Si të ndihmoni fëmijën tuaj ose vetveten nëse belbëzoni - Gazeta Express
string(55) "si-te-ndihmoni-femijen-tuaj-ose-vetveten-nese-belbezoni"

Si të ndihmoni fëmijën tuaj ose vetveten nëse belbëzoni

Gazeta Express

15/05/2020 22:09

Nëse fëmija juaj ka filluar të belbëzojë dhe kjo është bërë shqetësuese për ju, nëse ju vetë po kaloni një periudhë të vështirë me rrjedhshmërinë dhe nuk arrini ta kontrolloni të folurin, nëse ndonjë person që njihni sforcohet shumë për të gjetur fjalët dhe përsëri flet me ndërprerje, atëherë konsideroni sugjerimet e mëposhtme për të menaxhuar belbëzimin apo mungesën e rrjedhshmërisë në të folur, transmeton Class.

Belbëzimi është një çrregullim në të cilin të folurit ndërpritet nga pauzat e pavullnetshme e të zgjatuara (shembull: hmmm, ëë-ëë-ëë) si dhe nga përsëritjet e pavullnetshme të tingujve (shembull: a-a-amita), të rrokjeve (shembull: ma-ma-makina), të fjalëve (shembull: topi- topi-topi ka humbur) ose të frazave (shembull: edhe unë- edhe unë- edhe unë dua të vij me ju).

Lexo Edhe:

Së pari kini parasysh që fëmijët kalojnë një periudhë me mungesë rrjedhshmërie normale, që nuk konsiderohet belbëzim rreth moshës 2-4 vjeç. Kjo përkon me periudhën kur fëmijët po mësojnë të flasin dhe niveli i të kuptuarit është më i lartë se të shprehurit, për këtë arsye duke qënë se truri iu prodhon shumë mendime dhe aparati i të folurit nuk arrin t’i kanalizojë në fjalë, ata shfaqin probleme rrjedhshmërie. Kjo periudhë është zakonisht kalimtare, gjithsesi duhet menaxhuar me kujdes.

Disa sugjerime për të ndihmuar fëmijën tuaj në situata belbëzimi:

1. Kontakti me sy dhe vëmendja e plotë

Vendosni kontakt të vazhdueshëm me sy me fëmijën tuaj/ose personin që belbëzon, ndërsa ai flet. Nëse fëmija ndjen që nuk po e dëgjoni, ankthi i tij shtohet dhe në këtë rast do të belbëzojë më shumë. Prandaj mbani kontakt me sy dhe sigurojeni që po e dëgjoni me vëmendje, kjo duhet bërë edhe kur njëkohësisht jeni duke bërë gjëra të tjera.

2. Shtohuni ritëm fjalive

Të gjithë kemi dëgjuar që personat që belbëzojnë, gjatë kohës që këndojnë janë tepër të rrjedhshëm, kjo pasi truri njerëzor funksionon më mirë kur frazat bëhen ritmike. Nxitni fëmijën të thotë fjali në mënyrë ritmike si të ishin pjesë e një këngë, në kontekst loje. Ju mund t’i mësoni fëmijët t’i shoqërojnë frazat edhe me duartrokitje, kërcitje gishtash, etj., për të ruajtur ritmin. Edhe shoqërimi i fjalëve me lëvizje të duarve apo të trupit ndihmon në reduktimin e ankthit dhe përmirësimin e rrjedhshmërisë.

3. Zbutja e tingujve të parë dhe zgjatja e zanoreve

Kjo teknikë konsiston në zbutjen e tingujve të parë të fjalës dhe zgjatjen e zanoreve shoqëruese. Modeloni të folurin e fëmijës suaj ose vetvetes me këtë teknikë.

4. Përsëritja e fjalëve dhe fjalive

Në një moment të ditës, kaloni pak kohë vetëm me fëmijën që belbëzon, duke luajtur me të ndonjë lojë të prefeuar dhe pastaj mund t’i kërkoni të përsërisë disa fjalë dhe fjali që ju i keni parapërgatitur për të. Ky ushtrim mund të bëhët para pasqyrës dhe zgjat aq sa fëmija bashkëpunon, pa e sforcuar, por duke e motivuar me ndonjë aktivitet që pëlqen. Nëse jeni i rritur dhe doni të punoni për të menaxhuar belbëzimin tuaj, ky është një ushtrim shumë i rekomanduar edhe për ju. Shkruani në një bllok fjalë të gjata dhe fjali të ndryshme dhe i përsërisni disa herë deri sa të arrini t’i thoni rrjedhshëm. Ushtrimi i përditshëm me veten tuaj, para pasqyrës me zë të lartë do të sjellë rezultate.

5. Të folurit rrjedhshëm kundrejt të folurit me ndërprerje

Nëse po punoni me fëmijët, duhet të gjeni disa shembuj për të realizuar këtë teknikë. Ju mund të merrni një breshkë lodër dhe një lepur, dhe t’i kërkoni fëmijës të thotë një fjali ngadalë sikur do ta thoshte breshka ose shpejt sikur do ta thoshte lepuri. Kështu ju modeloni të folurën e ngadaltë dhe të rrjedhshme dhe i lini fëmijës të kuptojë që ne do të flasim më shpesh si breshka, ngadalë, me pushime, duke marrë herë pas herë frymë.

Një shembull tjetër mund të jetë ky: vizatoni një rrugë të drejtë dhe të asfaltuar si dhe një rrugë me shumë kthesa e plot gropa dhe të merrni një makinë lodër. Kur makina kalon në rrugën e asfaltuar, fëmija do të thotë një fjali sa më rrjedhshëm që mundet, ndërsa kur e vendosim makinën në rrugën me gropa fëmija do ta thotë fjalinë me ndërprerje. Nëpërmjet këtij ushtrimi kuptojmë sa i vetëdijshëm është fëmija për të folurin dhe belbëzimin e tij.

Po ashtu, kur përdorim shembullin e rrugës me gropa, ne nxisim fëmijën të imitojë belbëzimin e tij, duke e ekzagjeruar. Në këtë mënyrë, duke belbëzuar me qëllim, fëmija jo vetëm mëson ta kontrollojë të folurën, por fiton besim se është më i fortë se belbëzimi i tij. Edhe të rriturit mund të praktikojnë të folurin rrjedhshëm kundrejt të folurit me ndërprerje me vetëdije, për të fituar kontroll mbi belbëzimin e tyre. Mos harroni që praktika e vazhdueshme është çelësi i përmirësimit të të folurit, si dhe ju jeni më të fortë se belbëzimi juaj.