Si të shkruash / Raymond Chandler: 10 rregulla për ta shkruar romanin (policor) perfekt - Gazeta Express
string(82) "si-te-shkruash-raymond-chandler-10-rregulla-per-ta-shkruar-romanin-policor-perfekt"

Arte

Gazeta Express

29/04/2022 17:39

Si të shkruash / Raymond Chandler: 10 rregulla për ta shkruar romanin (policor) perfekt

Arte

Gazeta Express

29/04/2022 17:39

Më 1949 Raymond Chandler mbante këto “Shënime mbi noirin”, duke i diktuar dhjetë rregullat që mjeshtri i kësaj gjinie i konsideronte fundamentale për ta shkruar romanin e përsosur

Një: Romani noir duhet të jetë i motivuar në mënyrë të besueshme qoftë si gjendje origjinale qoftë si zbulim final.

Duhet të ndërtohet nga veprime bindëse të kryera nga persona bindës në rrethana bindëse, duke e pasur parasysh se bindshmëria është në masë të madhe e sjellë në jetë nga stili. Kjo e mbron nga pothuajse të gjitha finalet artificioze dhe nga historitë e ashtuquajtura «me qark të mbyllur», në të cilat personazhi më pak i gjasshëm bie në peshë në rolin e kriminelit, megjithatë pa e bindur askënd.

Po ashtu e mbron nga mizenshenat e elaboruara si ajo, për shembull, e «Vrasje në Orient Express», të Agatha Christie-t, ku i gjithë ambientimi i krimit prodhon një seri ngjarjesh aq të papërputhshme sa askush s’i beson përnjëmend.

Dy: Historia noir duhet të jetë teknikisht solide sa i përket metodave të vrasjes dhe hetimit.

Pa helme fantazie apo efekte të padëshiruara si vdekje nga doza e gabuar, etj. Pa silenciatorë në pistoleta (zakonisht nuk funksionojnë, sepse nuk ka kontinuitet mes vrimës së plumbit dhe tytës), pa gjarpërinj që kacavirren nëpër telin e ziles. Nëse hetuesi është polic ekspert duhet të sillet si i tillë dhe të ketë cilësitë mendore dhe fizike për t’i dalë zot ballë punës së vet. Nëse është privat a diletant duhet të dijë mjaftueshëm se si funksionojnë gjërat në polici për të mos dalë qesharak. Historia noir duhet të bartë në letër nivelin kulturor të lexuesve të vet.

Tre: Duhet të jetë realistike përkitazi me personazhet, atmosferën dhe ambientimin.

Duhet të flasë për njerëz të vërtetë në një botë të vërtetë. Pastaj, natyrisht, në historinë noir gjendet edhe elementi fantastik. Shkon përtej fushës së gjasshmërisë, duke i shkrirë në një hapësirën dhe kohën. Prandaj sa më e ekzagjeruar që është premisa, aq më tekstual dhe i saktë duhet të jetë procesi që ajo e prodhon.

Njëmend pak shkrimtarë noir e kanë talent në përvijimin e personazheve, por kjo s’do të thotë se ai talent është sipërfaqësor. Personazhi mund të krijohet në mënyra të ndryshme: sipas metodës subjektive, që hipotetizon hyrjen në mendimet dhe emocionet e personazheve; sipas metodës objektive, ose dramatike, si në teatër, përmes pamjes, sjelljeve, bisedave dhe veprimeve të personazhit; në fund duke e rrëfyer historinë e rastit nëpërmjet sistemit që tash quhet dokumentaristik.

Kjo e fundit është posaçërisht efikase për llojin e romanit noir që dëshiron të jetë në përputhje me faktet dhe jo emotiv, si të ishte një raport zyrtar.

Katër: Historia noir duhet të ketë një vlerë bazike, përveç elementit misterioz.

Kjo ide do të tingëllojë revolucionare për disa nga klasicistët dhe bukur shumë e pakëndshme për të gjithë shkrimtarët e rendit të dytë. Pavarësisht kësaj, tashmë është afirmuar.

Të gjithë noirët e shkruar mirë duhet të rilexohen, shpesh shumë herë. Është e qartë se kjo s’do të ndodhte nëse enigma do të ishte motivi i vetëm i interesit për lexuesin. Noiri duhet të ketë ngjyrë, vrull dhe duhet të jetë gërvishtës. Nevojitet shkathtësi kompozitive për ta kompensuar stilin e rrafshët, edhe pse ky marifet është përdorur herë pas here, para së gjithash në Angli.

Pesë: Struktura e historisë noir duhet të jetë mjaft e thjeshtë në thelbin e saj që të mos mund të shpjegohet lehtësisht kur vjen momenti.

Finalja ideale është ajo ku e gjitha bëhet e qartë në një sekuencë të shkurtër veprimesh. Ide kaq të lume janë të rralla dhe shkrimtari që arrin t’i konkretizojë qoftë edhe një herë të vetme është i denjë të lavdërohet.

Shpjegimi nuk duhet të jetë i shpejtë (përveç në kinema) dhe shpesh nuk mund të jetë. Gjëja e rëndësishme është se duhet të jetë interesante, duhet të jetë diçka që lexuesi është në ankth ta dëgjojë, jo një histori e re me një seri të re dhe të panjohshme personazhesh të hedhur thua se sa për ta justifikuar një intrigë që rrjedh ujë. S’ka gjë më të vështirë të menaxhohet se sa zgjidhja e një enigme. Nëse thua mjaftueshëm për ta kënaqur lexuesin leshko, me siguri do të kesh thënë mjaftueshëm për ta irrituar atë inteligjent.

E këtu arrijmë te një dilemë bazike e të shkruarit të noirit, fakti se noiri duhet të joshë vetëm një pjesë të publikut të lexuesve dhe nuk mund t’i joshë me të njëjtat gjetje. Qysh nga kohët e para të romanit me intrigë të trefishtë, kurrë asnjë lloj i narratives nuk është lexuar nga aq lloje të ndryshme njerëzish.

Gjysmëletrarët nuk e lexojnë Flaubert-in dhe intelektualët normalisht nuk i lexojnë torollakët bashkëkohorë dhe të fryrë me histori të shitura për romane historike. Por të gjithë e lexojnë noirin herë pas here dhe një numër befasues personash praktikisht nuk lexon tjetër gjë. Të menaxhosh shpjegimin vis-a-vis me këtë publik të edukuar në mënyra kaq të ndryshme është problem pothuajse i pazgjidhshëm. Nëse është e mundshme, përveç aficionados-ve të cilëve u shkon për shtati gjithçka, zgjidhja më e mirë është ajo e Hollywood-it: «Asnjë shpjegim, përveç se në të nxehtë, e pas asaj asgjë më».

Gjashtë: Zgjidhja e misterit duhet të jetë në gjendje t’i shmanget lexuesit arsyeshmërisht inteligjent.

Ky dhe problemi i ndershmërisë janë dy elementet më trazuese të letërsisë noir. Disa nga romanet më të mira nuk arrijnë t’i shmangen deri në fund lexuesit inteligjent (ato të Austin Freeman, për shembull). Por një gjë është të nuhasësh kush është fajtori e krejt tjetër gjë është të jesh në gjendje ta justifikosh këtë nuhatje me arsyetim.

Nga momenti që ka lloje të ndryshme të mendjes në mesin e lexuesve do të ketë të atillë që do ta gjejnë një zgjidhje të fshehur me inteligjencë dhe të tjerë që do të mashtrohen nga intriga më e thjeshtë. Por t’ia hedhësh deri në fund një të pasionuari të vërtetë të letërsisë noir nuk është e domosdoshme, madje as e dëshirueshme. Një mister i nuhatur përgjysmë është më implikues se sa një tjetër në të cilin lexuesi procedon krejtësisht në terr. Të depërtosh sado pak mjegullën e misterit e rrit vetëvlerësimin e lexuesit. Thelbësore është që në fund të mbetet paksa mjegull që shkrimtari të mund ta shpërndajë tutje.

Shtatë: Zgjidhja, me t’u bërë e njohur njëherë, duhet të ngjajë si e vetmja e mundshme.

Të paktën gjysma e romaneve noir që botohen e shkelin këtë rregull.

Tetë: Romani noir nuk duhet të provojë të japë gjithçka dhe menjëherë.

Nëse bëhet fjalë për një mister që zë vend në një atmosferë mendore të ftohtë, nuk mund të jetë po ashtu histori dhune apo ndjesish të hallakatura.

Terrori e shkatërron arsyetimin logjik. Nëse historia eksploron stimulimet komplekse psikologjike që e shtyjnë një person të bëjë një vrasje, nuk mund ta përmbajë edhe analizën objektive të hetuesit ekspert. Hetuesi nuk mund të jetë heroi dhe kërcënimi në të njëjtën kohë, ashtu siç vrasësi nuk mund të jetë një viktimë e keqtrajtuar nga rrethanat dhe njëkohësisht edhe keqbërësi pa mëshirë.

Nëntë: Në romanin noir krimineli duhet të ndëshkohet, në një mënyrë a tjetër, dhe jo domosdoshmërisht në gjykatë.

Përkundër asaj që mendohet, kjo s’ka asgjë të bëjë me moralizmin. Është pjesë e logjikës së gjinisë letrare. Pa këtë historia është si një akord muzikor që mbetet i pakryer. Lë një ndjesi irritimi.

Dhjetë: Noiri duhet të jetë arsyeshmërisht i ndershëm me lexuesin.

Qëllimi është përherë ky: por implikimet e tij rrallëherë kuptohen deri në fund.

Çka do të thotë të jesh i ndershëm në këtë rast? Nuk mjafton t’i deklarosh faktet. Faktet duhet të deklarohen në mënyrë të ndershme dhe duhet të jenë të atilla që të mund të arsyetohet mbi to. Jo vetëm indiciet nuk duhet t’i mbahen fshehur lexuesit (më të rëndësishmet ashtu si edhe ato më pak), por po ashtu nuk duhet të deformohen fare nga ndonjë emfazi që të nxjerrë jashtë rruge. Faktet irrelevante nuk duhet të paraqiten në mënyrë të tillë që të duken si të jashtëzakonshme.

Në një moment të caktuar të rrëfimit lexuesi duhet të jetë në gjendje, nëse është mjaftueshëm i shkathët, ta mbyllë librin dhe ta nuhasë cila do të jetë esenca e finales. Por kjo sjell bukur më shumë se sa kontrollin e thjeshtë të fakteve. Sjell faktin se historia duhet të vërë lexuesin e rëndomtë në gjendje t’i nxjerrë përfundimet e duhura. Nuk mund të pretendohet që lexuesi të jetë i pajisur me një erudicion të rrallë as me një kujtesë abnorme për detaje të imta. Ngase po të kërkohej kjo lexuesi nuk do t’i kishte instrumentet për ta kuptuar zgjidhjen, thjesht do ta merrte të paketuar pa mundur ta hapë. Të zhytësh indicien-çelës në një pellg fjalësh është një marifet i pranueshëm, me kusht që ecuria e historisë të ketë krijuar mjaftueshëm tension për ta vënë lexuesin sa duhet në gatishmëri. Në këtë pikë duket e qartë se problemi i pandershmërisë është çështje qëllimi dhe emfaze. Lexuesi pret t’ia hedhin, por jo me pallavra. Pret ta keqkuptojë një indicie, por jo pse nuk është ekspert i kimisë, gjeologjisë, biologjisë, patologjisë, metalurgjisë dhe një duzine shkencash në të njëjtën kohë. Pret ta harrojë ndonjë detaj që në vijim do të tregohet i rëndësishëm, por jo nëse çmimi që duhet paguar është të detyrohet t’i kujtojë mijëra gjëra të kota që nuk kanë rëndësi. E nëse prova mbretëreshë bazohet mbi njohje shkencore, lexuesi pret që zbulimi i fajtorit të jetë përherë në mundësinë e një mendjeje normale të vëmendshme, edhe pse për ta eliminuar nevojitet një specialist.

Disa marifete rezultojnë fyese ngase janë të pacipa, e edhe ngase po i hoqe ato nuk mbetet më gjë tjetër. Vjen përherë një moment kur hetuesi ka arritur te përfundimet e tij dhe nuk e informon lexuesin, kur resht (e shumë skile të vjetra të zanatit i bien në të menjëherë) befas të mendojë me zë të lartë dhe me mirësjellje ia mbyll derën e mendjes së tij lexuesit para surratit.

Në kohët kur publiku ishte ende i pafajshëm dhe duhej të merrej me flakaresha në mënyrë që ta kuptonte se kishte diçka që nuk shkonte, hetuesi zakonisht thoshte: «Mirë pra, ka fakte. Po qe se i shikoni me vëmendje të plotë, jam i sigurt se do të gjeni shumë mënyra për t’i shpjeguar këto ndodhi të çuditshme». Në ditët e sotme bëhet me më pak shfryrje, por efekti i një dere që mbyllet mbetet i paprekur.

Për të përfunduar dë të duhej të shtohej se problemi i lojës së pastër në një noir është pastërsisht profesional dhe artistik dhe nuk ka të bëjë fare me moralitetin.

Çështja është nëse lexuesi nxirret jashtë udhe brenda kufijve të rregullave të lojës, apo nëse goditet nën bel. Perfeksioni është i pamundshëm. Të qenët totalisht troç do ta shkatërronte noirin. Sa më i mirë që është shkrimtari, aq më larg do të mund të shtyhet me të vërtetën dhe aq më dinakërisht do të mund ta maskojë atë që nuk mund të thuhet. E jo vetëm kjo lojë shkathtësie nuk parasheh rregulla morale, por rregullat që duhet të ndiqen ndryshojnë vazhdimisht. Duhet ta bëjnë. Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më shumë lexuesi bëhet dinak.

Bën vaki në kohët e Sherlock Holmesit nëse maxhordomi sillej vjedhurazi poshtë dritares së bibliotekës me një shall në kokë bëhej i dyshimtë. Tash rrjedha e ngjarjeve do ta eliminonte në çast nga çdo dyshim. Jo vetëm ngase lexuesi i sotëm refuzon ta konsiderojë një zjarr të tillë vogëlak si një detaj të parëndësishëm, por ngase ai është në mënyrë konstante në gatishmëri për t’iu rënë në të sforcimeve të autorit që ta kthejë vëmendjen e tij drejt gjërave të gabuara dhe ta heqë nga ato të duhura.

E gjithë ajo që kalon në rrafsh të dytë është e dyshimtë, çdo personazh që nuk është në mesin e të dyshuarve është i dyshimtë dhe ai që bën t’i dridhen mustaqet hetuesit dhe e bën të ngryset në fytyrë konsiderohet i parëndësishëm, nga lexuesi i vëmendshëm. Shpesh shkrimtarit të noirit i duket se metoda e vetme arsyeshmërisht e ndershme dhe efikase për t’ia hedhur lexuesit mbetet t’ia ushtrojë mendjen në probleme të gabuara, të themi kështu, për ta vënë në gjendje që ta zgjidhë një mister (nga momenti që është pothuajse i sigurt të zgjidhë diçka) që do ta nxirrte nga rruga anësore, ngase ka të bëjë vetëm tërthorazi me problemin qendror. E edhe për këtë duhet të bëhet me hile, herë pas here.

/Përkthimi: Gazeta Express