekur ta mënjanojë “konfliktin”, midis imagjinatës dhe realitetit, derisa të ngjizet fjala e shqiptuar aty ku synoj ta filloj dhe ta përfundoj shtegtimin tim krijues përbrenda asaj bote të çuditshme.

Cilat ndjenja do t’i shpreh deri aty ku fillon procesi i ndërtimit të sistemit të menduarit, për ta zbuluar sprovën e çlirimit shpirtëror përmes kënaqësisë estetike, atëherë kur mund të shpiket pafundësia e imazheve.

Pastaj vijnë mendimet e konkretizuara që i zëvendësojnë ndjenjat, sa herë nuk arrijnë ta zotërojnë plotësisht fushën kuptimore deri te shenjëzimi i motivit kryesor të veprës.

Jo lehtë mund të përzgjedhen figurat përbrenda një krijimi poetik në kërkimin e një çasti që të ngacmon vazhdimisht me kureshtje të zgjuar, se cila nga figurat do të ishte më e përshtatshme, kur shenjohen në kujtesë dhe kur sprovohen në letrën e bardhë.

Natyrisht, gjuha, stili, ligjërimi dhe përbërës të tjerë janë të rëndësishëm dhe kanë një emërues të përbashkët në harmonizimin e krijimit letrar, në këtë rast siç është poezia, për të funksionalizuar  strukturën e veprës poetike.

Nëpërmjet këtij pasioni e dashurie për poezinë secili autor përpiqet ta projektojë botën e tij shpirtërore, diçka konkrete që mbërrin ta shqiptojë si fakt estetik e domethënie letrare, e cila bazohet në shenjat e veta autentike, duke synuar që ta pranojnë edhe të tjerët, pra lexuesit.

Çka të them për shkrimin e për veten?

Rituali i aktivitetit tim krijues fillon në mëngjes. Më mungon imazhi i vendlindjes. E dua qetësinë. Nuk e dua rrëmujën. Më pëlqen harmonia e gjërave të renditura në një rend simetrik. Kam nostalgji për makinën e shkrimit. Më mungon Biblioteka e djegur në vendlindje, më 2 gusht 1998. E dua shprehinë e punës, e cila mendoj se është vlerë sentimentale imja. I dua zogjtë dhe lulet. Kam shumë mall për Gjimnazin e Kijevës.

Nuk shkruaj çdo ditë. E dua dhe e çmoj mjeshtërinë e të shkruarit. Shpejt mbushem me dashuri. E urrej pritjen. Shpesh herë jam i brengosur. Më pëlqejnë njerëzit e durueshëm. Jam i bindur se poezia është fuqia e mendjes së njeriut.

/Gazeta Express