Si të shkruash / Ernest Hemingway: Shtatë këshilla - Gazeta Express
string(47) "si-te-shkruash-ernest-hemingway-shtate-keshilla"

Si të shkruash / Ernest Hemingway: Shtatë këshilla

Arte

Gazeta Express

13/05/2022 17:13

Më 1984 Larry W. Phillips ka botuar “Ernest Hemingway on Writing“, një përmbledhje të këshillave më të mira të Ernest Hemingway-t mbi procesin e shkrimit. Ja shtatë këshilla si të shkruash më së miri një libër narrativ

Shkruaje një frazë të vërtetë: Këshilla e parë ka të bëjë me fillimin e shkrimit të një historie të re.

Lexo Edhe:

«Nganjëherë kur nis një histori të re dhe nuk arrij të shkoj tutje, ulem para oxhakut dhe nis të hedh lëkurën e disa portokajve të vegjël drejt qoshqeve të flakës dhe i vëzhgoj stërkalat blu që nxjerrin. Kështu në fund shkruaj një frazë të vërtetë dhe nisem prej aty. Ishte e lehtë ngase ishte gjithmonë një frazë e vërtetë që e njihja apo që kisha e dëgjuar nga dikush. Kur i bija në të se po shkruaja në mënyrë të elaboruar, apo si dikush që informon për një gjë a prezanton diçka, ndalesha, e hidhja tutje atë që kisha shkruar dhe rifilloja nga fraza e parë e vërtetë e thjeshtë deklarative që e kisha shkruar».

Ndalu para se të bllokohesh: Në këtë rast Hemingway sugjeron disa marifete ashtu që shkrimtari të dijë prore çfarë të shkruajë pa u ndalur kurrë.

«Gjëja më e mirë është përherë të ndalesh kur je duke shkruar mirë dhe kur ende e di se çfarë do të ndodhë më pas. Nëse e bën për çdo ditë kur je duke shkruar një roman, nuk do të mbetesh kurrë në cekëtinë. Kjo është gjëja më e çmueshme që mund të të them, prandaj mos e qit mendsh».

Mos mendo për historinë teksa je duke shkruar: Hemingway sugjeron të mos mendosh kurrë për historinë që je duke e shkruar para se të rifillosh të nesërmen.

«Në këtë mënyrë pavetëdija jote do të vazhdojë të punojë në të në mënyrë autonome, por nëse e bën në mënyrë të vetëdijshme, ose preokupohesh për të, e mbyt dhe truri yt do të lodhet ende para se të fillosh».

Rilexoje atë që ke shkruar para se të rifillosh të shkruash: shkrimtari e kishte zakon ta rilexonte atë që e kishte shkruar më herët para se të vazhdonte tutje.

«Gjëja më e mirë të rilexoja çdo mëngjes nga fillimi, të korrigjoja duke e përshkuar tekstin, e mandej të vazhdoja aty ku isha ndalur të djeshmen. Kur teksti bëhet aq i gjatë sa nuk mund ta rilexosh të gjithin për çdo ditë, ktheu mbrapa për dy a tre kapituj në ditë; mandej çdo javë rilexoje të gjithën nga fillimi. Kjo në mënyrë që teksti të jetë i njësuar».

Mos e përshkruaj emocionin, bëje të ndodhë: Nëse arrin ta identifikosh aksionin konkret apo ndjesinë që i ka dhënë jetë atij emocioni dhe e përshkruan në mënyrë përsoshmërisht koherente me historinë, lexuesit do të duhej të ndienin të njëjtin emocion.

«Në shkrimin  gazetaresk rrëfen atë që ka ndodhur dhe, me këtë a atë marifet, e komunikon emocionin i ndihmuar nga ai element përpikërie që i dhuron një dozë të caktuar emocioni çfarëdo rezymeje të fakteve të ditës; por gjëja e vërtetë, sekuenca e fakteve dhe lëvizjeve që e kishin krijuar emocionin dhe që do të kishin qenë validë një a dhjetë vjet më përpara, me pak fat dhe nëse të përshkruar në mënyrë mjaft të pastër, përgjithmonë, ishte përtej meje dhe mundohesha të punoja fort për ta arritur».

Përdore lapsin: Hemingway shpesh e përdorte një makinë shkrimi  kur shkruante letra apo tekste gazete, por për shkrimet më angazhuese preferonte lapsin.

«Kur mëson të shkruash objektivi yt primar është t’ia transmetosh të gjithën lexuesit: çdo ndjesi, frymëmarrje, ndjenjë, vend dhe emocion. Për ta bërë këtë duhet patjetër të rielaborosh atë që ke shkruar. Nëse shkruan me laps, i jep vetes të paktën tri raste të ndryshme që të sigurohesh se lexuesi do ta marrë atë që dëshiron t’ia japësh».

Ji konciz: Hemingway i përçmonte shkrimtarët që «nuk dinin kurrë t’i thoshin jo makinës së shkrimit».

«Jo rastësisht Fjalimi i Gettysburg-ut është aq i shkurtër. Ligjet e shkrimit në prozë janë të pandryshueshme si ato të luftimit, matematikës, fizikës».

/Përkthimi: Gazeta Express